
Erjon Bogdani qetëson tifozët: Çezena është 4 pikë pas Sienës, se bëri merkato emrash.
Sulmuesi: Mbijetesa s’arrihet me emra, por me grintë.
Te Siena prisnin Filipo Inzagin në merkaton e janarit, por drejtuesit preferuan të rikthenin sulmuesin shqiptar, Erjon Bog-dani. Në daljen e parë në konferencë si lojtar i Sienës, shqiptari është munduar të qetësojë tifozët: “S’jam Inzagi, por nuk do t’ju zhgënjej”.
Bogdani rikthehet te Siena, pas eksperiencës që pati në 2005-2006 (11 gola në 34 ndeshje) dhe në fazën e parë të 2006-2007 (2 gola në 15 ndeshje). Ai nuk natyrisht nuk është një kampion Bote, por për mediat italiane shihet si një nga të paktët lojtarë që ka luajtur në këtë kampionat dhe ka shënuar kudo ku ka shkuar dhe në çdo kompeticion të mundshëm. Nga gushti i 2000 në Itali, Bogdani ka vënë siglën e tij në mjaft skuadra duke filluar që nga Rexhina, Salernitana, Verona, Kievo, Livorno, Çezena dhe së fundmi Siena. “Duhet të kuptoni të gjithë se në fushë nuk shkojnë emrat, por lojtarët. Kush luan, duhet gjithsesi të luftojë dhe vrapojë përgjatë gjithë lojës dhe në gjithë perimetrin e fushës, pasi në të kundërt, objektivat, në rastin konkret mbijetesa, nuk arrihen. Te Çezena bënë një merkato në verën e 2011-s duke u nisur më së shumti nga emrat e lojtarëve, por ja që sot janë 4 pikë më poshtë sesa Siena dhe në luftë të jashtëzakonshme për të mbijetuar, paçka se në fillim të sezonit me ata që erdhën në skuadër, flitej se mund të arrihej më kollaj e me qetësi qëndrimi në Serie A, pikërisht nisur nga emrat. Por ja që gabohen”, ka pohuar Bogdani. Ndërkohë, ai pohon se ndihet i lumtur që është kthyer në Toskanë dhe beson se kjo skuadër mund të qëndrojë në Serie A. “Pata kontaktet e para me drejtuesit e Sienës diku nga mesi i janarit dhe, kur erdhi telefonata, pranova menjëherë. Ajo që më bëri më shumë përshtypje dhe më shtoi dëshirën për t’u rikthyer te kjo skuadër, ishte grinta që pashë te Siena e profesor Saninos. Kur luajta përballë Sienës me fanellën e Çezenës (ndeshja përfundoi 2-0 për senezët), pashë ndryshimet që ekzistonin midis skuadrave dhe kapacitetin që kishte Siena për të qenë më lart se Çezena. Unë jam i sigurt se, nëse kjo skuadër do luajë e vrapojë në fushë sikundër bëri në Torino ndaj Juventusit, e ka të sigurt qëndrimin në Serie A”, ka përfunduar Bogdani.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











