“E besuam vërtet rrëmbimin e Griseldës”

Jun 12, 2011 | 10:46
Elvis dhe Griselda Roshi

Familjarët e Elvis Roshit duket se e kanë besuar si të  vërtetë “rrëmbimin” e Griselda Zaimit 10 ditë më parë.Vëllai i kryebashkiakut të Kavajës ka qenë njeriu i parë që ka takuar Griselda Zaimin menjëherë pas kthimit të saj nga Tirana, ku ajo pretendoi se ishte rrëmbyer e detyruar të lindte fëmijën më 1 qershor. Tronditja e Griselda Zaimit, mënyra se si ecte, dëshpërimi që shfaqte dhe të qarat teksa përqafonte të afërmit si dhe barku i shfryrë, i shtyu familjarët e kryebashkiakut të Kavajës të besojnë historinë e Griseldës. Pas kthimit të saj në banesë në Kavajë, aty ndodheshin kunati Sajmiri me të shoqen Fatbardhën. Në polici ata kanë treguar se shqetësimi kryesor i tyre atë natë ka qenë foshnja, për të cilin Griselda tregonte se e kishin detyruar ta lindte dhe ia kishin rrëmbyer. Ata kanë thënë se vazhdimisht e kanë pyetur Griseldën në lidhje me fëmijën. Dy dëshmitarët kanë treguar se herë pas here i afroheshin 28-vjeçares që ta preknin te barku, e pyesnin nëse kishte dhimbje, por ajo ishte shumë e tronditur dhe vetëm qante. Për këtë arsye, pavarësisht se ajo këmbëngulte që të mos denonconin në polici, ata kanë parë si zgjidhjen më emergjente kontaktimin e forcave të policisë për të bërë kallëzim rreth ngjarjes. Sajmir dhe Fatbardha Roshi kanë deklaruar për grupin hetimor se në asnjë moment nuk kanë dyshuar te fjalët e Griseldës, mënyra se si ajo e shpjegonte me detaje ngjarjen që i kishte ndodhur, për ta ishte shumë bindëse. Dhe më shumë se kaq, ata i shqetësonte gjendja e saj fizike, pasi ecte dhe qëndronte si një grua që sapo kishte lindur fëmijën.
DESHMITE
Saimir Roshi dhe gruaja e tij janë marrë në pyetje në Polici në lidhje me ngjarjen. “Ka qenë ora diçka më shumë se 04:00 e mëngjesit, kur Griselda ka trokitur në derë dhe është futur brenda duke qarë. Ajo mezi ecte, dukej sikur çalonte, qante dhe ishte e shpërfytyruar. Mbi të gjitha e kishte barkun e shfryrë dhe kjo na shqetësoi më shumë”, kanë dëshmuar në Polici, kunati i Griselda Zaimit, Sajmir Roshi dhe bashkëshortja e tij, Fatbardha. “Griselda më përqafoi dhe qante në supin tim. E pyesja pa pushim se çfarë i kishte ndodhur, ku e kishte djalin, por ajo nuk fliste. I afroja dorën te barku dhe ma largonte. Nuk doja që ta prekja, vetëm qante”, ka deklaruar Fatbardha, kunata e saj. Ndërsa më pas, ajo ka dëshmuar se Griselda i ka kërkuar fillimisht që të fliste me Elvisin, pasi donte t’i tregonte atij të parit se çfarë i kishte ndodhur. Por më pas e kanë bindur që të tregojë çfarë kishte, ku e kishte fëmijën dhe më pas do ta lajmëronin ata Elvisin që ishte në Itali. Në deklarimet e tyre, kunati dhe kunata e Griseldës kanë dëshmuar se ajo tregonte duke qarë gjithë historinë, duke nisur nga Tirana. U ka treguar që dy persona e kanë goditur dhe e kanë hipur në një makinë të zezë në afërsi të qendrës “Kristal”, më pas e kanë dërguar në një vend ku e kanë detyruar ta lindë fëmijën dhe më pas e kanë hedhur në rrugë disa metra larg shtëpisë. “Pavarësisht insistimit të saj për të mos denoncuar në Polici, një ngjarje kaq e tmerrshme nuk mund ta zgjidhnim ne. Ishte e nevojshme që të bënim kallëzim, donte, apo nuk donte ajo”, ka deklaruar Sajmir Roshi. Pasi kanë qetësuar disi Griseldën, të cilën e kanë bindur që të shtrihet e të pushojë, rreth orës 05:00 të mëngjesit Sajmiri i ka telefonuar Elvisit, duke i kërkuar të kthehej nga Italia, sepse kishte ndodhur një aksident. Pas disa orësh, i ka bërë edhe një telefonatë të dytë dhe i ka treguar se Griselda kishte pësuar një aksident dhe ka humbur fëmijën.

Hetimi, ende i hapur tek Krimet e Rënda

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ende në hetim dosjen e hapur pas denoncimit të bërë në Policinë e kryeqytetit nga Griselda Zaimi dhe kunati i saj, Sajmir Roshi, vëllai i kryebashkiakut të Kavajës. Pas rënies së pistës së rrëmbimit, prokuroria mori në pyetje 28-vjeçaren, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë pranoi se kishte sajuar historinë dhe kallëzimin për rrëmbim. Nisur nga ky fakt, por nxitur edhe nga gjendja emocionale e mendore e paqëndrueshme e protagonistes së ngjarjes, prokuroria ka vendosur t’i bëjë asaj një ekspertizë specifike mendore. Ekspertiza do të rreket të kuptojë nëse në momentin kur pretendoi se ishte rrëmbyer, 28-vjeçarja ka qenë e vetëdijshme se po jepte në polici një dëshmi të rreme, që parashikohet si krim nga ligji. E gjithë dinamika e ngjarjes ka qenë e tillë që pas qëndrimit në Tiranë nën shoqërinë e një mikeshe, Griselda Zaimi shkoi në një hotel tek stadiumi “Selman Stërmasi”, ku pasi u përball me faktin se nuk ishte shtatzënë, hoqi jastëkun nga pjesa poshtë e rrobave dhe tentoi vetëhelmimin. Më pas, ajo u kthye në shtëpinë e kryetarit të Bashkisë së Kavajës dhe pretendoi se ishte rrëmbyer. Për t’i qëndruar këtij versioni, ajo dha deklarime në polici disa orë më vonë se rrëmbyesit e kishin detyruar të lindte dhe i kishin marrë fëmijën. Një ditë më vonë, pas analizave mjekësore u verifikua se Griselda Zaimi nuk kishte qenë dhe nuk mund të mbetej shtatzënë. Nisur nga kjo dinamikë e ngjarjes dhe deklarimet kontradiktore e të paqëndrueshme të 28-vjeçares, prokuroria ka vendosur që me ekspertizë të përcaktojë nëse ajo mban përgjegjësi apo jo.

Elvis Roshi: E kisha vetëm të dashur

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, gjatë një interviste për gazetën “Panorama” një javë më parë, tregoi se Griseldën e kishte pasur vetëm të dashur dhe nuk kishte bërë ndonjë plan për martesë me të. Kryebashkiaku i Kavajës tregon se Griselda ishte e sëmurë nga depresioni, madje kishte tentuar disa herë të vriste veten. Elvis Roshi hedh poshtë pretendimet e të afërmve të 28-vjeçares për idenë e një dasme që pritej në qershor, duke u shprehur se me të nuk e kishin diskutuar asnjëherë martesën. Ndërsa faktin se nuk kishte informacion të saktë mbi “shtatzëninë” e Griselda Zaimit, ai e argumenton duke përmendur sërish krizat e saj nervore, që e pengonin ta pyeste për diçka kur ajo nuk donte të fliste. Gjithashtu, Elvis Roshi tregon se katër muajt e fundit, madje dhe diçka më shumë se katër muaj, nuk kishte pasur kontakte me Griseldën, pasi ajo qëndronte te prindërit e saj në Tiranë dhe komunikonte me të vetëm në telefon. “Unë e kisha thjesht të dashur atë. Me Griseldën nuk kishim diskutuar ndonjëherë për martesë. Në rastet kur e pyesja për gjëra që lidheshin me shtatzëninë, ajo bëhej nervoze, kishte kriza dhe unë kisha frikë se mund të vriste veten”, tregonte Elvis Roshi gjatë intervistës, një javë më parë.

Griselda: Me jastëk, vetëm muajin e fundit

Gjatë dëshmisë së saj në Prokurori, Griselda Zaimi ka sqaruar momentin kur ka mësuar se nuk do të bëhej dot nënë, pas dështimit të një fëmije dhe më pas kontrollin mjekësor te klinika “Ikeda”, ku mësoi që nuk mund të mbetej shtatzënë. Ajo ka treguar se shtatzëninë e saj e stimuloi për të ruajtur lidhjen me Elvis Roshin. Vazhdimisht në deklarimin e saj i referohet kryebashkiakut të Kavajës me termin bashkëshort, edhe pse shprehet se të dy ishin të fejuar dhe nuk ishin celebruar ende zyrtarisht. Ideja për t’u shtirur sikur ishte shtatzënë, i lindi kur filloi të shëndoshej dhe t’i fryhej barku. Griselda tregon se jastëkun e ka mbajtur nën rroba në bark vetëm muajin e fundit, ndërsa më përpara nuk ka vendosur asgjë për të rënë në sy si shtatzënë. Sipas saj, gjatë kësaj kohe ajo ishte shëndoshur mjaftueshëm sa për t’u dukur si e tillë. Gjatë deklarimeve të saj, Griselda tregoi se në një moment Elvis Roshi e ka pyetur: “Çudi si nuk ke bark t’i…?” dhe ajo e ka shmangur përgjigjen duke e bërë të fejuarin e saj të besonte se sjellja e tij mund t’i bënte dëm fëmijës. Ndërsa historinë e rrëmbimit tregon se e ka sajuar, sepse nuk dinte se çfarë të bënte tjetër, pasi kishte ardhur një moment që e vërteta do të zbulohej dhe nuk dinte si ta shpjegonte faktin që nuk ishte shtatzënë.

“Rrëmbimi” i Griseldës rezultoi simulim

Më datë 1 qershor, qytetarët e tronditën nga një ngjarje që për aq kohë sa u dyshua si e vërtetë, rezultonte të ishte krimi më i rëndë i ndodhur në Shqipëri, por edhe në vendet ku grupet e krimit të organizuar kryejnë edhe masakra të rënda. Lajmi se gruaja e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, shtatzënë në muajin e 9-të, ishte rrëmbyer, ishte detyruar të lindte, i ishte rrëmbyer fëmija dhe më pas ishte hedhur në rrugë, u përhap me shpejtësi dhe ngriti në këmbë të gjitha strukturat shtetërore. Në Polici e në Prokurori ishte bërë një kallëzim që Griselda Zaimi, e supozuar shtatzënë, që priste të lindte për pak ditë, ishte rrëmbyer me 31 maj te qendra “Kristal”, nga dy persona që e kishin futur në një makinë me xhama të zinj. Më pas, ishte transportuar në një “klinikë” ku e kishin detyruar të lindte foshnjën e saj dhe, pasi i kishin rrëmbyer “djalin”, e kishin hedhur në një rrugicë pranë shtëpisë së Elvis Roshit, në Kavajë. Veprimet hetimore të kryera në një kohë rekord zbuluan të vërtetën në më pak se 24 orë nga denoncimi i ngjarjes. Në momentin kur Prokuroria arriti në përfundimin dhe deklaroi zyrtarisht se Griselda Zaimi nuk ishte rrëmbyer, një tjetër e vërtetë u zbulua nga Mjekësia Ligjore, që hodhi poshtë edhe shtatzëninë e 28-vjeçares.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura