“E kanë kuptuar që bllokimi nuk ekziston”- Opozita bashkoi votat me mazhorancën, Rama: Procesi është i pandalshëm! Së shpejti lajmi për mbylljen e kapitujve

May 17, 2026 | 9:46

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur bashkimin e forcave politike opozitare me qeverinë për miratimin e një rezolute që lidhet me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

edi rama

Ai e cilësoi këtë moment si të rrallë, por pozitiv, duke theksuar se opozita dhe shumica qeverisëse votuan së bashku në mbështetje të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Në shënimet e javës, në podkastin “Flasim”, kreu i qeverisë u shpreh se edhe opozita e ka kuptuar se nuk ka bllokim të negociatave.

“Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston”, tha Rama.

Sipas tij, procesi i integrimit është i pandalshëm, ndërsa pritet që Shqipëria të kalojë në faza të reja të negociatave me hapjen dhe më pas mbylljen e kapitujve.

“Së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur”, deklaroi kryeministri Rama.

© Panorama.al

Te lidhura