E majta i dhuron Këshillin Bashkiak PD-së

Jul 14, 2011 | 12:10
Ish-kryebashkiaku dhe kryetari i ri, Stefan Çipa, gjatë ceremonisë

SARANDE – Të majtët ia kalojnë votën kandidatit të “Aleancës për qytetarin” për postin e kreut të Këshillit Bashkiak të Sarandës. Ndonëse e majta përbën shumicën, pasi raporti është 13 me 12 anëtarë ndërmjet dy aleancave, Ilir Nikolla, avokat i propozuar nga e djathta, siguroi 13 vota, përballë mjekes Enkelejda Vasili, me 12 vota. Edhe votimi për nënkryetar të Këshillit nxori fitues kandidaturën e Luftar Hasanllarit i LSI-së, më 13 vota. Po dje, gjatë konstituimit, kryebashkiaku Stefan Çipa mori zyrtarisht detyrën. Momenti më kulmor ishte dorëzimi i shiritit të kreut të Bashkisë dhe i kalimit të pushtetit vendor nga Edmond Gjoka, tek Stefan Çipa. Prania e ish-kryetarit Gjoka në këtë moment dhe fjala e tij ka qenë një model qytetarie. Ai simbolikisht i dha bashkë me shiritin edhe një stilolaps për të firmosur aktet e zhvillimit të Sarandës. Kryebashkiaku Çipa falënderoi për këtë mënyrë të përcjelljes së mandatit qeverisës dhe siguroi se do të punojë për të zgjidhur problematikat e komuniteteve. Nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, ndër të tjera përshëndeti përfshirjen e elementit femër në Këshillin Bashkiak të Sarandës, në një të pestën e tij. Në mbledhjen e zhvilluar dje ishin të pranishëm deputetet e majtë, Arben Malaj, Luiza Xhuvani, kryebashkiaku i Himarës Gjergji Goro etj.

© Panorama.al

Te lidhura