Trajneri i Realit të Madridit, Jose Mourinjo, kërkon të shmangë presionin te futbollistët në prag të superndeshjes së parë të Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës. Portugezi i paraprin një humbjeje të mundshme, duke theksuar se nuk do të ndikojë në ecurinë përgjatë gjithë sezonit, madje shkon deri aty sa e pranon dështimin, me kusht që të besuarit e tij të shpallen sërish kampionë të La Ligas. “Nëse do të kisha mundësi zgjedhjeje, do të firmosja humbjen në Superkupën e Spanjës dhe të fitoja kampionatin. Superkupa është më pak e rëndësishme nga katër trofetë që kemi mundësi të fitojmë dhe nuk mendoj se një humbje e mundshme do të ndikojë në vijimësinë e sezonit. Mes dy klubeve rivale, siç janë Reali dhe Barcelona, ekziston gjithmonë dëshira për fitore”, ka thënë ai. I pyetur se si e sheh Barcelonën e Tito Vilanovës krahasuar me atë të sezonit të kaluar që pati ulje-ngritjet e saj, Mourinjo u përgjigj: “Për mua është Barcelona dhe pikë, jo Tito Vilanvoa apo Pep Guardiola. Është një skuadër që ka të njëjtët futbollistë, ka stilin e saj, që mund të ndryshojë në bazë të karakteristikave të lojtarëve që vijnë, por mbetet sërish Barcelona. Nuk shoh ndonjë ndryshim nga ajo e vitit të kaluar”. Mourinjo e pranon se Reali i Madridit nuk është ende gati për të vënë hegjemoninë në futbollin europian, që deri një vit më parë i përkiste Barcelonës. “Nuk mund të flitet për hegjemoni të një skuadre në Europë, nëse nuk e ka fituar dy herë rresht Champions-in. Nëse nuk gaboj, në dekadat e fundit asnjë skuadër nuk e ka arritur këtë sukses, ndaj nuk mund të pranoj që Barcelona e kishte vendosur hegjemoninë apo që Reali do ta vendosë nëse e fiton Champions-in”.
Barça e para me kupa, Reali me fitore
Sot do të jetë finalja e parë e Superkupës së Spanjës, takim i cili do luhet në “Camp Nou” në orën 22:30. Barcelona është skuadra që ka fituar më shumë trofe të Superkupës, gjithsej 10, ndërsa Reali është në vendin e dytë, me 8 të tillë. Por statistikat flasin se në 10 ndeshjet e fundit të Superkupës mes Barçës dhe Realit janë madrilenët që prijnë me pesë fitore, Barcelona me tri, ndërsa janë arritur edhe dy barazime. Kjo kupë do jetë shansi i parë për Tito Vilanovën në drejtim të Barcelonës.











