
Marklen Haka, i dyshuar nga prokuroria si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zeneli mbrëmjen e 13 qershorit në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet, do të qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të hetimeve.Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 22-vjeçarin e akuzuar për “vrasje me paramendim dhe plagosjes në rrethana të cilësuara”. Në seancën e djeshme, një tjetër vendim gjyqësor liroi nga qelia Lutfi Hakën, babanë 59-vjeçar të Marklenit, të akuzuar për “armëmbajtje pa leje”. Sipas prokurorisë, Marklen Haka ishte identifikuar si vrasës i Nadien Zenelit nga dëshmitarë të ngjarjes. Ky pretendim ndërkohë është kundërshtuar e hedhur poshtë dje në sallën e gjyqit nga i arrestuari.
Dy pjesëtarët e familjes Haka u arrestuan më 28 qershor pranë banesës së tyre në fshatin Nikël të Krujës. Sipas policisë, nga hetimet e kryera rezultonte se Marklen Haka mund të ishte autori i vrasjes së Nadien Zenelit, 32 vjeç, nga Bulqiza. Në të njëjtën ngjarje u plagosën edhe Taf Mandri dhe Bledar Miha. Menjëherë më pas prangat iu vendosën edhe babait të tij, pasi gjatë kontrollit në banesë u zbuluan disa armë që mbaheshin pa leje.
SEANCA
Në dy seanca të zhvilluara njëra pas tjetrës, babë e bir u mbrojtën dje në sallën e gjyqit nga një avokat kryesisht të caktuar nga gjykata. Të pyetur nga kryesuesi i seancës nëse kishin avokatë apo jo, 22-vjeçari iu përgjigj se “nuk kam njoftuar njeri, kam edhe babën në burg”. Ndërsa Lutfi Haka, së njëjtës pyetje iu përgjigj me “nuk dua avokat fare”. Në akt-akuzën e paraqitur para gjyqtarit Arjan Aliaj, prokurori Shpëtim Kurti tha dje se procedimi penal për Marklen Hakën ka nisur pas deklarimeve të dëshmitarëve në vendin e ngjarjes. “Nga dëshmitarët pranë vendit të ngjarjes janë marrë karakteristikat e autorit”, tha prokurori. Po sipas tij, është bërë një ballafaqim për njohje mes dy dëshmitarëve okulare, të cilat kanë identifikuar Marklenin si autor të ngjarjes. “I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Marklen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Por, pas verifikimeve të antenave të linjës celulare ka rezultuar se ai ndodhej në Tiranë natën e ngjarjes dhe pranë këtij vendi”, u shpreh përfaqësuesi i akuzës. Vetë 22-vjeçari mohoi nga qelia e sallës së gjyqit. “Më ka marrë policia më datë 14 qershor. I thanë nja dy vajzave aty: ‘A është ky ai personi?’. Ato thanë: ‘Jo, se ai (autori) kishte mjekër’. Tani s’e di unë, jam dakord me çfarë tha avokati dhe nuk kam gjë për të shtuar”, u shpreh i dyshuari Haka. Më herët, avokati i tij mbrojtës pretendoi para gjykatës se prokuroria nuk kishte prova për të përfshirë Marklen Hakën në vrasjen e Nadien Zenelit. “Ndërsa armët në shtëpi i ka pasur babai i tij dhe jo Markleni. Kërkoj një masë sigurie më të butë se ajo e arrestit me burg”, u shpreh avokati Ergys Hysi. Në seancën e mëvonshme për të arrestuarin Lutfi Haka, prokurori i kërkoi gjykatës caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij. Në përfundim, gjykata vendosi vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë për dy të dyshuarit dhe caktimin e masave të sigurisë, përkatësisht “arrest me burg” për Marklen Hakën dhe “detyrim paraqitjeje” për Lutfi Hakën.
“Vrasja e Nadien Zenelit, hakmarrje për Roland Hakën”
TIRANE – Ekzekutimi i Nadien Zelelit me armë zjarri në distancë të afërt mbrëmjen e 13 qershorit në zonën e ish-Bllokut në Tiranë dyshohet se ka për motiv hakmarrjen. Të paktën kështu u shpreh zyrtarisht Policia e Tiranës pas arrestimit të Marklen Hakës, të dyshuar si i përfshirë në autorësinë e vrasjes. “Vrasja e shtetasit Nadien Zeneli dyshohet të jetë bërë për motive gjakmarrjeje, pasi viktima dyshohej nga familja e shtetasit Marklen Haka si autor i vrasjes së shtetasit Roland Lutfi Haka, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004 në Krujë”, tha Policia e Tiranës ditën e arrestimit. Bëhet e ditur se Roland Haka, vëllai i Marlen Hakës, është vrarë mbrëmjen e datës 10 qershor 2004 teksa po darkonte me disa miq të tij në një lokal në Fushë-Krujë. Pasi dikush e ka telefonuar, ai është ngritur nga tavolina për të dalë më pas në pjesën e parkingut të lokalit. Në këtë moment, persona të paidentifikuar e kanë qëlluar me breshëri automatike duke e lënë të vdekur në vend. Sipas burimeve policore, familja e Roland Hakës kishte dyshime se ka qenë biznesmeni i kromit Nadien Zeneli ai që i kishte telefonuar Roland Hakës për ta nxjerrë në pritë. Biznesmeni Zeneli kishte njohje të mëparshme me Roland Hakën për shkak se ai ishte i martuar me një vajzë nga fisi Haka. Në atë kohë, i arrestuari i para pak ditëve për vrasjen e Zenelit, Marklen Haka, ishte vetëm 13 vjeç. ar.ba
Zbulimi me celular
Veç dëshmisë së dhënë nga dy vajzat që kanë qenë të pranishme në vendin e ngjarjes në tavolinën e Nadien Zenelit, grupi hetimor i kësaj vrasjeje ka edhe një provë tjetër të rëndësishme ndaj të arrestuarit Marklen Haka. Sipas verifikimeve të kryera nga policia gjyqësore, celulari i të riut është regjistruar në vendndodhje pranë vendit ku u vra Nadien Zeneli, dhe kjo ka ndodhur mbrëmjen e datës 13 qershor, kur ndodhi edhe atentati. Sipas policisë dhe prokurorisë, kjo është një provë e rëndësishme në lidhje me akuzën për të cilën po hetohet Marklen Haka.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











