
ELBASAN – Provimet e fundvitit po i japin dhe studentet e mbijetuara nga tragjedia e Himarës, ndodhur më 21 maj të këtij viti, prej të cilit humbën jetën 13 persona. Mes 26 të mbijetuarve është dhe 20-vjeçarja nga fshati Gjergjan i Elbasanit, Ticiana Hysa, e cila ka probleme në këmbën e majtë. Edhe pse po mbushen 2 muaj nga ngjarja fatale për jetën e 11 shoqeve të saj, shoferit të autobusit dhe të fejuarit të njërës prej vajzave, Ticiana është ende e shokuar. Mjekët i kanë thënë që të mos shqetësohet, të jetë e qetë dhe të përpiqet të harrojë atë pasdite të 21 majit. Por, në fakt, kjo është mjaft e vështirë për Ticianën, e cila humbi në këtë aksident tragjik dy mikeshat e saj, Joana Debinjën dhe Griselda Zenelin. Gjendja e saj bëhet akoma më e vështirë kur i duhet që të shkojë në Universitetin e Elbasanit, aty ku për 3 vjet rresht ndoqi fakultetin me shoqet që tashmë nuk jetojnë më. “Kam shkuar në shkollë, edhe pse nuk arrij të mësoj dot. Sa herë që hap librat e shkollës më kujtohet ai aksident tragjik. Nuk dua të shkoj në universitet, nuk mund ta shoh më atë godinë, më tremb. Sa herë që kam shkuar, përpara syve më del gjithë historia, që nga nisja, në ambientet e shkollës që na priste autobusi, deri në momentin kur edhe u aksidentuam. Në datën 19 korrik kam diplomën, dhe masterin shkencor do të përpiqem ta zhvilloj në Tiranë, pasi nuk mund të hyj dot në ambientet e asaj shkolle kur dikur hyja me shoqet e mia që tashmë nuk janë më”, thotë Ticiana. m.s











