Dy vjedhje brenda ditës, dënohet me 1 vit burg

Jun 11, 2012 | 13:40
Gjykata e Tiranes

TIRANE – Një vit burg i ka kushtuar një të riu vjedhja dy herë radhazi brenda një dite, e kryer ndaj dy shtetaseve në Tiranë. Brenda një dite, në të njëjtin vend, i akuzuari për vjedhje u ka marrë dy shtetaseve të ndryshme celularin dhe paratë që kishin me vete. Mënyra se si vepronte i pandehuri i kësaj çështjeje, ishte origjinale. Ai bënte sikur ecte shkujdesur e përplasej me “viktimën” e radhës dhe në këtë moment rrëmbente sendin apo paratë. Më pas kërkonte ndjesë dhe largohej. Ngjarjet kanë ndodhur më datë 23 maj 2012, rreth orës 12:00, kur është kapur në flagrancë dhe është arrestuar i pandehuri Elton Mehmeti, lindur më 02.09.1992 në Elbasan dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje në dëm të shtetaseve Z.Sula dhe I. Çerkezi. Sipas akuzës, më 23 maj 2012, rreth orës 09:00, I. Çerkezi ka qenë duke lëvizur në këmbë në vendin e quajtur Rruga e Kavajës, për të shkuar në shtëpinë e saj, pasi kishte mbaruar punë në një nga filialet e bankave që ndodhen në këtë rrugë. Gjatë lëvizjes së saj është përplasur me një person që ishte në moshë të re, i cili pas përplasjes i ka kërkuar falje dhe është larguar menjëherë. Pas këtij incidenti, ajo ka shkuar në shtëpinë e saj dhe ka konstatuar se i mungonte celulari i markës “Samsung”, që kishte me vete dhe e mbante në xhepin e xhaketës. Pas këtij konstatimi, ajo është paraqitur në organin e policisë dhe ka bërë kallëzimin përkatës. Në të njëjtën ditë, rreth orës 11:00, kur shtetasja Zyra Sula ka qenë duke lëvizur në këmbë në vendin e quajtur rruga “Bardhyl”, ka ndier që një person i ka futur dorën në xhepin e veshjes së saj dhe i ka vjedhur në xhep dy kartëmonedha 500- lekëshe. Nisur nga sa më sipër, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marrë të pandehur shtetasin Elton Mehmeti duke e akuzuar për veprën penale të “vjedhjes”, kryer më shumë se një herë. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se identifikimi i personit është bërë me anë të ballafaqimit të tij me gratë të cilave u kishte vjedhur celularin dhe paratë.

© Panorama.al

Te lidhura