NGA REDI SHEHU
Ja ku jemi më në fund, pas tri vitesh aciditet demokratik brenda partisë më të madhe opozitare dhe risia më e madhe, kulmi i kumtit dhe narracioni politik përmblidhet në faktin se vetëm pas 34 vitesh berishizëm, Sali Berisha u kurorëzua përsëri kryetar legjitim i Partisë Demokratike. Opozita duket shumë premtuese. Partia Demokratike më në fund mori statusin e një enti stërgjyshëror politik plot me ide dhe vizione të reja. Zgjedhjet e ardhshme politike, edhe pse disa muaj larg, duken në rezultat si të ngrira, ngjashëm me një fotografi bardh e zi të së shkuarës, ku personazhet nuk janë përditësuar me modelin e ri të shfaqjes politike. Për më tepër, opozita në këto zgjedhje nuk vjen siç rëndom jemi mësuar me një bosht kryesor rreth të cilit mblidhen partitë e vogla opozitare. Ajo, (opozita) tashmë na shfaqet si një kostelacion individualitetesh opozitare në formë të shumëfishuar rreth dëshirës së vakët për fitore.
Zgjedhjet e ardhshme shëmbëllejnë më shumë me një garë punësimi politik, ku individë apo grupime të së djathtës së shkërmoqur, kërkojnë të zënë një vend në skenografinë e shëmtuar politike tonën. Deputetë të mandatit të vjetër, të cilët janë në garë për t’u bërë pjesë e ansamblit të këngëve dhe valleve berishiste. Deputetë të tjerë të ikur nga Basha, të cilët mirazhi zhgënjyes i këtyre dy viteve të fundit i ka bërë të kërkojnë ujë në shkretëtirë. Deputetë të larguar me parti të re politike, të cilët provojnë të bëhen pjesë e kategorisë superiore për të pasur një vend në parlament. Deputetë të fosilizuar nga historia si kryetarë partish të vogla, që duan ta provojnë edhe kësaj herë me shpresë se do arrijnë moshën e dinozaurëve.
E më në fund, vetë Basha si ikonë e pamjaftueshmërisë në kërkim të një bregu shpëtimi pas tufanit shkatërrues berishist. Spektri i djathtë vjen në këtë prag zgjedhje politike jo si një alternativë pushteti, por si një masë më heterogjene se kurrë në kërkim të identitetit të vet. Pas asaj që ndodhi me Foltoren dhe më pas me Rithemelimin, ky thërrmijëzim i mendimit dhe praktikës politike të së djathtës dukej se ishte i pashmangshëm. E goditur politikisht në formë të herëpashershme këto 12 vitet e fundit nga Rilindja, opozita e djathtë nuk arriti ta rishpikte veten në formatin e një skuadroni intelektual vlerash dhe risish, të cilat do ta gjunjëzonin CV-në problematike të maxhorancës. Po të shikosh thelbin e Rithemelimit të famshëm, do konstatohet se lista e “forcave speciale” elektorale të PD-së nga 12 qarqe, gjashtë të tilla do të drejtohen nga ish-politikanët e Bashës, për të cilët rëndonte akuza e Foltores si bashkëpunëtorë në shitjen, humbjen dhe shpërfytyrimin demokratëve në zgjedhje përmes pazareve me Ramën.
Angazhimi i tyre në listën e krerëve politikë të PD-së në qarqe, tregon se Berisha ose ka gënjyer në lënien e fajit të humbjeve kësaj skuadre të Bashës, ose ai me vetëdije mbledh rreth vetes pikërisht, ata të cilët do ta çojnë drejt humbjes me sukses të plotë. Ndarja e tyre në qarqe jo vetëm që surprizon vetë demokratët, por nuk i përshtatet as logjikës më elementare elektorale. Kaq mjafton për të kuptuar se për Berishën, qëllimi primar janë primaret brenda partisë dhe jo primarja e pushtetit politik, me qëllimin e vetëm atë të unitetit të çeliktë rreth tij. Elektorati i djathtë, i cili këto tre vjet u luhat mes pasionit dhe bojkotit, mes dyshimeve dhe pesimizmit, në këto zgjedhje do të ketë përballë disa alternativa brenda së djathtës, të cilat edhe pse bartin sëmundje të vjetra të sistemit, përsëri tentojnë të nxjerrin nga varri votat e bojkotuara këto vite.
Përveç garës tradicionale mes votës së majtë dhe asaj të djathtë, në këto zgjedhje do të kemi edhe garën mes votës Berishë dhe anti-Berishë brenda të njëjtit spektër të djathtë votuesish, gjë që e bën përplasjen e filluar me Foltoren, të mos ketë mbaruar, por të ketë kaluar në një dimension të ri elektoral, ngase këto janë zgjedhjet e para të rëndësishme politike që pas skizmës së 9 shtatorit. Ishte e pashmangshme që e djathta dhe vetë Partia Demokratike do të duhej të kalonin përmes procesit të “shkatërrimit konstruktiv” dhe Berisha vetëm sa po e vonon dhe e tejzgjat këtë proces. Nuk mund të vazhdonte gjatë një parti e cila nuk kishte asgjë të djathtë, bile as edhe logon. Kërkesa për të një të djathtë substanciale, e cila reflekton shpirtin e asaj mase popullsie, e cila e kërkon një gjë të tillë, erdhi duke u intensifikuar sa më shumë votuesit shqiptarë zhyteshin në sfidat e shoqërive moderne. Ja ku jemi tani pas 34 vitesh marrjes peng të së djathtës nga berishizmi, në domosdoshmërinë e mbylljes së procesit degradues, shkatërrues, të saj për të kaluar në fazën e dytë atë të ndërtimit të domosdoshëm.
Me pak fjalë, ne jo vetëm që kemi kaluar një tranzicion të gjatë politik tonin, por në të njëjtën kohë kemi kaluar një tranzicion po aq të gjatë brenda vetë së djathtës me kosto të lartë degradimi. A do jenë këto zgjedhje një pikë kthese drejt ndërtimit të saj? Këtë është herët ta themi, por ama një gjë duket qartë, se procesit degradues të së djathtës po i vjen fundi, duan apo nuk duan gardianët e vjetër të komunizmit demokratik.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al