Ndërsa Policia e Tiranës po vijon hetimet dhe kërkimet për autorët e dyshuar të rrëmbimit dhe zhdukjes së 34-vjeçarit, Eglant Koçi, ngjarje e ndodhur më 4 qershor, zbulohet edhe foto e një prej të dyshuarve.
Bëhet fjalë për të kërkuarin Armand Shakaj, që e shihni edhe në foton kryesore.
Në pranga është vënë shtetasi Enea Zyferi dhe në kërkim është shpallur autori i dyshuar që mendohet se ka rrëmbyer të riun, 41-vjeçari, Armand Shakaj.
Blutë e kryeqytetit sqarojnë se nga hetimet është bërë e mundur gjetja e motorit të 34-vjeçarit, si dhe janë ushtruar kontrolle në ambientin ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit, por edhe ambiente të tjera, por deri tani nuk është gjetur.
Sipas policisë, nga ky ambient ka dalë më pas autori i dyshuar, i cili mund ta ketë transportuar 34-vjeçarin me automjet.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar i riu Koçi është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia njofton se kërkimet për gjetjen e 34-vjeçarit vijojnë me intensitet, ndërsa po punohet edhe për lokalizimin dhe arrestimin e personit të shpallur në kërkim.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
“Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., 34 vjeç, i denoncuar nga familjarët si i humbur.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim policor 41-vjeçari që dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.
Arrestohet një 25-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.
Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.
Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K. Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit. Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve”.
© Panorama.al














