Humbja ndaj Buduç-nostit shkaktoi jo pak polemika në Vlorë, teksa tifozët nuk ngurruan të hedhin akuza për një trukim të mundshëm të ndeshjes.Gjithashtu, edhe trajneri Gugash Magani dyshonte, pasi disa lojtarë nuk i zbatuan detyrat.
Nisur nga kjo situatë, drejtuesit e klubit vlonjat u vunë menjëherë në lëvizje. Mësohet se janë kontrolluar shumë njësi bastesh për të kuptuar nëse kishte apo jo ndryshime të koeficientit të ndeshjes para dhe pas golit të dytë. Në këtë mënyrë, drejtuesit e Flamurtarit nisën një farë hetimi ndaj basteve të vëna për ndeshjen e së enjtes. Burime të sigurta konfirmojnë se klubi vlonjat ka marrë informacion të hollësishëm nga kompani bastesh në Tiranë dhe Elbasan. Nga ana tjetër, nuk ka munguar informacioni nga Mali i Zi dhe Greqia. Por, nga ky hetim, krerët e klubit kuqezi nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë provë që mund të linte dyshime të forta. Nuk dihet nëse lojtarë të veçantë do të pyeten nga drejtuesit në lidhje me ndeshjen. Më së shumti, reparti i mbrojtës ka qenë në qendër të kritikave, sidomos për golin e dytë të malazezëve. I kontaktuar dje nga “Panorama”, shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi, konfirmoi lajmin se është marrë informacion nga kompanitë e basteve në lidhje me ndeshjen Flamurtari-Buduçnost. “Po, është e vërtetë që ne si klub jemi interesuar te kompanitë e basteve. Sigurisht, kur një klub detyrohet të bëjë një analizë me ekipin, merr edhe shumë gjëra parasysh. Sigurisht, shikon së pari anën teknike dhe faktorë të tjerë të jashtëm. Ju bëj me dije se pasi verifikuam disa gjëra, ne u qetësuam. Ndeshja jonë në kompanitë e basteve nuk është se kishte ndonjë lëvizje të madhe. Pak rëndësi ka për ne se çfarë flasin në opinion, sepse këtu tek ne është zakon. Edhe gjatë kampionatit kemi dëgjuar lloj-lloj zërash. Nëse ka diçka konkrete, prokuroria aty është dhe mund të veprojë. Ne si klub nuk mund të akuzojmë njeri, pasi në radhë të parë i bëjmë dëm vetes sonë. Për pak ditë kemi një tjetër ndeshje ndaj Jablonecit, e cila është shumë më e rëndësishme se ajo që luajtëm të enjten. Nuk është vendi për t’u marrë me thashetheme dhe për t’i rënë në qafë një personi pa fakte duke e akuzuar kot”, ka thënë Çipi.











