Dy vajza në polici: Fqinji nudo na gjuan nga ballkoni

Aug 30, 2011 | 12:59

Dy vajza denoncojnë fqinjin se i provokon duke qëndruar lakuriq përballë tyre në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. “Fqinji i pallatit përballë na ngacmon seksualisht nga ballkoni duke u zhveshur lakuriq çdo natë para nesh”.Ky ka qenë denoncimi i paraqitur në polici nga dy vajza nga Korça. Ato iu drejtuan policisë duke kanë kallëzuar një 36-vjeçar, të cilin e quajnë maniak seksual. Denoncimi i rrallë është bërë dy ditë më parë në Komisariatin Nr. 2 nga dy vajza 26-vjeçare, të cilat janë të punësuara në dy kompani private në Tiranë dhe banojnë me qira te ish-Blloku, në rrugën “Adbyl Frashëri”. Ato kanë kërkuar ndihmën e policisë me pretendimin se ndjehen të frikësuara nga fqinji që banon në një pallat pranë tyre. Vajzat kanë treguar në polici se prej një jave, thuajse çdo natë, fqinji del në ballkon në kohën kur ato qëndrojnë duke pirë cigare dhe rri përballë tyre lakuriq, pa asnjë rrobë në trup. Sipas tyre, ai u bën shenja dhe flet në distancë me to, veprime të cilat ato i konsiderojnë ngacmim seksual, pasi vazhdimisht ai qëndron lakuriq përballë tyre. Madje ato, në kallëzimin e tyre, kanë treguar se një natë ai u kishte trokitur në derë, por vajzat e frikësuara nuk e kishin hapur dhe nga ai moment vendosën t’i drejtohen policisë.
DENONCIMI
Paraditen e së shtunës, dy vajza 26-vjeçare nga Korça, banuese në rrugën “Abdyl Frashëri” te zona e ish-Bllokut, kanë denoncuar në Komisariatin Nr. 2 fqinjin e tyre, i cili i ngacmon seksualisht në distancë duke u zhveshur lakuriq. “Banojmë me qira në apartamentin e katit të katërt të një pallati tek ish-Blloku, pranë Librit Universitar. Prej pothuajse një jave, natë për natë, kur dalim dhe qëndrojmë në ballkon për të pirë cigare, një burrë që banon në pallatin përballë dhe e ka ballkonin paralel me ne, në katin e katërt, zhvishet lakuriq dhe na ngacmon seksualisht”, kanë treguar vajzat në polici. Më pas ato shprehen se “vazhdimisht na bën shenja të ndryshme, ashtu siç është i zhveshur dhe më pas fillon e flet me ne në distancë, por nuk i japim përgjigje. Një natë na trokiti në derë, por e pamë nga syri magjik dhe nuk e hapëm derën, pasi ai duket si maniak seksual. Ai edhe mund të na vrasë, ndaj kërkojmë të bëni diçka sepse jemi shumë të frikësuara”.
SHOQERIMI I FQINJIT
Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se pas kallëzimit të dy vajzave janë kryer verifikimet e nevojshme rreth personit që ato denoncojnë. Shërbimet e policisë mësohet se kanë bërë shoqërimin e të akuzuarit nga vajzat paraditen e djeshme në komisariat. Pasi është njohur me pretendimet e dy vajzave, fqinji 36-vjeçar, i cili banon në apartamentin përballë tyre, hedh poshtë të gjitha akuzat që vajzat kanë ngritur ndaj tij. “Është shumë vapë dhe mundohem të rri me sa më pak rroba veshur. Unë jam në shtëpinë time aty dhe mund të rri si të dua”, është justifikuar 36-vjeçari. Ndërsa i pyetur nga policia se përse u ka trokitur në derë gjatë natës, ai ka treguar se thjesht donte t’u bënte shoqëri vajzave, meqë i shihte herë pas here duke qëndruar vetëm në ballkon. Në këto rrethana, policia e ka lënë të lirë fqinjin e vajzave, duke nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj tij vetëm me akuzën “prishje e qetësisë publike”.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura