
Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj shtetasit Marklen Haka, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Nadien Zeneli në zonën e ish-Bllokut në Tiranë më 13 qershor.I riu që u arrestua tri ditë më parë, do të dalë sot para gjykatës si person nën hetim për akuzën e “vrasjes me paramendim dhe plagosjes në rrethana të cilësuara”. Në kërkesën e Prokurorisë së Tiranës është theksuar se 22-vjeçari Marklen Haka, lindur dhe banues në Nikël të Krujës, duhet të mbahet në arrest me burg deri në fund të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij për vrasjen e Nadien Zenelit. Policia pretendon se dy vajzat, që kanë qenë në tavolinë me 32-vjeçarin që u vra me tre plumba, kanë bërë identifikimin e autorit të krimit. Një paraqitje për njohje pritet të bëhet nga Policia dhe Prokuroria mes autorit të krimit dhe dy vajzave që ndodheshin në tavolinë me Nadien Zenelin natën e vrasjes. Kjo duket se do të jetë prova kryesore që do të përcaktojë edhe faktin e hetimit të kësaj çështjeje. Për shkak të afatit ligjor të masës së sigurisë, Prokuroria e kryeqytetit ka dorëzuar dje në Gjykatë edhe kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për shtetasin Lufti Haka, 59 vjeç. Ai ra në pranga gjatë arrestimit të djalit të tij, pasi nga kontrolli në banesë u gjet dhe u sekuestrua një armë pa leje. Organi i akuzës ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë për dy të arrestuarit, por duke mbajtur në burg 22-vjeçarin dhe në arrest shtëpie babain e tij.
Hetimi
Marklen Haka mësohet se e ka mohuar autorësinë e vrasjes për të cilën po hetohet. Ai ka shprehur madje edhe një alibi në lidhje me ngjarjen, duke thënë se nuk është ndodhur fare në Tiranë në kohën kur u vra Nadien Zeneli. Megjithatë, për këtë pikë policia dhe Prokuroria kanë prova të forta për të kundërtën. Telefoni celular i Marklen Hakës ka pulsuar në zonën ku ndodhej edhe Nadien Zeneli mbrëmjen e 13 qershorit, kur ndodhi vrasja në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Deri më tani policia ka pohuar se Marklen Haka përputhet me përshkrimin e dhënë për vrasësin nga dy vajza që ndodheshin në tavolinë me Nadien Zenelin dhe dy miqtë e tij që mbetën të plagosur. Megjithatë, mësohet se i ndaluari 22-vjeçar, anëtar i familjes Hakaj në Krujë, ende nuk është përballur me dy dëshmitaret e ngjarjes. Prokuroria po kërkon prova të forta, pasi edhe vetë vajzat kanë dëshmuar se natën e ngjarjes, në momentin kur Nadien Zeneli u qëllua me armë, ato kanë pasur shumë frikë dhe janë tronditur rëndë. Dy dëshmitarët kanë pohuar se, sapo dëgjuan krismën e parë në lokal, janë shtrirë poshtë tavolinës nga frika e armës së zjarrit, pa mundur të fiksojnë shumëçka nga autori i krimit. Policia ka pohuar se vrasësi e qëlloi Nadien Zenelin brenda në lokal, në distancë të afërt, tri herë me pistoletë.
Hakmarrja për vrasjen e Roland Hakës në 2004
TIRANE – Biznesmeni i kromit, Nadien Zeneli, ndodhej në një lokal në zonën e Bllokut në Tiranë me dy miq të tij dhe dy vajza kur u qëllua për vdekje me armë zjarri. Krimi ndodhi rreth orës 21:40 në lokalin që ndodhet në rrugën “Ismail Qemali”, Tiranë. Biznesmeni 32-vjeçar ndodhej në pjesën e përparme të lokalit, në kohën kur një person është afruar aty dhe ka qëlluar disa herë me pistoletë. Si pasojë e ngjarjes, është vrarë me armë zjarri pistoletë Nadien Faik Zeneli, 32 vjeç, lindur në Ternovë, Dibër, e banues në Fushë-Krujë, ndërsa janë plagosur shtetasit Tafë Ukë Mandri, 23 vjeç, dhe shtetasi Bledar Nazif Miho, 25 vjeç, të cilët menjëherë pas ngjarjes u dërguan në Spitalin Ushtarak Tiranë. Rreth dy javë pas ngjarjes, pikërisht tri ditë më parë, forcat speciale të policisë në një aksion të zhvilluar në Krujë vunë në pranga shtetasin Marklen Haka. Policia dyshon se i riu e ka vrarë biznesmenin Nadien Zeneli për hakmarrje. Shtetasi Roland Haka është vrarë në vitin 2004 dhe asokohe familja e viktimës fajësoi Nadien Zenelin se kishte nxjerrë në pritë të riun. Vëllai i tij, Marklen Haka, dyshohet se është hakmarrë duke vrarë Nadien Zenelin rreth dy javë më parë.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











