Alternativa që u ofroi Partia Socialiste shqiptarëve në zgjedhjet e fundit e përmbledhur në sloganin elektoral “E vetmja rrugë”, si për ironi të fatit duket se përbën të vetmen zgjidhje apo alternativë për vetë PS-në e post-zgjedhjeve. “E vetmja rrugë” sot për PS-në, pa dyshim që nuk është rruga, por besimi dhe rikthimi në institucionet kushtetuese. Kjo është rruga e vetme, e sigurt dhe e dobishme që ka nevojë vendi, shoqëria, natyrisht dhe vetë PS-ja, pavarësisht se lidershipit aktual të saj duket se nuk i vjen edhe aq për shtat. Duke mos e pranuar këtë rrugë si të vetmen alternativë të mirë jo për njërën palë apo tjetrën, por për vetë popullin, nisur nga padëshira e madhe për të mos njohur zërin e qytetarëve dhe verdiktin e institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, lidershipi i PS-së ka nisur një fushatë të ankthshme për të trumbetuar një fitore, më shumë për hir të një alibie, sesa të vërtetës reale. As më pak dhe as më shumë, por e njëjta skemë që pritej, ajo që ndodhi edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Kjo ngjan shumë me përpjekjen e mundimshme dhe të padobishme, si në mitin e Sizifit, ku heroi mitik, Sizifi, është dënuar të ngrejë gjithnjë një gur në majën e një mali, nga ku guri rrokulliset sërish poshtë dhe ai duhet ta ngrejë sërish në majë deri në përjetësi. Përmbushja e këtij qëllimi, për Ramën, duket se justifikon çdo mjet. Rama vazhdon të sillet si një hero absurd, edhe pse e di fare mirë që në këtë përpjekje të tij të pakuptimtë dhe të pavlerë për fatet e vendit ngjan veçse një Sizif.
Ai thërret, bërtet, shkruan letra, kërcënon, përdor pa asnjëfarë skrupulli dy standarde në raport me institucionet kushtetuese dhe ndërkombëtarët, i vlerëson njëherë ata dhe pastaj hedh baltë kundër tyre, kur nuk i vijnë sipas qejfit të tij. Ai shkon deri atje sa të kërcënojë integritetin e Shqipërisë dhe të ardhmen e shqiptarëve. Rama sot është heroi absurd, sepse flet kundër një Kodi që vetë e ka votuar së bashku me Berishën, linçon, kërcënon institucione dhe njerëz që janë zgjedhur dhe votuar po me bekimin e tij. Madje absurdi shkon dhe më tej po të kujtojmë faktin se lidershipi i PS-së nuk pranoi kurrsesi gjatë dy viteve të ulej në tryezën politike të kërkuar nga ndërkombëtarët për të përmirësuar ato vërejtje në sistemin zgjedhor, të lëna si rekomandime për klasën politike shqiptare nga OSBE-ODIHR pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s.
Megjithatë, në përmbushje të qëllimit që justifikon mjetin, kreu aktual, tashmë vetëm i PS-së, ka akorduar në një simfoni të vetme disa zëra, që gjithsesi, nuk janë më të pranueshmit për veshët e socialistëve të thjeshtë. Zërat e Ramës po rendin sa në një studio televizive te tjetra për t’i mbushur mendjen më shumë atij se kujtdo tjetër për të pabesueshmen. Ata thonë se fitorja e PS-së në zgjedhjet vendore “është si drita e diellit”, por nuk thonë cila ishte vlera e shtuar në këtë fitore në raport me zgjedhjet vendore të 2007-s? PS-ja ka fituar në këto zgjedhje Kavajën, Burrelin apo ndonjë tjetër bashki të dorës së dytë. Ka fituar disa komuna më shumë se në 2007-n, por, mbi të gjitha, ka humbur Tiranën, kryeqytetin e vendit, kandidat i së cilës ishte vetë kreu aktual i PS. Kjo mund të quhet pastërtisht një votë personale kundër Ramës, i cili në 2007-n, së bashku edhe me votën e LSI-së, mori një fitore me rreth 23 mijë vota më shumë se kandidati rival në Tiranë. Zërat e Ramës nuk flasin fare për afro 150 mijë vota që koalicioni qeveritar mori më shumë se ai i opozitës. Bazuar në Kodin zgjedhor aktual, kjo gjë do të thotë se nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin nesër, koalicioni qeveritar del bindshëm fitues me disa mandate më shumë se koalicioni i drejtuar nga Rama. Por, zërat e Ramës, ndryshe nga zëri i qytetarëve, prapë flasin për fitore, edhe pse nuk janë të sigurt, pasi kanë nisur të shpalosin ide dhe platforma në miniaturë, për ndryshime që ka nevojë të bëjë PS-ja që të përgatitet për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Ata kanë të drejtë, por a mund të ketë besim për të bërë këto ndryshime te një drejtues që regjistron një humbje të dytë radhazi në dy beteja elektorale, referuar votës popullore? A mund të jetë përbashkues me faktorë të tjerë të shoqërisë apo jetës politike, për të cilët flasin zërat pro Ramës kur ky drejtues ka ngjallur një mungesë të jashtëzakonshme besimi në radhë të parë te vetë të majtët?
Por këto janë pyetje që më shumë se kudo tjetër duhet të marrin përgjigje nga vetë PS-ja. Kjo është çështje që ka të bëjë me integritetin dhe jetën brenda kësaj force politike. Ajo që mbetet shqetësuese për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, është frika e Ramës për të pranuar humbjen. Sikurse ankthi për të lëshuar karrigen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, edhe pse Basha mori një shumicë të votave nga qytetarët e Tiranës, duke mundur kandidatin rival, njëkohësisht kryetar të opozitës, edhe pse hyri me një diferencë prej më shumë se 23 mijë votash pro.
Duke deklaruar një fitore të rreme, Rama synon ta tërheqë popullin opozitar në një revoltë të paqenë dhe, nga ana tjetër, vendin në një spirale krize artificiale të panevojshme. Një krizë të tillë, Rama synoi ta mbante në këmbë që pas zgjedhjeve të 2009-s, vetëm për të ushqyer interesat e tij meskine të lidhura me pozicionin e kreut të PS.
Zërat e Ramës tregohen injorues ndaj zërit të qytetarëve, thonë se nuk duhet pranuar kurrsesi verdikti i institucioneve kushtetuese dhe për këtë qëllim i duhet prishur gjumi Sali Berishës. Madje, njëri prej zërave arriti deri atje sa t’i mohonte edhe notin në Dhërmi kreut të qeverisë. Ata mendojnë se shqiptarët (të cilët duket qartë se momentalisht nuk përjetojnë ndonjë ndjenjë revolte), nuk duhet të bëjnë pushime këtë verë, sepse duhet të pushtojnë sheshet dhe rrugët. Por ata nuk thonë, edhe pse natyrshëm, duhet ta mendojnë në ndërgjegjen e tyre, se e vetmja rrugë nuk është kthimi në rrugë, por në institucione.
Pavarësisht mungesës së dëshirës, e vetmja rrugë për PS-në mbetet ajo që apeloi dhe sugjeroi Trojka, SHBA-BE-OSBE. Ky lidership, që mban në dorë për momentin, vulën e përfaqësimit të mijëra socialistëve shqiptarë në mbarë vendin, duhet të ngrihet përfundimisht mbi interesat e ngushta dhe meskine. Si forca e dytë politike më e madhe në vend, edhe pse në opozitë, PS-ja duhet të mendojë për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për të arritur këtë qëllim, PS-së i duhet “të kthehet në identitet”, duke u rikthyer te përgjegjshmëria dhe kontributi progresist që ka dhënë gjithnjë në favor të reformave pozitive që ka pasur dhe ka nevojë vendi. Kjo është “e vetmja rrugë” për PS-në. Ndërsa për vetë Ramën mund të ketë edhe rrugë të tjera…
© Panorama.al












