Ekonomia, 3-mujori i parë drejt krizës

Jul 10, 2012 | 14:31

Rritja ekonomike për herë të dytë pas vitit 2009 kalon në vlerë negative. Instituti i Statistikave, edhe pse me vonesë, publikoi dje të dhënat për ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku në shifra rezulton që në tremujorin e parë të këtij viti rritja të ketë qenë -0.2 për qind. Pothuajse të gjithë sektorët kanë pasur rënie të theksuar, ndërkohë që e vetmja me rritje të qëndrueshme është paraqitur bujqësia dhe sektori i shërbimeve. E para ka një rritje vjetore me 4.5 për qind, kurse i dyti 11.1 për qind. Rritja ekonomike negative në raportin e INSTAT-it bëhet më shqetësuese nëse i bashkëngjitim edhe ecurinë e ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit. Arkëtimet në buxhet nuk kanë ecur me ritmet e parashikuara, një tregues për aktivitet të ulët ekonomik të bizneseve, konsumi ka rënë, një tregues për frikë nga ana e qytetarëve. Nga ana tjetër, deficiti është rritur ndjeshëm. Një tregues ky që shpenzimet e qeverisë do të jenë më të moderuara në vijim dhe efekti i tyre për rritjen ekonomike do të jetë gjithashtu modest. Në këto kushte, nëse edhe tremujori i dytë i këtij viti do të rezultojë me një rritje ekonomike negative, qeverisë do t’i duhet të pranojë”zyrtarisht”  krizën.
Sektorët në krizë
Shenjat e një krize në ekonomi duket se po përvijohen çdo ditë. Këtë e tregon fakti që me rritje janë vetëm sektori i bujqësisë dhe sektori i shërbimeve. I pari nuk mund të shërbejë kurrsesi si një “motor” i rritjes ekonomike për kushtet ku ndodhet, ndërsa i dyti rritjen e shfaq të paqëndrueshme. Kështu, duket se niveli mbi 4 për qind i parashikuar në buxhet për rritjen ekonomike do të jetë i vështirë që të arrihet për këtë vit. INSTAT vlerëson se sektorët e tjerë të matur për nxjerrjen e PBB-së kanë pësuar rënie. Ndërtimi ka vijuar të thellohet në krizë, ku në tremujorin e parë të vitit 2012 pati rënie me 17.6 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011 dhe me 7.1 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011. Rënie ka pësuar edhe aktiviteti i transportit. “Në tremujorin e parë të vitit 2012 aktiviteti i transportit u ul me 1.7 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rënie me 4.3 për qind ndaj tremujorit paraardhës”, vlerëson INSTAT. Industria dhe post-komunikacioni duket se janë dy sektorë të tjerë që kanë pasur rënie përgjatë tremujorit të parë të vitit. E para pati rënie me 19.3 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të 2011-s, kurse post-komunikacioni ra me 4.8 për qind.
“Alarmi” i FMN dhe BB
Fondi Monetar Ndërkombëtar është edhe institucioni financiar që është treguar më “i kursyer” në parashikimet e tij për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në raportin e tij të fundit të muajit prill, ku bënte parashikimet për ecurinë e ekonomive të vendeve të ndryshme, për Shqipërinë rritja e parashikuar në vitin 2012 ishte në nivelin 0.5 për qind. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është e dyta që ka vlerësuar se Shqipëria nuk do të ketë rritje më të lartë sesa 1.2 për qind gjatë vitit 2012. Në raportin e muajit maj, ajo korrigjoi parashikimin e janarit, duke e ulur atë. Institucioni i tretë që bëri një parashikim të ecurisë ekonomike për vendin tonë ishte Banka Botërore, në muajin qershor. Sipas raportit të saj për vendet e Europës Juglindore, vendi ynë do të ketë gjatë këtij viti një rritje ekonomike jo më të lartë sesa 1.6 për qind.

Beqja: Ekonomia në rënie, e pranoi edhe INSTAT i Berishës
Sekretari socialist për Programin: PS ka gati zgjidhjen

Ilir Beqja

Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, në një deklaratë për mediat, ka komentuar rënien ekonomike, të bërë publike edhe nga INSTAT-i, siç tha Beqja. Sipas tij, kjo rënie është më e madhe se sa tregon vetë INSTAT-i. “Në tremujorin e parë të vitit 2012 ekonomia shqiptare ka, zyrtarisht, rënie qoftë kundrejt tremujorit paraardhës, qoftë kundrejt tremujorit respektiv të vitit 2011. Kur INSTAT, alias Instituti i Gënjeshtrave të Saliut, pranon që ekonomia ka rënie vjetore 0,2%, shqiptarët e kuptojnë lehtë se sa më e madhe është kjo rënie. Rënien më të madhe e ka industria, me 19,3%. Ndërtimi ka rënie dyshifrore. Ndërsa telekomunikacioni plotëson një periudhë 2-vjeçare me rënie të përsëritur çdo tremujor”, komentoi Beqja.
Duke e paraqitur edhe përmes grafikëve rënien ekonomike, Beqja tha se të dhënat për rritjen ekonomike tremujore tregojnë edhe mënyrën spontane të zhvillimit të ekonomisë sonë. Për sekretarin socialist për Programin, rënia ekonomike është produkt i politikave të gabuara që ka ndërmarrë qeveria. Beqja deklaroi se zgjidhjen për rimëkëmbjen e ekonomisë socialistët e kanë në programin për një rilindje shqiptare. “Për ne si opozitë, por edhe për publikun shqiptar, për sipërmarrësit dhe për buxhetet familjare shqiptare, kjo gjendje e ekonomisë së vendit nuk është e rastësishme. Është produkt i politikave të gabuara ekonomike qyshkur Saliu qeveris, është produkt i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, por është produkt edhe i paaftësisë për të njohur krizën, pranuar krizën dhe për të bërë detyrën e çdo qeverie të përgjegjshme, të marrë masa dhe veprime antikrizë. Ekonomia duhet të rimëkëmbet. Ne jemi gati. Zgjidhjet janë në programin e PS-së për një rilindje shqiptare”, u shpreh dje Beqja.

Rreziku nga fqinjët
Raportet e Bankës Botërore, të BERZH-it dhe FMN-së nxjerrin në pah efektin që ka pasur ecuria e krizës së fqinjëve në ekonominë shqiptare. Edhe pse fillimisht u duk që kriza e Greqisë dhe Italisë nuk po afektonte rëndë ekonominë shqiptare, tashmë kjo nuk mund të thuhet. Gjatë gjithë kohës raportet kanë vërejtur se shkëmbimet tregtare do të ishin ato që do të prekeshin nga kjo situatë dhe së dyti, rënia e kontributit të remitancave.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura