E sëmura mendore mban peng 3 fëmijët dhe bashkëshortin

Jul 11, 2011 | 12:58
Shtëpia e familjes Redhi në Marinëz të Fierit

FIER – Terrorizon tre fëmijët dhe bashkëshortin duke i kërcënuar se do t’i vriste. Rozeta Redhi, 37-vjeçarja nga fshati Marinëz i Fierit, ka mbajtur dje të izoluar për 5 orë familjen e saj. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, i shoqi i saj, Ramizi, i sapokthyer nga emigrimi, ka ndërhyrë për të marrë në kontroll situatën. Ai ka tentuar të ndalojë të shoqen duke kërkuar të qetësojë edhe fëmijët, 12, 10 dhe 9 vjeç, por gruaja, duke përdorur dhunën, e ka mbyllur edhe bashkëshortin e saj në një tjetër dhomë. Pas kësaj, tërbimi i gruas duket se ka qenë i papërmbajtshëm. Ajo ka thyer dhe shkatërruar brenda në banesë gjithçka që ka gjetur dhe i ka dalë përpara. Të parët që kanë vënë re rrëmujën e familjes Redhi kanë qenë fqinjët, të cilët e dinin problemin e gruas. Ata, sipas dëshmive që kanë dhënë, kanë kërkuar ndihmën e policisë pasi ishte e pamundur që të ndërhyje për ta qetësuar. “Ne dëgjuam britmat e fëmijëve, të cilët vetëm qanin dhe thoshin se e ëma do t’i vriste. Njoftuam menjëherë policinë, e cila erdhi me shpejtësi. Vetëm ndërhyrja e tyre e qetësoi situatën dhe brenda një kohe të shkurtër gruaja hapi dyert e kyçura”, thanë fqinjët e familjes Redhi. Ndërkohë policia ka ndërhyrë duke siguruar fëmijët dhe marrë ata në mbrojtje. Gruan e kanë çuar në Spitalin Psikiatrik në Vlorë, në të cilin merrte mjekime shpeshherë qysh prej kohës që ishte sëmurë. Megjithëse nuk ka shumë informacione nga spitali në Fier për gruan, mësohet se ajo merrte prej 5 vitesh mjekime dhe kura, të cilat i përdorte pa pushim. Ky mjekim e qetësonte dhe ishte shtruar vetëm dy herë në Spitalin Psikiatrik të Vlorës. Në pjesën tjetër të kohës ajo merrte mjekimet që i jepnin mjekët në shtëpi. Por kjo nuk ia ka zgjidhur problemin gruas së sëmurë. Fqinjët tregojnë se ajo, sapo trokiste stina e nxehtë, kishte sjellje të pakontrolluara dhe bëhej agresive edhe për fqinjët. Fëmijët, sipas banorëve të lagjes, i mbyllte shpeshherë, madje ata tregojnë se përpara një muaji i kishte mbajtur dy ditë të mbyllur brenda. Kjo kishte ndodhur në kohën kur i shoqi ishte në Greqi. Ai kishte një javë që ishte kthyer pranë familjes për t’i ndihmuar për prodhimet bujqësore të stinës. Tashmë mësohet se fëmijët do t’i kalojnë mbrojtjes sociale, çka në vijim pritet të shoqërohet me heqjen e kujdestarisë së tyre nga nëna e sëmurë.           m.r

© Panorama.al

Te lidhura