“E futën në birucë pa kapotë dhe batanije”/ Dënimi në gjyqin special më 1945 i Koço dhe Akile Tasi, fati i dhimbshëm i dy vëllezërve

Apr 25, 2024 | 13:20
SHPËRNDAJE

Kalvari i gjatë në kampet burgje në vitet e para të regjimit komunist deri te vitet e tmerrshme në burgun e Burrelit prej nga mundi të dalë i gjallë vetëm njëri prej vëllezërve, ndërsa vëllai tjetër vdiq në burg dhe eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë. Ky ishte fati i dhimbshëm i dy vëllezërve nga Përmeti Koço dhe Akile Tasi.

vellezerit tasi

Koço Tasi ishte jurist, ligjvënës dhe autor i dorëshkrimeve të ndryshme juridike (15 maj 1889 – 15 maj 1966). Ai lindi më 15 maj 1889 në Leusë të Përmetit. Më 1903-1906 emigroi në Rumani dhe më pas, më 1906- 1913 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet 1913- 14 u kthye në Shqipëri, ku nisi punën si avokat dhe u bë anëtar i “Krahut Kombëtar”. U zgjodh deputet i Prefekturës së Gjirokastrës në Këshillin Kombëtar të Shqipërisë nga 21 prill 1921 deri më 30 shtator 1923. U emërua nënministër i Punëve të Brendshme, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Punëve Botore. Përkrahu “Lëvizjen e qershorit” më 1924 në Përmet dhe më pas u emërua prefekt i qeverisë ‘Noli’ në Gjirokastër.

Me triumfin e Legalitetit emigroi në Greqi deri më 1941. Atje shkroi teoritë e tij për “shoqëritë e krishtera”. U arrestua nga komunistët më 17 nëntor 1944 dhe me 13 prill 1945 u dënua nga Gjyqi Special me burgim të përjetshëm dhe punë të rëndë. Lirohet pas 20 vitesh, në tetor të vitit 1964. Familja e tij në mars të vitit 2011 boton një libër nën titullin “E drejta e shkruar në burg”. Kjo vepër është një përmbledhje dorëshkrimesh juridike, të cilat Koço Tasi i shkroi në Burgun e Burrelit. “Vepra e vogël” siç e quante ai vetë, e shkruar në gegnishte u gjet në vitet 90 nga një ish-i burgosur i Burrelit, Çaush Çoku i cili e kishte ruajtur atë deri atëherë. Ai është gjithashtu autor i shumë shkrimeve të tjera të cilat kanë mbetur të pabotuara. Sipas të birit të tij, Koço Tasi vazhdoi të shkruante deri në ditët e fundit të jetës së tij. Vdiq në 15 maj të vitit 1966.

VDEKJA

Akile Tasi është vëllai i Koço Tasit. Arsimin e mesëm e nisi në Përmet dhe e mbaroi në Boston, ku emigroi më 1906. Atje u aktivizua me federatën “Vatra” dhe bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Është i pranishëm në gazetën “Dielli”. Më 1929 kthehet në Shqipëri dhe më 1 tetor të atij viti emërohet bibliotekar i Oborrit Mbretëror. Më 1932 dhe deri më 1941 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. U largua nga Tirana dhe qëndroi në Përmet. Më 1943 u zgjodh deputet i Kuvendit Kombëtar dhe u emërua po ashtu drejtor i gazetës “Bashkimi i Kombit”.

Më 1944 u emërua ministër i Kulturës Popullore. Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria në vitin 1944. Në fillim të dhjetorit 1944 i dorëzohet forcave partizane në Shkodër. U dënua me 20 vjet burg në Gjyqin Special të 1945-s. Dënimin e vuajti në kampet e punës të Maliqit, Bedenit, Vloçishtit dhe në burgun e Burrelit. Tasi vuante nga mëlçia e zezë, në burg kaloi edhe botkinin. Pasi doli nga infermieria ku kishte marrë kurat e botkinit, e futën në birucë pa kapotë dhe batanije. Iu theksuan gjendjet e mëparshme të mëlçisë e botkinit dhe komplikacioni iu kthye në cirrozë. Nuk iu pranua asnjë lutje me shkrim; i sëmurë, ndërroi jetë pas tre muajve, më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës.

PROPOZIMI

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si organ i lartë shtetëror dhe i pavarur, bazuar në ligjin organik nr. 45/2015, (i ndryshuar) dhe në aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij, si dhe në ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për arkivat”, me qëllim rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit dhe edukimit qytetar, është angazhuar për përkujtimin dhe nderimin e personave të dënuar politikisht, gjatë regjimit komunist, për vlerat njerëzore që mbartën dhe transmetuan gjatë përndjekjes. Në këtë kuadër dhe me fokus Dialogun Lokal mbi të shkuarën, mbi vlerësimin me tituj nderi, “Për merita të veçanta civile”, nga Këshilli Bashkiak apo Kryetari i Bashkisë, referuar nenit 54, shkronja “m”, ligji nr. 138/2015, si dhe mënyrë të veçantë nenit 3, të ligjit 112/2013 ku theksohet se: “dhënia e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit, udhëhiqet nga parimet e vlerësimit të kontributit, meritokracisë, transparencës dhe mirënjohjes publike”, AIDSSH vendosi t’i propozojë Bashkisë së Lushnjës, dhënien e titullit të nderit, Lekë Tasi, për rezistencën dhe dinjitetin njerëzor të treguar gjatë përndjekjes politike dhe aktivitetit të tij në dokumentimin e së shkuarës.

Kjo në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe si përgjegjësi e shoqërisë së sotme për nderimin e personaliteteve njerëzore, në kuadër të rezolutës nr. 11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, miratuar nga Kuvendi më 30.10.2006, dhe rezolutave të miratuara nga Këshilli i Evropës e Komisioni Evropian. Askush nuk mund të kthehet pas në kohë, për të vënë në vend padrejtësitë e atij sistemi, por ne kemi një mision shumë të rëndësishëm: t’i analizojmë me objektivitet dhe paanshmëri dëshmitë dhe faktet e së shkuarës, në mënyrë që të mos e lejojmë veten dhe shoqërinë që të bëjë sërish të njëjtat gabime. Ruajtja e kujtesës, nëpërmjet dekorimit sa janë ende gjallë, të personave të cilët pavarësisht vuajtjeve, kanë dhënë një kontribut të pashembullt, është në përputhje të plotë me qëllimin e këtij misioni.

INTERNIMI

Lekë Tasi lindi më 15 prill 1929. Punoi violonçelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Pas Revolucionit të qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi.

Arrestohet dhe dënohet në gjyqin special në vitin 1945. Xhaxhai Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës, me profesion gazetar, vdiq në burgjet e diktaturës.

Leka u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, 1975-1990. Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik “Grabjani rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009, një burim parësor informacioni për brezat e ardhshëm mbi jetën e të internuarve. Aktiviteti i tij kryesor është piktura.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura