“E vërteta mbi procesin Andreoti”, libër rreth raporteve mafie-politikë

Aug 14, 2024 | 8:04
SHPËRNDAJE

NGA KUJTIM ABDI KUJTIM ABDI

Një libër i ri dhe i veçantë në dorën e lexuesit shqiptar. Një libër që trajton probleme aktuale dhe tepër të prekshme: “E vërteta mbi procesin Andreoti”, përkthyer e pajisur me shpjegime nga juristi dhe publicisti Zamir Poda, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë. Krahas librave të tij në fushën e drejtësisë dhe përkthimeve po në këtë kuadër, si “Riina më tregoi emrat e…”, “Totó Riina, rënia e korleonezëve”, “Një rast i humbur në luftën kundër mafies”, “Fjalët e fundit të Falkones dhe Borselinos”, “Sistemi i korrupsionit” etj., së bashku me shtëpinë botuese “Mediaprint”, sjellin për lexuesin shqiptar këtë libër tepër aktual, shkruar nga Xhankarlo Kazeli dhe Guido Lo Forte, botim i “Editori GLF Laterza”. Libri në fjalë përbën një dokument historik të rrugëtimit të gjatë e të vështirë të drejtësisë italiane përballë organizimeve kriminale.

Përvoja dhe kontributi i autorëve në këtë fushë janë të gjithanshme dhe mjaft të çmuara. Si hetues dhe prokurorë, ata kanë qenë brenda mjaft proceseve të rëndësishme të këtij lloji. Hetimet e guximshme dhe objektive, si dhe evidentimet e aktiviteteve të krimit të organizuar në shërbim të zbardhjes së të vërtetave, i kanë bërë ata shumë të njohur, si për popullin e thjeshtë, por nga ana tjetër edhe ndaj “syrit vigjilent” të organizimit mafioz sicilian të quajtur “Koza Nostra”, që jo rrallë herë i ka bashkuar forcat në kuadër të interesave reciproke me korrente të veçanta politike dhe segmente të devijuara të institucioneve. Me punën e tyre të palodhur hetimore, ata kanë renditur në mijëra e mijëra faqe dokumentuese mbi këtë organizatë kriminale: vrasjet, masakrat, rrëmbimet, korrupsionin dhe raportet me politikën e administratën publike. Libri në fjalë, me një përmbajtje prej 172 faqesh, është përkthyer profesionalisht dhe me një gjuhë cilësore nga studiuesi i apasionuar i këtij lëmi.

Përvoja relativisht e gjatë e punës në organet ligjzbatuese, pa dyshim ka shërbyer në njohjen e thellë dhe me baza të dukurisë “krim i organizuar” dhe nga ana tjetër, e ka bërë më të lehtë dhe më të kuptueshëm shqipërimin e librit. I shkruar me vizion dokumentaresk dhe me regji filmike, është montuar në mënyrë kronometrike. Në qendër të tij, figura më e njohur dhe enigmatike e politikës italiane të pas-Luftës së Dytë Botërore, Xhulio Andreoti, shtatë herë kryeministër dhe 34 herë ministër, personazhi që ka mbuluar më shumë se kushdo tjetër funksione qeverisëse.

Rreth kësaj figure tirret dendur cerga e katërkëmbëshes duke përfshirë të katërta anët e jetës së mundshme shoqërore. Duke lexuar librin, në të spikat edhe roli i një gazetarie dhe televizioni italian, jo rrallë duke i vendosur maskë false drejtësisë, gjë që përkon me kulturën e strategjisë së përgjithshme të “Koza Nostra”-s, organizatë kjo kriminale, me një strukturë të hekurt hierarkike vertikale e territoriale dhe me një kod të jashtëzakonshëm heshtjeje. Sikundër shprehen autorët e librit, është një organizim kriminal që mbart me te vërtete karakteristikat e nje shteti joligjor. Kishte nje rend te sajin juridik, te krijuar nga struktura institucionale (ne maje qendronte Komisioni, me poshte shefat e zonave dhe shefat e familjeve). Keto struktura kryenin funksione te qeverisjes dhe te “politikes se jashtme” (nepermjet te ashtuquajturave “marredhenie me jashte” me segmente te rendesishme te ekonomise, te politikes dhe te institucioneve); jo vetem te “juridiksionit” (me sanksione deri ne vrasjen e anetareve qe shkelnin “rregullat”), por edhe te vendosjes se taksave.

Me një gjuhë të pasur dhe adekuate, autorët, krahas analizës së thellë që i bëjnë aktivitetit mafioz që lidhet me këtë proces, radhisin e trajtojnë edhe marrëdhëniet mafiepolitikë, mafie-administratë publike, mafiesipërmarrje, mafie-masoneria, por edhe politikë-magjistraturë, ku kjo e fundit do të sulmohej sa herë që cenonte interesa… Kurset e hetimeve na zbulojnë se protagonistja e vërtetë e ngjarjeve tragjike, që i luan të gjitha rolet e kësaj drame, është mafia. Strukturimi saj me ekuilibrat politikë kombëtarë kalon shpesh për nga Sicilia, duke u shtrirë njëkohësisht në shumë vende të tjera të rruzullit. Episodet e ndryshme që shpalosen, të konfirmuara në rrugë gjyqësore, tregojnë se vrasjet politiko-mafioze dhe masakrat kryhen si rrjedhojë e krijimit të raporteve ekstreme, për të hequr në mënyrë të përgjakshme nga rruga, pengesat që vënë në rrezik interesa thelbësore dhe gjithëpërfshirëse të kontrolluara nga ana e sistemit të pushtetit politiko-mafioz, përfshirë këtu në mënyrë të veçantë korrentin andreotian në Sicili. Përgjegjësia e vërtetë, duke pasur parasysh dhe “kostot politike”, vjen të zbardhet nga faktet e përmendura, me të cilat ndërtohet historia e një pjese të politikës italiane, porse për të arritur ta shohim të shfaqur fytyrën e vërtetë të kësaj dopiomaske, përgjegjëse për krime të vogla dhe të mëdha, duhet ende kohë, punë dhe vetëmohim. Në veçanti prokurimet publike marrin një rëndësi strategjike për organizimin mafioz, jo vetëm për konsolidimin e potencës së tij ekonomike, por edhe për projektin e vendosjes së raporteve frytdhënëse me përfaqësues të rëndësishëm të sipërmarrjes, të financave, të administratës publike dhe të politikës. Kjo, një përzierje e frikshme dhe dërrmuese bëhet rrjedhojë vdekjeprurëse, si lëndë djegëse e sistemit pushtetor politiko-mafioz. Në kuadër të këtij aksioni të përgjakshëm e të pandalshëm do të bien nën plumbat e atentatorëve mafiozë një seri e gjatë viktimash, politikanë të ndershëm, magjistratë, sipërmarrës kurajozë, etj.. Ashtu sikurse rezulton gjatë shfletimit të faqeve të këtij libri, si rrjedhojë e hetimeve të kryera nga hetues e prokurorë, që e konsideronin veten, thjesht shërbëtorë të shtetit, del pushteti dhe egërsia e mafies.

Aty kupton se planeti mafie përbëhet nga struktura militare dhe segmente grepash të veçanta në gjirin e politikës, ekonomisë, institucioneve, kulturës, mjeteve të informacionit në masë, shoqërisë civile. Të luftohet në mënyrë efikase mafia, do të thotë të ndërhysh si tek njëra, ashtu edhe tek tjetra palë, jo vetëm në aspektin militar, si ajo që duket më e rëndësishmja, por në shumë drejtime. Tentakulat e saj të shtrira në të gjitha fushat përbëjnë me të vërtetë shtyllën e saj kurrizore, fuqinë nervore dhe koracën mbrojtëse të këtij organizimi kriminal. Ky mekanizëm lidhës mafie-pushtet është shumë i koklavitur, si ai i maces dhe miut. Ndaj sezoni i larjes së hesapeve ekuilibrohet në akrobaci ndërmjet të dyja palëve. Arrestimet dhe likuidimet karakterizohen nga njolla tragjike me sekuenca mbresëlënëse atentatesh, si në krahun mafioz, ashtu edhe në atë politiko-gjyqësor. Ky rol vendimtar dhe mjaft i rëndësishëm për jetën e vendit i ka dhënë shtysë të shkruajë edhe gjigandit të letërsisë italiane, Leonardo Shasha. Në luftën direkte me mafien dhe pjesët tumorizuese të trupit politik të shkaktuara nga infeksioni saj, protagonistë kryesore ishin Falkone e Borselino, por edhe bashkëpunëtorë te tyre, ndër të cilët edhe autorët e këtij libri. Përpjekjet për të lidhur hallkat funksionuese të organizimit mafioz dhe çuarjes deri në fund të eliminimit të tij, sikurse nënvizojnë autorët e librit, kalojnë edhe nëpërmjet aplikimit efikas të nenit 416 bis dhe institutit të të penduarve, si mjete të fuqishme për të shndërruar arkitrarin e një kulture të re hetimi dhe të një strategjie të re të sulmit ndaj organizimit mafioz.

Metodat e punës fituese të përdorura nga magjistratët e cituar sollën rezultate efektive, duke çuar mbi bankën e të akuzuarve shumë eksponentë të lartë të organizimit mafioz dhe bashkëpunëtorë të tyre nga radhët e politikaneve të korruptuar. Por nga ana tjetër, këto rezultate cenuan interesa të caktuara diku lart. Mbi magjistratët, nga një pjesë e politikës, por edhe e mediave, u hodhën sulme, shpifje, fyerje nga më të ulëtat dhe përse? Sepse protagonistët e hetimeve kërkonin thjesht e vetëm të hidhnin dritë mbi të vërtetat, sepse kishin guxuar të “trokisnin” në dyert e të paprekshmëve, sepse me hetimet e tyre kërkonin që në vend të mos kishte dy realitete, shteti dhe “Koza Nostra”, shtet brenda shtetit.

Janë emblematike fjalët e prokurorit Roberto Skarpinato, një bashkëpunëtor i autorëve të librit, kur thotë se “…realiteti qe kemi jetuar, tregon se ndryshe nga sa perseritet neper ceremonite zyrtare, kjo e keqe – mafie nuk eshte teresisht vetem jashte nesh, eshte edhe “nder ne”. Sa siper do te thote qe mafia, vrasesit dhe bashkepunetoret e tyre nuk kane vetem fytyren e shemtuar dhe te pamëshirshme te atyre qe ne skenen e krimeve kane sperkatur duart me gjak, por edhe jo pak te tjereve me shumë fytyra. Nje takem njerezish me jaka të bardha, qe kane frekuentuar te njejtat shkolla tona dhe qe mbushin sallonet me te mira: politikanë dhe funksionarë të nivelit të lartë e lokalë, që kullosin ne parcela te arta, personazhe ne majen e ekonomise e te finances e shume te tjere. Edhe pse janë evidentuar pergjegjesi penale te vertetuara nga vendimet përfundimtare qe kane kushtuar lot e gjak, ato jane anashkaluar nga retorika publike boshe dhe nga nje sistem mediatik qe, përvec’ pak rasteve, ka ndric’uar e dhene drite te gjalle vetem fytyres se planetit-mafie, nje botë e kercenimeve, zhvatjeve, e trafikut dhe e droges. Nepermjet nje selektiviteti te tille me sens unik, duke perdorur ndodhi te caktuara per te ngritur “dijenine sociale” rreth mafies, realizohet ne nje fare menyre aministi permanente per memorien si dhe amnezi kolektive…”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura