Dy tregtarët: Hajduti na sulmoi, e qëlluam me thikë

Feb 2, 2012 | 12:39

Vendi ku u vra 33-vjeçari, në Tiranë

Vrasja e 33-vjeçarit te Tregu Çam, akuzë për vrasje dy personave

Dy tregtarët e mallrave në Tregun Çam, të cilët mbrëmjen e të martës vranë një 33-vjeçar që tentoi t’i grabisë, e akuzojnë viktimën edhe për sulm fizik. Grupi hetimor ka ngritur ndaj dy tregtarëve akuzën “vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”. Megjithatë, nga deklarimet e tregtarëve rezulton se goditjen vdekjeprurëse me thikë në zemër, e cila i mori jetën Klodian Sejfullait, e ka kryer pronari i furgonit me mall, Viktor Lako, ku viktima tentoi edhe të kryente vjedhjen. Më pas, 33-vjeçari Klodian Sejfullai është goditur edhe nga tregtari tjetër, Nelson Ruci, i cili ka pësuar plagë të lehta gjatë përleshjes që ndodhi tek Tregu Çam, para vrasjes. Të dy tregtarët, shokë me njëri-tjetrin, e kanë justifikuar veprimin e tyre si vetëmbrojtje, pasi viktima sipas tyre ishte i armatosur me thikë. Sipas burimeve nga Policia, i dyshuari Viktor Lako, 29 vjeç, ka deklaruar se e ka qëlluar me thikë Sejfullain, pasi ai gjatë përleshjes fizike kishte plagosur me thikë mikun e tij, Nelson Ruci. Ky fakt është konstatuar edhe nga Policia, pasi në momentin e arrestimit të 27-vjeçarit Ruci është konstatuar gjakderdhje dhe një plagë e lehtë e shkaktuar me thikë. Me gjithë rrethanat që kanë pretenduar gjatë gjithë kohës që merreshin në pyetje dy tregtarët e arrestuar, të paktën për oficerët e grupit hetimor deklarimet e tyre nuk kanë shërbyer për lehtësimin e pozitës penale të tregtarëve. Të paktën derisa të paraqiten për masë sigurie në Gjykatë, ata janë të akuzuar për “vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim”.
VRASJA
Klodian Sejfullai, 33 vjeç, i njohur me pseudonimin “Klajdi i Mrikës”, i dënuar edhe më parë për shpërndarje heroine dhe vjedhje, u godit me thikë për vdekje rreth orës 18:10 të së martës, në Tiranë. Ngjarja ndodhi në afërsi të Tregut Çam, në kohën kur Sejfullai ishte futur për të vjedhur në furgonin me targë TR 3717 M, të firmës “Alko”, në pronësi të tregtarit të arrestuar, Viktor Lako. Ky i fundit ka qenë duke pirë kafe në një lokal pranë vendit të ngjarjes, bashkë me mikun e tij, po ashtu tregtar, Nelson Ruci. Dy të arrestuarit furnizonin Tregun Çam me bojëra flokësh. Gjatë kohës që Lako dhe Ruci po pinin kafe, 33-vjeçari ka gjetur momentin për të hapur derën e furgonit dhe është futur brenda. Në atë moment, tregtarët kanë dalë nga lokali dhe e kanë gjetur brenda në makinën e tyre. Mes grabitësit dhe dy të dyshuarve si autorë ka nisur një përleshje e ashpër fizike, pasi e kanë zbritur me forcë nga furgoni Sejfullain. Ata e kanë goditur me grushte e shkelma, derisa 33-vjeçari ka nxjerrë një thikë. Njëri prej tregtarëve ka arritur t’i heqë thikën nga dora dhe me të e ka goditur në zemër, duke e lënë të vdekur në vend.

Sejfullai përcillet në Varrezat e Sharrës
Familjarë, miq e të afërm përcollën dje për në banesën e fundit, 33-vjeçarin Klodian Sejfullai, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së martës pranë Tregut Çam në Tiranë. Të afërmit e tij mirëpritën dje ngushëllimet, por nuk pranuan të komentojnë ngjarjen që i mori jetën djalit të tyre. Kortezhi mortor u nis dje rreth orës 15:30, nga kryqëzimi i rrugës “Prokop Myzeqari”, me rrugën “Fortuzi” në Tiranë, në drejtim të Varrezave të Sharrës, ku tashmë prehet trupi i 33-vjeçarit. Pavarësisht si njihej nga forcat e rendit, Klodian Sejfullai apo “Klajdi i Mrikës”, siç i thërrisnin edhe shokët, nga banorët e lagjes ishte djalë i urtë, i shoqërueshëm dhe që nuk u kishte hapur asnjëherë probleme.

Vjedhja
Sipas dëshmisë së dhënë nga biznesmenët, shtetasi 33-vjeçar ka hyrë në furgonin me mallra që shiteshin tek Tregu Çam dhe ka tentuar të ndezë automjetin. Në këtë kohë, dy tregtarët që ndodheshin në një kafe aty pranë, kanë dalë nga bari dhe kanë konstatuar të riun. Ata janë afruar dhe, pasi kanë parë se personi “i panjohur” po tentonte të kryente vjedhjen e mallit, e kanë sulmuar atë, njëri duke e qëlluar me thikë dhe tjetri duke përdorur një levë metalike.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura