Eduard Halimi merr ekspertin e BE këshilltar në Ministri

Aug 28, 2011 | 12:20

Brenda një muaji nga emërimi në detyrë, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, ka realizuar kompletimin e stafit me të cilin do të realizojë reformat e nevojshme në Drejtësi e Gjyqësor.

Pjesë e kabinetit të ministrit të Drejtësisë janë bërë juristë me emër, ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë e deri tek ekspertë të huaj. Nga burime të Ministrisë së Drejtësisë është mësuar se në stafin e ministrit Halimi ka hyrë edhe një ekspert i njohur i huaj, Juris Avontis. Ish-ekspert i Bashkimit Europian në Shqipëri, është emëruar këshilltar i ministrit për reformat në Drejtësi. Avontis ka drejtuar reformat në Letoni, para hyrjes së këtij vendi në BE. Ndërkohë që i gjithë stafi është formatuar mbi bazën e prioriteteve për reforma në sektorët që kanë të bëjnë me noterinë, Përmbarimin, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive si dhe reforma, ende në projekt, për ngritjen dhe funksionimin e Agjencisë së Falimentimit, dixhitalizimin e sistemit. Në hartimin e stafit, ministri i Drejtësisë, sipas burimeve nga ky dikaster, ka pasur parasysh edhe prioritetin për plotësimin e detyrave të lëna nga progres-raportet e BEsë në këto vite.

EMËRIMET

Pak kohë pasi ka ardhur në detyrën e ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi ka emëruar si drejtoreshë kabineti, ishgjyqtaren Enkeledi Hajro, me eksperiencë të gjatë në Ministrinë e Drejtësisë. Në CV-në e saj, publikuar më parë në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se në vitin 2005, Enkeledi Hajro ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë deri në vitin 2009. Në këtë kohë ajo u emërua në detyrën e përfaqësueses ligjore të shtetit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut. Në detyrën e këshilltarit të ministrit për Çështjet e Drejtësisë, konkretisht për Gjyqësorin dhe Prokurorinë, është emëruar Evgjeni Sinoimeri, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, në detyrën e këshilltarit për hartimin e legjislacionit, Halimi ka emëruar Ardit Hysën, ish-këshilltar i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Marsida Xhaferllari është emëruar në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë. Xhaferllari është ish-gjyqtare e shkallës së parë dhe drejtuese e lartë në këtë ministri që prej vitit 2009. Më parë ajo ka qenë shefe e Drejtorisë së Kodifikimit dhe ka përfaqësuar qeverinë në Gjykatën Kushtetuese.

EKSPERTI I HUAJ

Risi në ndryshimet që kanë ndodhur në administratën e Ministrisë së Drejtësisë duket se përbën emërimi i një eksperti të huaj në kabinetin e dikasterit të Drejtësisë. Juris Avontis, ish-ekspert i Bashkimit Europian në Shqipëri për Gjyqësorin, ka marrë detyrën e këshilltarit për reformat në kabinetin e ministrit të Drejtësisë. Për katër vjet, eksperti në fjalë ka menaxhuar reformat e thella në Letoni para hyrjes në BE. Juris Avontis do të mbajë detyrën e këshilltarit për reformat në Drejtësi. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë mësohet se kabineti në fjalë është prezantuar në detyrë nga ministri Eduart Halimi. Ai i ka bërë të ditur stafit se prioritet i dikasterit do të jetë përmbushja e parimeve: Siguri publike dhe rend juridik për të gjithë qytetarët.

REFORMAT NË DREJTËSI

Një numër sfidash paraqiten para Ministrisë së Drejtësisë në fushën e Avokatisë, Gjyqësorit, Përmbarimit dhe një sërë sektorësh të tjerë. Vitet e fundit në gjykata ka pasur zvarritje të vazhdueshme të proceseve gjyqësore, ndërkohë që edhe rekomandimet e vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë prekin në një gamë të gjerë çështjet në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë.

EMERIMET E REJA NE MINISTRI

1. Enkeledi Hajro emërohet drejtoreshë e kabinetit të
ministrit, ish-gjyqtare e Shkallës së Parë dhe këshilltare
në Gjykatën e Lartë.
2. Evgjeni Sinoimeri emërohet këshilltare për çështjet
që lidhen me Gjyqësorin dhe Prokurorinë,
ish-anëtare e Gjykatës së Lartë.
3. Ardit Hysa, këshilltar për Hartimin e Legjislacionit,
ish-këshilltar i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
4. Marsida Xhaferllari, drejtoreshë e Përgjithshme e
Çështjeve të Drejtësisë, ish-gjyqtare e Shkallës së Parë.
5. Juris Avontis, këshilltar për reformat në Drejtësi, ishekspert
i Bashkimit Europian në Shqipëri.

© Panorama.al

Te lidhura