E bleu Shqipëria, rrëzohet para dorëzimit helikoteri

Jul 27, 2012 | 12:22

Vendi ku u rrëzua helikopteri të mërkurën

Vdesin 2 pilotët e 4 inxhinierët. Ministria anuloi ceremoninë e dorëzimit.

Aksidenti në testin e fundit, dyshohet kontakt me telat e tensionit.

Një prej helikopte-rëve të porositur nga Ushtria Shqiptare në Francë nga prodhuesi “Eurocopter” u rrëzua në Alpe, ndërsa po bënte testin e fundit përpara se të dorëzohej në Shqipëri. Këta helikopterë njihen si mjete shumë të forta e përdoren për misione ushtarake, si dhe për të transportuar personalitete VIP dhe krerë të politikës në shumë vende të botës. Ministria e Mbrojtjes dje anuloi ceremoninë e pritjes së helikopterit, i cili do të mbërrinte në Tiranë të enjten. Shkaqet e rrëzimit të helikopterit janë ende nën hetim dhe skuadra të specializuara janë dërguar nga Franca në vendngjarje për të zbardhur aksidentin tragjik, që u mori jetën gjashtë personave që ndodheshin në bord, përfshirë inxhinierë dhe pilotë të kompanisë prodhuese, “Eurocopter”. Aksidenti ndodhi rreth orës 13:40 me orën lokale, në rajonin malor të Francës Juglindore, të mërkurën, në një sektor të Verdon Gorge, rajoni Alpes-de-Haute-Provence afër kufirit me Italinë, sipas Policisë lokale. Hetimet e para kanë treguar se helikopteri mund të ketë goditur një kabllo elektrik. “Eurocopter”, një njësi e grupit europian aero-hapësinor “EADS”, konfirmoi në një deklaratë se helikopteri i rrëzuar ishte një “Cougar AS532 AL” dhe në bordin e tij ishin gjashtë persona. Avioni ishte rrëzuar pak kohë pasi ishte ngritur nga një heliport afër qytetit port-mesdhetar, Marsejës, për një test të fundit përpara se të dorëzohej. Ushtria Shqiptare kishte porositur pesë helikopterë të tillë. “Aksidenti ka ndodhur në një zonë shumë të vështirë dhe kjo po komplikon punën tonë”, tha Benoit Gounine, një oficer i Policisë lokale për “Reuters”. Sipas stacionit radiofonik francez, “Europe 1”, helikopteri Cougar që ishte i destinuar për Ushtrinë Shqiptare, po ndiqej nga një tjetër helikopter në kohën e aksidentit. Dëshmitarë të ngjarjes pohuan se helikopteri kishte goditur një kabllo elektrik dhe më pas ishte rrëzuar mes flakësh, poshtë, në buzë të lumit. Një skuadër zjarrfikësish dhe një skuadër ngjitësish shkuan menjëherë në vendngjarje. Po ashtu edhe një helikopter me pajisje mjekësore.
Në faqen e “Eurocopter” helikopteri përshkruhet si pajisje ushtarake që mund të transportojë 25 trupa apo të përdoret për misione kërkimi e shpëtimi, evakuime mjekësore apo misione në raste zjarri, mes të tjerash.
Dëshmitarja
Laurence Fortini, pronarja e një hoteli në fshatin Aiguines, tha në telefon për “Associated Press” se ajo kishte vrapuar për në tarracën e hotelit sapo kishte dëgjuar një zhurmë të fortë, të pazakontë dhe më pas kishte parë helikopterin që po binte në lumin poshtë kanionit. “Ai u rrëzua disa qindra metra poshtë”, tha ajo dhe shtoi se një zjarrfikës i kishte thënë se “preku një kabllo EDF (elektrik)”. Njerëzit që qëndronin në këtë hotel, të cilët kishin ndërprerë drekën për të parë aksidentin, fillimisht kishin menduar se dikush ishte hedhur nga helikopteri, por në të vërtetë ishte një pjesë e mjetit që ishte shkëputur dhe kishte rënë poshtë. Ai preku bregun e lumit dhe shpërtheu. U shkrumbua i tëri. Kishte shumë tym të zi”, tha Fortini.

Rinas, mbërrin vetëm një helikopter
Ministria e Mbrojtjes njoftoi dje në mëngjes anulimin e ceremonisë që do të zhvillohej në Aeroportin e Rinasit për ardhjen e dy helikopterëve të parë nga Franca. Kjo për shkak se njëri prej helikopterëve “Cougar” u rrëzua në kufi me Italinë gjatë testeve të fundit që po bëheshin nga kompania franceze përpara se t’i dorëzoheshin shtetit shqiptar. “Ceremonia e parashikuar me rastin e ardhjes sot në Aeroportin e Rinasit (pjesa ushtarake) të dy helikopterëve të prodhuar në bazë të kontratës me kompaninë franceze ‘Eurocopter’, e cila do të zhvillohej në Komandën e Forcave Ajrore në Rinas, nuk do të zhvillohet për shkak të aksidentit të ndodhur dje në alpet e Francës me helikopterin ‘Cougar’”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë. Ndërkohë burime nga ky institucion bëjnë të ditur për gazetën se gjatë ditës së djeshme mbërriti helikopteri “EC-145”. Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë franceze “Eurocopter” për të blerë gjashtë helikopterë me vlerën 79 milionë euro. Sipas marrëveshjes, përveç këtyre të dyve që ishin parashikuar të vitin dje, dy të tjerë do të mbërrijnë brenda vitit, një në vitin 2013 dhe i fundit më 2014-n.

Të dhënat e helikopterit
• Modeli – AS532 Cougar
• Kompania – Eurocopter
• Me dy motorë
• Peshë e mesme
• Ekuipazh: Dy pilotë
• Kapaciteti: 25 trupa
• Gjatësia: 15.53 m
• Diametri: 15.6 m
• Lartësia: 4.92 m
• Zona e diskut: 206 m²
• Pesha bosh: 4 350 kg
pesha maksimale: 9 000 kg
• Motorë: 2 × Turbomeca Makila 1A1 turboshaft,
1,185 kw
• Shpejtësia: 247.8 km/h
• Largësia: 573 km
• Norma e ngjitjes: 7.2 m/s
• Lartësia e kabinës: 1.55 m
• Gjerësia e kabinës: 1.80 m
• Gjatësia e kabinës: 7.5 m
• Serbatori: 2.020 litra
• Modeli pasardhës – EC725.
• Çmimi: 21 milionë dollarë
• Prodhuar: Nga viti 1990, Francë

© Panorama.al

Te lidhura