1. Më 9 nëntor 2010, Komi-sioni Europian i sugjeroi Këshillit Europian akordi-min e statusit të vendit kandidat të BE për Malin e Zi, ndërsa nuk bëri të njëjtin sugjerim për Shqipërinë. Megjithatë, vendet patën të njëjtin trajtim lidhur me fillimin e negociatave për anëtarësim. Për secilin vend në raport përdoret i njëjti tekst fjalë për fjale: “Komisioni konsideron se negociatat për anëtarësim në BE duhet të hapen sapo vendi (Shqipëri/Mali i Zi) të përmbushë, në masën që duhet, kriteret e anëtarësimit dhe veçanërisht kriterin politik të Kopenhagenit, që kërkon stabilitet të institucioneve garantuese të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.
2. Të dyja raportet i ngjajnë kaq shume njeri-tjetrit për shkallën e arritjes/mosarritjes së kritereve, llojet e problemeve e të rekomandimeve. E vetmja shprehje me peshë që dallon raportet është ajo lidhur me konsensusin politik. Për Malin e Zi në raport thuhet: “…Konsensusi mes partive politike mbi ndërtimin e shtetit po bëhet më i fortë…”. Për Shqipërinë në raport thuhet: “…..Dialogu politik është konfrontues, dhe jo konstruktiv, kryesisht për shkak të ngërçit politik që prej zgjedhjeve të qershorit 2009. Kjo pengon punën e Parlamentit dhe bllokon reformat e domosdoshme që kërkojnë konsensus. Qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësinë që, në mënyrë transparente e në respekt të plotë të Kushtetutës, të gjejnë zgjidhjet e nevojshme në rrugën e vendit drejt integrimit në BE.”.
3. Ky tipar i politikës shqiptare, prezent gjatë 20 viteve, gjithsesi ka arritur të tejkalohet në disa momente duke mundësuar kryerje reformash dhe arritje rezultatesh të rëndësishme; si anëtarësimi në NATO, marrëveshja e stabilizim asocimit me BE e deri zgjidhje krizash si ai i vitit 2002. E ashtuquajtura “politike e vjetër”, term ky i përdorur nga lideri Rama në zgjedhjet 2009, ka arritur të tejkalojë egoizmin, të kuptojë kufijtë e mundësive, të riskut e kostove nga destruktivizmi tej cakut, për rrjedhojë, të ulet, të bëjë kompromise e të kryejë reforma konsensuale. Ca me hir e ca me pahir kanë hapur rrugë e kanë gjetur zgjidhje.
4. Për paradoks, “politika e re” – ide, premtim dhe tashme njehsim me liderin Rama dhe PS-në, e transformuar pas qershorit 2009 sipas midesë se liderit- destruktivizmin e ka shndërruar në konstante sjelljeje, ndërsa do t’i duhej për koherencë premtimi dhe krahasimi të bënte të kundërtën. Për më tepër, masa e destruktivizmit në vetvete, si dhe në raport me masën e arsyeve të qenësishme që do ta ushqenin atë, janë rritur ndjeshëm krahasuar edhe me kohën e destruktivizimit më të lartë të opozitës demokratike apo berishiste, quajeni si të doni.
5. Edhe në kohën e opozitarizmit më ekstrem demokrat, nuk kanë ndodhur bojkote kaq të gjata të Kuvendit, bllokim kaq absolut i dialogut ndërpartiak apo mosvotim në total i ligjeve që lidheshin me proceset integruese. Kritika ndaj ekstremizmit opozitar demokrat mbetet e drejtë edhe sot, ndonëse ai ushqehej nga arsye të qenësishme që e justifikojnë pjesërisht. Opozita demokrate hyri në disa zgjedhje me një sistem të administrimit zgjedhor tërësisht të pabalancuar, në disfavor të saj, që nga komisionet zgjedhore të qendrave të votimit e deri te KQZ dhe gjykatat e po kështu lidhur me fondet, përdorimin e pushtetit apo mbështetjen mediatike. Manipulimet zgjedhore ishin të prekshme e të faktueshme. Pretendimet e opozitës së sotme të “politikës së re” ngjajnë me qarje kalamajsh të llastuar apo mendje të marrosura në fantazi pa kufi.
6. Sa për protestat e dhunshme, opozita demokratike u burgos e u gjakos pa sulmoi Kryeministrinë. Ajo socialiste sulmoi Kryeministrinë pa u gjakos e s’behet fjale për t’u burgosur. Për kujtesë, ndërsa opozita demokratike u ofrua për bashkëpunim në hartimin e Kushtetutës, në gusht 1998 u arrestuan gjashte ish-zyrtarë të lartë demokratë, me akuzën absurde për “krime kundër njerëzimit”, ndër të paktat nene të paamnistuar sipas marrëveshjes ndërpartiake të marsit 1997, pra një akt në thyerje flagrante të kësaj marrëveshjeje. Paraprakisht, opozita demokrate pretendoi për dhjetëra të vrarë, të plagosur, të dënuar padrejtësisht apo të dhunuar, të gjithë aktivistë demokratë, sipas saj, për të arritur deri te vrasja e liderit Hajdari më 12 shtator 1998, si përmbyllje e një serie aktesh të dhunshme kundër tij.
7. Agresioni opozitar ndaj Kryeministrisë më 14 shtatori 1998 ishte në masën më të madhe një reagim emocional masiv, spontan e i aty për atyshëm ndaj kësaj dhune, ndaj ishte dhe mbetet sa i papranueshëm aq edhe i kuptueshëm. Njësoj iu prehtë shpirti në parajse të gjithë jetëhumburve, por nuk janë njësoj sjelljet politike, pasi nuk kanë të njëjtin raport e kahe lidhjet shkak-pasojë. Agresioni i dhunshëm opozitar ndaj Kryeministrisë në 21 janar 2011 ishte i paralajmëruar, i organizuar dhe i palidhur me ndonjë emocion momental. Ishte thjesht ekzekutim me mendje të ftohte i një strategjie të kahershme, me aksion të përshkallëzuar. Cilido që ka qenë kritik me opozitën demokrate në atë kohë, s’ka se si të mos jetë shumëfish kritik me atë socialiste sot. Në të kundërt, duhet t’i kërkojë ndjesë demokratëve për kritikat e pavend që iu ka bërë asokohe.
8. Ndërsa drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj, politika vazhdon. Së fundmi opozita po shprehet për një qasje të re pa protesta të dhunshme, pa bojkot, si dhe me një ofertë ende të paqartë të një kompleksi reformash kushtetuese e ligjore. Kjo e fundit duket se përbëhet nga dy pjesë. Në krye duket se qëndrojnë disa ndryshime të Kushtetutës, kryesisht lidhur me zgjedhjen e Presidentit dhe me mocionin sfidues ndaj Kryeministrit. Njëherazi, idetë mbi ndryshimin e KQZ-se dhe Kolegjit Zgjedhor, ndoshta edhe të sistemit zgjedhor, shfaqen po aq të rëndësishme. Në plan të dytë qëndrojnë paketa e ligjeve që kërkon detyrimisht 84 vota të Kuvendit e që kushtëzon fillimin e kryerjes së disa reformave që përcaktohen si kushtëzime nga raporti i Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim.
9. Raporti mes këtyre pjesëve të nismës reformuese opozitare do të tregojë nëse nisma është një kthese e vërtetë drejt konstruktivizmit apo vazhdim, më të tjera mënyra, i strategjisë tashme dyvjeçare opozitare. Qoftë një kthese e vërtetë. Reflektim, të paktën deri në nivelin e “politikës së vjetër” – të opozitës demokrate 2002-2005. Shumë më mirë. Por, shenjat e para po forcojnë dyshimin për vazhdimësinë e destruktivizmit. Një pjese e paketës, ajo kushtetuese, po hidhet si parakusht për pjesën tjetër, atë integruese. Ndryshimet kushtetuese në prill 2008 po vlerësohen si origjina e humbjeve opozitare dhe burimi i fuqisë absolute të liderit Berisha. Nga këtu kërkohet kthimi te pikënisja si kusht për suksesin opozitar, si mjeti për mposhtjen e atij që i ka të gjitha fajet, pra Saliut.
10. Me këtë motiv e prapamendim, plotësisht i lexueshëm, s’ka se si të jepet konsensus. Rama dhe opozita e tij kanë të drejtë të ndjekin interesat e tyre të ngushta. Mirë. Pra, të jenë egoistë! Ky është shkaku. Po aq ka të drejte Berisha dhe maxhoranca te jenë egoiste. Apo jo?! S’i ka lënë mendja t’i japin kundërshtarit armën me të cilën ai do t’i mposhtkërka! Ndaj, s’ka se si të ketë konsensus. As reforma. Kjo është pasoja. Për rrjedhojë, vendnumëro deri në 2013-n. Ripërsëritje, me shume gjasa, e të njëjtit rezultat zgjedhor. Në mos ndodhtë ndonjë çudi, rikonfirmohet po kjo maxhorancë.
11. Nëse paketa integruese nuk kushtëzohet me atë kushtetuese apo kushte të tjera kësisoj, si mjete triumfi mbi kundërshtarin, ajo i hap rrugë progresit të integrimit, marrjes së statusit e afrimin e kohës së nisjes së negociatave për anëtarësim në BE. Tek e fundit, opozita bën të veten, kryen detyrat e saj ndaj interesit publik, pra s’bëhet më pengesë si deri më sot. As edhe justifikim për kusuret e qeverisë. Me këtë qasje ose suksesi në integrim i përket njëkohësisht edhe maxhorancës edhe opozitës ose ngecja integruese i faturohet vetëm moskryerjes nga qeveria e detyrave që varen veçse prej saj. Egoizmi politik ka për kufi cenimin e interesit publik. Integrimi s’duhet të pengohet. Dëmton interesin publik . E sigurt që paguan faturën.
12. Deri më sot, me destruktivitetin e saj opozita i ka mundësuar maxhorancës të përvetësoje, me të drejtë, të gjithë suksesin e liberalizimit të vizave, si dhe së paku justifikimin për çdo ngecje të proceseve të anëtarësimit në BE. Destruktivizmi nuk prodhoi as edhe më shumë vota se në 2009-n. Rikthimi në konstruktivizëm është qasja më efektive. Si për opozitën edhe për interesin publik. Konstruktivizmi opozitar është sprovë e vërtetë edhe për maxhorancën. Konstruktivizmi kërkon atmosferë të paqtë, rikthim gradual të besimit e respektit reciprok – jo të dashurisë e flirtit – heqje dore nga imagjinata e shfrenuar mbi skemat konspirative, regjimet fashiste orientale, grupeve mafioze apo rikthimin e bllokmenëve junior. Retorikë sa boshe aq edhe e dëmshme. Dakord, egoist. Edhe miop?!
© Panorama.al












