Dy zyrtarë me miliona të padeklaruara

Feb 9, 2012 | 11:32

Adriatik Llalla

Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurive kallëzon penalisht 14 zyrtarë për fshehje e mosdeklarim të pasurisë.

Gjyqtari fshehu llogaritë bankare, tatimori nuk deklaroi 188 mijë USD.

Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive kallëzon penalisht 14 zyrtarë për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, si dhe gjashtë të tjerë i ka gjobitur për shkelje të rregullave të deklarimit. Në një njoftim të përgjegjësit të marrëdhënieve me publikun, Albi Serani, thuhet se nga 14 zyrtarët që janë ndjekur penalisht, dy prej tyre kanë fshehur pasurinë dhe 12 të tjerë nuk e kanë deklaruar atë.
Fshehja e pasurisë
Sipas njoftimit për mediat, në përfundim të hetimit administrativ, ILDKP ka kërkuar nisjen e procedimit penal ndaj Shyqyri Çobos, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat. “Është konstatuar: deklarim i rremë i vlerës së apartamentit me sip. 120 m2 në Lagjen Nr. 4, Rr. ‘Skënderbeu’, Durrës, blerë në shumën 7 900 000 lekë, të cilin subjekti e ka deklaruar në shumën 6 000 000 lekë (me një diferencë prej 1 900 000 lekësh); mosdeklarim i detyrimit dhe shlyerjeve të pagesave për blerjen e apartamentit në shumën 7 900 000 lekë; deklarim i rremë dhe mungesë e burimit financiar për krijimin e kësaj pasurie. Mosdeklarim të llogarisë, vlerave përkatëse dhe burimeve të krijimit të tyre në emër të bashkëshortes në Tirana Bank. Mosdeklarim të depozitës në BKT, në shumën 1 907 196 lekë dhe burimeve të krijimit të tyre në emër të bashkëshortes”, thuhet në njoftimin për shtyp. E njëjta masë është marrë edhe për Mehmet Gugën, me funksion inspektor i Drejtorisë së Tatim-Paguesve të Mëdhenj. “Në përfundim të veprimeve verifikuese ka rezultuar se subjekti nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurisë së tij, si edhe ka fshehur: Transaksione bankare, që arrijnë në vlerën 188 500 dollarë; fshehje të aktivitetit privat (në emër të djalit të tij), shitblerjes të pjesëve në kapital të shoqërisë ‘GURRA’ sh.p.k. në vlerën 15 242 499 lekë dhe veprime fiktive në lidhje me marrëdhëniet e subjektit deklarues me këtë shoqëri; fshehje të aseteve, pasuri të paluajtshme: magazinë të bimëve, dy kate, me sip. ndërtimi 360 m2 dhe sip. trualli 360 m2; depo bimësh, 3 kate, me sip. ndërtimi 2250 m2; tokë truall me sip. 2200 m2; tokë truall me sip. 560 m2; tokë truall me sip. 815 m2; tokë truall me sip. 840 m2; mosdeklarim i një objekti dhe ndërtese me sip. 85m 2 dhe sip. trualli 300 m2, në Sarandë; si edhe dy automjete, me vlerë përkatësisht 13 000 euro dhe 330 000 lekë”, vijon më tej njoftimi për shtyp. Në të njëjtën kohë janë kallëzuar edhe 12 kryetarë dhe ish-kryetarë komunash e bashkish, të cilët kanë refuzuar të deklarojnë pasurinë. ILDKP-ja ka vendosur gjithashtu gjobë deri në 30 mijë lekë për gjashtë zyrtarë të niveleve të ndryshme, të cilët kanë kryer shkelje gjatë deklarimit të pasurisë.

Zyrtaret qe fshehen pasurine
Kallëzimet penale

1. Dule Koka                             Doganier, Kakavijë
2. Aleksandër Çela                   Kryetar i komunës Dardhas, Pogradec
3. Bujar Ibrahimi                    Kryetar i komunës Qendër-Piskovë, Përmet
4. Rrahman Demaj                 Kryetar i komunës Tërthore, Kukës
5. Hristo Duci                   Kryetar, komuna Dropull i Sipërm, Gjirokastër
6. Gjergji Doçi                   Kryetar i komunës Dajç, Lezhë
7. Martin Lazri                   Kryetar i komunës Guri i Zi, Shkodër
8. Vuksan Çardaku              Kryetar i komunës Llugaj, Tropojë
9. Lekë Bibaj                        Kryetar i Komunës Hajmel, Shkodër
10. Jakup Sefolli                Ish-Kryetar i komunës Fajzë, Has
11. Mark Ruçi                         Ish-Kryetar i Bashkisë Rubik
12. Kastriot Begaj                 Ish-Kryetar i Bashkisë, Librazhd
13. Shyqyri Çobo               Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat
14. Mehmet Guga             Inspektor i Drejtorisë së Tatim-Paguesve të Mëdhenj

Gjoba
1. Qani Shema                         Kryetar, Përmbarimi Sarandë
2. Agron Selimaj                  Inspektor, D. R. Tatime, Fier
3. Nexhmi Torra                       Inspektor, D. R. Tatime, Korçë
4. Petrit Tare                        Drejtor, Ujësjellës-Kanalizime, Korçë
5. Mariglen Murataj               Përmbarues, Përmbarimi Gjirokastër
6. Mustafa Turku                  Prokuror, Prokuroria e Rrethit Elbasan

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura