Dyndje për pushime nga Greqia, 7600 emigrantë në Kakavijë e Kapshticë

Jul 2, 2012 | 15:02
Pika e kalimit kufitar e Kapshticës

GJIROKASTER/KORÇE – Dita e parë e muajit korrik shënoi në pikat kufitare të Kakavijës e Kapshticës një numër të konsiderueshëm emigrantësh që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri. Në raport me vitin paraardhës, kthimi i tyre ka ndodhur një muaj më shpejt dhe kjo shpjegohet edhe me krizën ekonomike që ka mbërthyer vendin fqinj. Bashkë me ta ka pësuar rritje edhe numri i vizitorëve të huaj, që dëshirojnë të kalojnë pushimet në vendin tonë. Burimet policore nga stacioni kufitar i Kakavijës bënë të ditur se prej orës 01:00 të së dielës e deri në orët e pasdites, pra përgjatë 14 orëve të para të datës 1 korrik, kanë ardhur përmes kësaj nyje kufitare 3600 shtetas shqiptarë, me banim të përkohshëm në Greqi, ndërkohë që nuk kanë munguar as të huajt ,të cilët numërohen 600 vetëm të dielën. Pala shqiptare në Kakavijë ka punuar me tri sportele në hyrje dhe po kaq në dalje dhe në ndonjë rast, si ai i orës 06:00, është shtuar edhe një tjetër sportel, si pasojë e rëndesës së fluksit. Ndërsa pala greke ka punuar me dy sportele në hyrje dhe po kaq në dalje. Edhe stacioni kufitar i Tre Urave në Përmet ka pasur fluks. Gjatë së dielës, janë shfaqur edhe radhë të personave që rrugëtonin drejt Greqisë. E njëjta situatë paraqitej ditën e djeshme edhe në pikën kufitare të Kapshticës. Sipas të dhënave të marra pranë pikës doganore, në 24 orët e fundit kanë hyrë në vend 4000 emigrantë me 1800 mjete, ndërsa pritet që gjatë ditëve në vijim fluksi të rritet. Pala shqiptare aktualisht operon me gjashtë sportele në hyrje dhe dy në dalje, ndërsa pala greke vetëm me tri të tilla.                           p.n/dh.d

© Panorama.al

Te lidhura