FIER/ SARANDE – Dy të vdekur dhe tre të plagosur dje në aksidente që ndodhen në Fier e Sarandë. Sipas policisë, ngjarja në Fier, ndodhi në autostradën Levan-Tepelenë, në fshatin Gorishovë të komunës Cakran. Viktimë e këtij aksidenti është një fëmijë 6 vjeç, nxënës në klasën e parë. Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se i mituri me inicialet K.K., ka qenë duke kaluar rrugën kur u përplas nga mjeti me targa AA 966 DY, që drejtohej nga shtetasi Petrit Ponari, punonjës i Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas dëshmitarëve, fëmija kishte dalë papritur në rrugë, ndërsa mjeti që lëvizte me shpejtësi e ka pasur të pamundur të manovrojë në kohë. Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit, i cili është marrë në pyetje për rrethanat e aksidentit. Ndërkaq, po dje një aksident i rëndë ndodhi në aksin Livadhja-Sarandë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:00 në afërsi të fshatit Dermish. Benz-i me targa SR 63 86 B, humbi kontrollin dhe u përplas me një kamionçinë me targë SR 50 92 B. Për pasojë humbi jetën drejtuesi i Benz-it, Kamber Veledini nga fshati Navaricë, këshilltar i këshillit të komunës Dhivër. Gjithashtu u plagosën edhe dy nxënës të gjimnazit të Livadhjasë, motër e vëlla, Aurora e Rikardo Telo, përkatësisht 17 dhe 15 vjeç. Plagë të lehta ka marrë edhe drejtuesi i kamionçinës, po nga fshati Navaricë. Dy nxënësit janë ndodhur rastësisht në mjetin e këshilltarit të komunës Dhivër. Ky i fundit është ndeshur me ta, bashkëfshatarë të tij, dhe i ka marrë rastësisht për t’i çuar në fshat, duke qenë se edhe ai kishte të njëjtën rrugë. m. r/sh.d











