
Ushqim i kontrolluar dhe aktivitet fizik, pa u sforcuar shumë. Palestra dhe dietat mund t’i keni edhe në shtëpi. Mjaftojnë ca udhëzime e ca parmakë shkallësh, ku të bëni ca ushtrime për të forcuar muskujt. Një grup prej 8 specialistësh ju këshillojnë përmes librit “Sekrete bukurie dhe mirëqenieje”
E bekuara verë, sa e bukur dhe e këndshme është, aq e pabesë tregohet në ruajtjet e “sekreteve”. “Abuzon” një çikë me ushqimin njeriu i shkretë gjatë dimrit e pranverës, kurse ajo e pabesa të tregon me gisht celulitin që të shpërthen ngado e nuk e mbulon dot me pallto e ndonjë këmishë me mëngë të gjata. Ja aty tek krahët kanë vajtur të gjitha fetat e bukës, që i thoshe vetes se do t’i pakësoje, por që sa herë zgjasje dorën për të marrë gjysmë, merrje një e gjysmë.. Tek ato dongrrat që të shpërthejnë mbi gjunjë kanë shkuar çokollatat, bakllavaja, kadaifi… (lëre tani..). Si i bëhet hallit?! Një dietë e kontrolluar, e shoqëruar nga aktiviteti fizik, quhet. Vetëm me çmimin e një libri mund t’i kesh të gjitha në shtëpi. Nuk është keq ta provojmë një herë. Shtëpia botuese “Pegi” sapo ka botuar librin “Sekrete bukurie dhe mirëqenieje”, në faqet e të cilit gjenden qindra këshilla e teknika të dobishme për të ndihmuar gratë që shqetësohen për linjën, bukurinë dhe mirëqenien e tyre. Një libër, fryt i bashkëpunimit të tetë ekspertëve të fushave të ndryshme: 2 dietologë, 1 psikoterapist, 1 gastroentorolog, 1 kirurg plastik dhe estet, 1 instruktor sportiv, 1 restaurues dhe 1 stiliste. Faqet e këtij libri janë të ndara në tri seksione: dietetika, gjimnastika dhe bukuria. Lexueset do të gjejnë me qindra këshilla mbi dietat, si të ushtrohen e të mbahen në formë edhe në vendin e punës dhe se si të kujdesen për tualetin dhe bukurinë e tyre. Një libër që u vlen të gjitha femrave mbi 15 vjeçe.
Nga ky libër po ju shkëpusim disa këshilla të thjeshta, por që thonë se bëjnë punë. Nja dy këshilla si të ushqeheni shëndetshëm e pa vënë tule e se si të forconi muskujt e vitheve e të kofshëve, që pasqyra të mos ju nxjerrë gjuhën kur t’ju shohë.
Barku, vithet dhe kofshët: zonat më të rrezikuara
Dobësoni pjesën e barkut, rrumbullakosni vithet dhe kofshët, përmirësoni formën tuaj, duke hequr të gjithë kilogramët e tepërt… Strategjitë e dobësimit që ju ndihmojnë për t’i ruajtur këto pjesë, sigurisht që nuk mungojnë. Si fillim provoni…
Të rimodelojmë vithet
Pozicioni fillestar: Rrini në këmbë sipër shkallëve, këmbët drejt dhe të bashkuara, shpinën mbajeni drejt dhe dorën e majtë vendoseni mbi parmakun e shkallëve.
Lëvizja: Lëvizeni këmbën e djathtë ngadalë, duke e mbajtur të shtrirë nga pas, duke u përpjekur të mos ulni bustin nga ana e kundërt. Përsëriteni ushtrimin 20 herë për çdo këmbë.

Të forcojmë muskujt e vitheve
Pozicioni fillestar: Shtrirë në tokë, me krahë të shtrirë e të tendosur përgjatë trupit dhe me pëllëmbë drejtuar nga dyshemeja. Këmbë të mbledhura në 90 gradë. Mbështetur në mur ose në një trung peme.
Lëvizja: Ngrini pjesën e legenit sa më lart që të jetë e mundur. Duke kontraktuar muskujt e vitheve dhe më pas uluni vetëm disa centimetra nga toka. Përsëriteni ushtrimin 20 herë.

Të rimodelojmë vithet, që të shmangim rënien e tyre
Pozicioni fillestar: në këmbë, mbështetur mbi dorën e majtë në lartësinë e ijës dhe dorën e djathtë mbështetur tek ija, këmba e majtë drejt.
Lëvizja: Ngrini sa më lart të jetë e mundur këmbën e djathtë, duke e përthyer këmbën nga e majta. Rrini në këtë pozicion për 5 sekonda. Rikthehuni në pozicionin fillestar. Përsëriteni ushtrimin 10 herë nga secila anë.

Të tërheqim pjesën e brendshme të kofshëve
Pozicioni fillestar: Qëndroni drejt me këmbët e bashkuara, shpina drejt, ndërsa muskujt e barkut të shtrënguar, duart shtrijini përpara.
Lëvizja: Përthyeni këmbën e djathtë me gjurin nga jashtë dhe vendoseni mbi kofshën e majtë me drejtim nga jashtë. Ruajeni këtë pozicion për dhjetë minuta. Më pas ndërroni këmbën. Përsëriteni ushtrimin tri herë për secilën këmbë.

Të tonifikojmë kofshët
Pozicioni fillestar: Qëndroni përballë një karrigeje, këmbën e djathtë mbështeteni mbi karrige, ndërsa këmbën e majtë vendoseni në tokë, e majta qëndron e shtrirë në majë të gishtave mbi dysheme, ndërsa shpina mbahet drejt.
Lëvizja: Përthyeni këmbën e majtë sa më shumë të jetë e mundur. Ruajeni këtë pozicion për 10 sekonda dhe më pas ndërroni këmbën. Përsëriteni ushtrimin 5 herë për çdo këmbë.

© Panorama.al1,5 litra ujë në ditë
Trupi ynë përbëhet nga më shumë se 60% ujë. Ai ruan disa rezerva ushqimore (sheqerna dhe yndyrna), por gjithashtu, duhet të rregullojë vazhdimisht nivelin e përgjithshëm të ujit të gjithë organizmit. Pra, pirja e ujit është e domosdoshme, sidomos kur bëjmë aktivitete sportive, pasi uji që përmbajnë ushqimet (frutat dhe perimet) nuk është i mjaftueshëm. Kështu që… pini sa më shumë!











