Edhe Aristoteli e kupton më mirë reformën!

Jul 10, 2012 | 13:41

REXHEP MEIDANI

Stërzgjatja e reformës zgjedhore
Ka mjaft muaj që është ndërtuar dhe miratuar prej Kuvendit një Komision për reformën zgjedhore. Ai, aktualisht, është në përfundim të shtyrjes së tretë në realizimin e mandatit të tij. Për qytetarët e thjeshtë mund të jetë krijuar përshtypja se anëtarët e këtij komisioni janë “bërë telef” duke punuar “pa pushim” për reformën zgjedhore. Në fakt, nuk është fare ashtu. Vonesa është fare tjetër. Herë duke sajuar lloj-lloj “hilesh”, herë duke u “mirëkuptuar” në shtyrjen apo diskutimin e korrigjimeve të rekomanduara!…
Problemi do të rezultonte krejtësisht i thjeshtë po të kishte vullnet politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përfaqësuesit kryesorë politikë në Komision apo ekspertet bashkëshoqërues të tyre, po të liheshin të lirë, të gjitha korrigjimet e rregullimet ligjore do të arrinin t’i mishëronin, t’i formulonin dhe përfshinin në kod brenda pak ditësh. Pra, për çudi, edhe pse konsultohen me ekspertë ndërkombëtarë, “stërzgjatja” heroike në Komision po vazhdon, ashtu siç po vazhdojnë “thirrjet”, “këshillat” e “tërheqjet” e vëmendjes mbi reformën nga përfaqësues me zë të bashkësisë ndërkombëtare.
Parime bazë të kryerjes së kësaj reforme
Barazia e votës: Një çështje e parë është reduktimi i pabarazisë së votës nisur nga copëtimi administrativ. Ndarjet administrative zgjedhore (qarqet apo prefekturat) krijojnë diferenca të mëdha në lidhje me përqindjen e nevojshme për marrjen e një mandati parlamentar. Dëshmi e saj është p.sh. ndryshimi midis qarkut të Kukësit dhe atij të Tiranës. Kjo mund të realizohet nëpërmjet bashkimit të disa qarqeve, deri në variantin maksimal të riorganizimit të territorit në një njësi administrative të vetme (kalimit në sistemin e pastër proporcional). Një çështje po aq e rëndësishme është pabarazia e votës së dhënë në nivel kombëtar. Kjo mund të mënjanohet lehtësisht nëpërmjet korrektimit kombëtar; aq më tepër që për këtë korrigjim kanë rënë dakord të 26 partitë politike, pra dhe dy partitë përgjegjëse për reformën zgjedhore: PD dhe PS.
Garantimi i votës: Si çështje e parë është ajo e votimit elektronik. Në qytete ai mund të realizohet pa ndonjë shqetësim teknologjik “online”, dhe për këtë shembulli për t’u ndjekur është ai i shërbimit bankar, që vlen të studiohet nga “ekspertë” të OSBE-së. Në zonat rurale, në pamundësi të shtrirjes së shërbimit “online”, mund të aplikohet pa asnjë vështirësi ai me kartë në sistem “offline”. Çështje tjetër është ajo e numërimit elektronik (në nivel qarku), pse jo shoqëruar edhe me mbikëqyrjen elektronike.
Besueshmëria e procesit: Si çështje kryesore mbetet aty problemi i infrastrukturës zgjedhore, përfaqësimi në komisionet e qendrave të votimit, zonave zgjedhore deri në nivelin e KQZ-së. Sidomos formula e mëparshme kushtetuese e KQZ-së (2 anëtarë nga Kuvendi, 3 nga KLD-ja dhe 2 nga Presidenti), apo prodhimi i tij nëpërmjet institucioneve gjyqësore ose të pavarura mund të jetë një zgjidhje e mundshme. Në rastin e Spanjës, komisionet deri në nivelin e qendrës së votimit hidhen me short në një listë të përzgjedhur qytetarësh
Transparenca e votës: Në kuadër të transparencës, një çështje po aq e rëndësishme është hapja e kutive me kërkesë të 2 anëtarë të KQZ-së, dhe vendimmarrja përkatëse. Jo vetëm për të shmangur manipulimet, apo për të rritur besueshmërinë e procesit, një vëmendje të veçantë ka dhe sistemi i ankimit, ndërtimi i tij nëpërmjet një skeme neutrale e balancuese, me përfaqësim të një integriteti të lartë. Brenda tij duhet të trajtohet edhe dënimet partiake e individuale, shkeljet financiare apo të kodit të etikës, përfshirë dhe penalizimet konkrete ligjore ndaj anëtarëve të komisioneve të niveleve të ndryshme (të votimit, numërimit apo ankimit).
E tëra duhet të jetë parësore ndaj pjesës
Si shpjegohet atëherë që nuk po arrihet të përmbyllet akoma kodi zgjedhor? Pse nuk arrihet në një mirëkuptim e vendimmarrje të kënaqshme në funksion të mbarëvajtjes së procesit të ardhshëm zgjedhor? Për disa është më se e qartë, për të tjerë, ndoshta, më pak. Sidoqoftë, edhe në këtë rast mund të na ndihmojë edhe Aristoteli, pavarësisht “moshës mbi 2000-vjeçare” të tij. Sipas tij, çdo bashkësi si objektiv të saj ka realizimin e synimeve apo të mirave të përbashkëta. Këtë rol ka luajtur polis (qyteti-shtet), që te “Politika” e Aristotelit konsiderohet si një komunitet natyror. Në një shikim më organik, mbështetur në idenë që “e tëra duhet të jetë parësore ndaj pjesës”, për Aristotelin komuniteti apo qyteti-shtet qëndron mbi familjen; ndërkohë që kjo e fundit është parësore ndaj individit. Për më tepër, vetë politika duhet konceptuar si një koleksion pjesësh ku asnjëra nuk mund të ekzistojë pa të tjerat; ajo duhet të shihet si një organizëm i gjallë e jo si një makineri. E parë me këtë sy, për Aristotelin, interesat e individit dhe interesat e shtetit duhet të jenë të njëvlershme; ndërkohë më tepër epërsi duhet të ketë komuniteti, sesa individi. Kjo, në rastin tonë, vlen në mënyrë të veçantë për anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore apo liderët politikë të vendosur pas tyre! Aq më tepër që shumica e qytetarëve e bën qartë dallimin…
Më tepër vlerë ka komuniteti, sesa individi.
Sipas Aristotelit, ajo që i mban qytetarët së bashku është lidhja afektive e ndërsjellë, afeksioni civil i përbashkët në komunitet. Bile, në thelbin e vet, është afeksioni, lojaliteti dhe miqësia që e përcakton regjimin (Kushtetutën), qëndrueshmërinë e cilësinë e tij. Për më tepër, njerëzit që ndiejnë afeksion për njëri-tjetrin, e kanë të vështirë të futen në konflikt midis tyre. Nisur nga kjo, do të ishte praktikisht kundërproduktive që njerëz pa ndonjë lidhje afektive të detyroheshin që të jetonin dhe punonin së bashku, jo më të merreshin vesh midis tyre. Në këtë mënyrë të thjeshtë Aristoteli sqaron natyrën e një përplasjeje apo konflikti politik. Por, me këtë arsyetim ai ndihmon edhe politikën shqiptare. Sidomos kur bëhet fjalë për qytetarë me afeksion të fortë kombëtar (jo atë të pompuar partiak)! Prandaj, një politikë si kjo e sotme, që e godet, deri shkelmon afeksionin kombëtar, duhet të dimensionohet për ta rivendosur atë në piedestalin e vet. Ndërkohë, mungesa e deritanishme e afeksionit minimal midis grupimeve kryesore partiake, e ushqyer në vazhdimësi gjatë gjithë periudhës së tranzicionit nga disa liderë politikë, e mban në nivele shqetësuese përplasjen apo bllokon vetë ndërveprimin në gjirin e shoqërisë, edhe pse konflikti në vetvete nuk është në natyrën e saj. Ky konflikt është gjeneruar me dashje ose pa dashje nga “manifaktura” politike, ai është i nxitur nga frymëzues sherri dhe mbështetur nga disa sharlatanë politikë e mediatikë…
Pasqyrime të këtij tensioni e konflikti janë dhe mangësitë serioze në Shqipëri në bashkëveprimin parlamentar pozitë-opozitë apo, në përgjithësi, në ndërveprimin institucional, në mungesën e mirëkuptimit midis pushtetit qendror dhe atij vendor etj. Pjesë e tij janë dhe vonesat e njëpasnjëshme në kryerjen e reformave kryesore të lidhura me proceset integruese e demokratizuese, ku ajo zgjedhore me lojën e stërzgjatur ka marrë ngjyra tepër shqetësuese.
Po të analizohet thellë situata aktuale, presioni i qartë i pushtetit individual vazhdon të sakrifikojë e dëmtojë grupin apo komunitetin; ai kërkon të bllokojë progresin shoqëror e demokratizimin kolektiv, duke e vendosur interesin e vendit nën atë të pushtetit të individit. Kjo edhe pse “Aristoteli mbi 2000-vjeçar” na mëson se ka më tepër vlerë përfitimi grupor, sesa ai individual, se më tepër epërsi ka komuniteti, sesa individi, sado i rëndësishëm qoftë ai! Aq më keq kur synohet të vendoset në piedestal egoja e arroganca, lakmia apo interesat e këtij individi, përfshirë dhe fitimin apo mbajtjen e pushtetit pa votën popullore!…

© Panorama.al

Te lidhura