Edmond Kapllani, spektakël në Gjermani

Jul 5, 2012 | 15:08

Edmond Kapllani ka mahnitur tifozët e FSV Frankfurtit në miqësoren e djeshme kundër ekipit të Kategorisë së Tretë, Ehsbornit. Sulmuesi shqiptar realizoi një dopietë duke u shfaqur lojtari më në formë i FSV Frankfurtit, që fitoi 3-0. Trajneri Mohalman ka caktuar tetë ndeshje miqësore deri në fillim të kampionatit të Bundesligës 2 gjermane. Ai pat pohuar se do të testonte blerjen e verës, Kapllanin, dhe dy lojtarë të rinj, pasi nuk i njeh mirë. “Është e kotë të vësh në diskutim cilësitë e Kapllanit. Tifozët dhe media ushtruan një presion të madh gjatë  këtyre ditëve, por mendoj se gjithçka ishte e pajustifikuar. Ju e patë se çfarë është në gjendje të bëjë Kapllani, ndaj është mirë që tani ta lëmë të punojë i qetë”, – ka thënë trajneri i skuadrës gjermane, Beno Mohalman. Sulmuesi i Shqipërisë luajti gjatë gjithë ndeshjes, edhe pse pat thënë para takimit se nuk ishte në gjendjen e tij optimale. Ai shënoi dy herë brenda 6 minutave duke e dërguar topin në rrjetë në minutën e 72-të dhe 78-të. Golat ishin të dy të shkëlqyer, sepse tek i pari ai përfitoi nga një kundërsulm dhe e mori topin nga mesfusha. Pasi bëri një vrap prej më shumë se 40 metrash, nuk e pati të vështirë të mposhtte portierin kundërshtar. Në golin e dytë ai shfrytëzoi një goditje dënimi dhe devijoi topin me kokë mes dy mbrojtësve, duke mposhtur sërish portierin kundërshtar. Kaq u desh që tifozët e pranishëm në stadium të FSV Frankfurtit të duartrokisnin sulmuesin 29-vjeçar.

Shqipëria ngjit 4 shkallë në FIFA
Kombëtarja e Shqipërisë kohëve të fundit ka arritur progres në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Ndryshe nga muaji maj, kuqezinjtë janë ngjitur katër vende më lart në renditjen e FIFA-s të muajit qershor, që është publikuar të mërkurën. Shqipëria tani pozicionohet në pozitën e 75-të me 448 pikë, një vend më poshtë sesa Finlanda, duke lënë pas vetes Guinean, Bjellorusinë etj. Këtë progres skuadra e Xhani de Biazit e ka arritur falë paraqitjeve të mira në dy ndeshjet e fundit miqësore, respektivisht falë fitores ndaj Katarit (2:1) dhe Iranit (1:0). Ndërsa, kampioni i ri i Europës, Spanja, vazhdon t’i prijë ranglistës me 1691 pikë, duke lënë pas vetes Gjermaninë, Uruguain, Anglinë, Portugalinë, Italinë etj. Kurse, Brazili tashmë nuk është as në mesin e dhjetë skuadrave më të mira.

Sadiku, një hap larg Luzernës
Armando Sadiku është një hap larg Luzernës. Lajmin e kanë publikuar mediat zvicerane, sipas të cilave sulmuesi i Kombëtares shqiptare është fare pranë skuadrës së Ligës së parë zvicerane. Bomberi realizoi 21 gola sezonin e shkuar me Lokarnon në Ligën e Dytë dhe është një prej futbollistëve më të lakmuar të kampionatit helvet. Për të interesohen edhe klube të tjera jashtë Zvicrës, por duket se vetë lojtarin e josh Luzerna. Këtu aktivizohet edhe mesfushori kuqezi, Jahmir Hyka. Ndërkaq, një tjetër shqiptar drejt kampionatit zviceran është edhe mbrojtësi vlonjat Franc Veliu, që kërkohet nga Lugano.

© Panorama.al

Te lidhura