Në protestën masive ku morën pjesë mijëra shqiptarë në ditën e dhjetë, një prej folësve ishte edhe një ish-luftëtar i UÇK-së në Kosovë, me origjinë nga Mallakastra.
Teksa renditi aferat e kryeministrit, përfshi edhe ato të lojës me trojet kombëtare në kurriz të Kosovës dhe në aleancë me Serbinë dhe Vuçiç, ai i bëri thirrje kryeministrit që të dorëhiqej nëpërmjet protestës që ajo të mos përshkallëzonte më tej.
“Do mblidhemi këtu çdo ditë si shqiptarë të denjë të kësaj toke. Zvërneci ndoshta për të nuk është asgjë, por ishte përmbushja e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe tradhtisë kombëtare që ka bërë ndër vite ai me qeverisjen e tij. Thirrja Berisha në Burg Rama në burg është e gjetur sepse edhe paraardhësit e tij i kanë bërë dëme këtij kombi. I drejtoj një thirrje kryeministrit Rama, se rri në pushtet si Ramaduro dhe vazhdon të tregohet injorant dhe arrogant si Çaushesku. Mos na detyroni të marrim hapa që nuk duam t’i marrim. Ne e duam me qytetari”, tha ai mes të tjerash.
Ish-luftëtari akuzoi kryeministrin edhe për tradhti kombëtare dhe aleancë me Vuçiç në kurriz të Kosovës.
“Ke tradhtuar kombin me shumë projekte, kur ke dashur të shesësh territore, apo me projektin e BE, bashkë me Vuçiçin në aleancë. Rama nuk mund ta përdori Kosovën si kusur të vendit të tij. I bëj thirrje edhe administratës, policisë dhe ushtrisë të ngrihen me ne, të ruajnë dinjitetin kombëtar. Rama e ka për detyrë ashtu sikurse kur i vjen puna ngushtë, të japë dorëheqjen, të lejojë qeverinë teknike me intelektualë dhe akademikë. Përndryshe këto protesta kombëtare do eskalojnë, mos na detyro të ndryshojmë mënyrën e protestës sepse do e kesh më keq. Rama dorëhiqu, me lutje sepse tradhtarët nuk meritojnë lutje, tradhtarët meritojnë ndëshkim”, tha ai, duke paralajmëruar kreun e ekzekutivit.
© Panorama.al













