E zhdukur prej 5 qershorit, identifikohet kufoma e Ishmit

Jun 13, 2011 | 10:45

Identifikohet kufoma e gjetur mbrëmjen e së premtes në anë të rrugës, në Ishëm të Durrësit.Burime policore të Durrësit kanë deklaruar se kufoma i përket shtetases Rolanda Kaja, e cila është nga Kavaja. Trupi është gjetur rastësisht në një kanal vaditës buzë rrugës në veri të qarkut të Durrësit dhe që andej është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për të zbuluar shkaqet e vdekjes së 29-vjeçares Kaja. Më datë 5 qershor 2011, familjarë të shtetases Rolanda Kaja kanë kërkuar ndihmën e policisë së Kavajës dhe të Durrësit, për ta gjetur atë pasi kishte humbur lidhjet me familjet e prindërve të saj. Kaja ishte e divorcuar dhe për këtë arsye jetonte e vetme në një apartament të marrë me qira në plazhin e Durrësit, ku edhe ushtronte punë të rëndomta. Në orët e mbrëmjes të datës 10 qershor, në anë të rrugës Ishëm-Lalëz, kalimtarë të rastit kanë identifikuar trupin e pajetë të një personi në kanal. Ata kanë vënë në dijeni Policinë, e cila me ndihmën e një mjeti të shërbimit spitalor, e ka dërguar në morg kufomën. Nisur nga sa është thënë zyrtarisht nga policia e Durrësit, mësohet se 29-vjeçarja Rolanda Kaja kishte humbur lidhjet me prindërit e saj vetëm 5 ditë para se të gjendej në kanal në komunën e Ishmit. Ajo ka qenë e veshur me bluzë me krahë të shkurtër dhe streçe, ndërsa ekspertët e kriminalistikës kanë thënë se trupi ka qenë gjysmë i dekompozuar. Fillimisht është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit dhe të nesërmen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Gjatë këtyre tri ditëve, policia ka thërritur në mjediset e saj disa familjarë të cilët kanë denoncuar vajzat e humbura kohë pas kohe. Në mesin e tyre ka qenë edhe i ati i Kajës. Pas identifikimit, mjekët e ekspertizës ligjore kanë bërë këqyrjen e trupit të pajetë, për të zbardhur shkaqet e vdekjes. Paraprakisht, thuhet se vdekja është pasojë e shkaqeve natyrore, por me shumë dyshime nga pas. Vajza ka pasur fizik të mirë dhe mosha e re e përjashton deri diku tezën e një vdekjeje natyrale, ndërsa nuk është bërë e mundur kapja e shenjave të një helmimi. Ka dyshime se e reja mund të jetë shfrytëzuar nga persona të tjerë në lokale të ndryshme të plazhit të Durrësit. Prej 3 vitesh, ajo është shfrytëzuar në lokalet e plazhit të Durrësit për të siguruar mbijetesën. Policia nuk ka dhënë asnjë shpjegim se si mund të jetë gjetur Rolanda Kaja rreth 50 km larg nga vendi ku banon dhe, pikërisht në një zonë shumë të thellë ku nuk ka hotele. Ndërkohë, vendi ku është gjetur ajo, nuk ka drejtimin as të Durrësit e as të Tiranës, përkundrazi në zonën më të thellë të qarkut, atë të Ishmit.

Jeta e 29-vjeçares pas divorcit

Rolanda Kaja, nënë e dy fëmijëve, ishte e divorcuar nga bashkëshorti tri vite më parë. Ajo është e lindur në Kryevidh të Kavajës dhe e martuar në Kavajë, por pas lindjes së vajzës, që sot është 8 vjeçe dhe djalit 5 vjeç, çifti është ndarë. Banorë të zonës dëshmojnë se në të tilla rrethana, vajza është dërguar tek prindërit e Kajës për të jetuar me gjyshin, kurse djalin e ka mbajtur i ati në Kavajë. Për shkak të pamundësisë ekonomike dhe opinionit në fshat, Rolanda Kaja është detyruar të lërë shtëpinë e prindërve dhe të gjejë një strehë në plazhin e Durrësit. 29-vjeçarja nuk ishte e arsimuar dhe kjo ia ka vështirësuar edhe më tej ekonominë. 29-vjeçarja Kaja kishte tri vite që nuk e vizitonte dot të birin, pasi djali ishte me të atin, ndërsa në fshatin e prindërve, në Kryevidh, shkonte rrallë dhe përgjithësisht natën sa për të parë të bijën. Dje, në orën 12.00, 29-vjeçarja është dërguar për në banesën e fundit. Varrimi i saj është bërë në vendlindjen e saj, në Kryevidh.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura