TIRANE – Dy të rinj, njëri nga Shijaku dhe tjetri nga Tirana, u arrestuan pasditen e djeshme në qendër të kryeqytetit me 500 gramë, të dyshuar si lëndë e llojit kokainë. Sipas burimeve nga policia, të rinjtë u arrestuan pasi gjatë një kontrolli në automjetin tip “Ford Fiesta” ku ndodheshin, u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 500 gramësh lëndë narkotike, e dyshuar kokainë. Të njëjtat burime thanë se të arrestuarit janë shtetasit Enver Keçi, 33 vjeç nga Shijaku dhe Erion Shehu, 29 vjeç nga Tirana. Lënda narkotike e sekuestruar ishte transportuar me makinën “Ford Fiesta” nga Shijaku në drejtim të kryeqytetit. Transportuesi, Enver Keçi, kishte udhëtuar nga Shijaku, nëpërmjet rrugës së vjetër që lidh Durrësin me Tiranën dhe në afërsi të Ndroqit është pikasur nga oficerët e Antidrogës, që e mbanin prej disa javësh në vëzhgim. Burimet nga hetimi i çështjes thanë se policia kishte siguruar informacionin e nevojshëm për datën, linjën e transportit dhe vendin ku do të kryhej shkëmbimi i mallit me paratë. Nga Ndroqi e deri në qendër të kryeqytetit, ku Enver Keçi do të takohej me porositësin Erion Shehu, policia i është vënë nga pas makinës së tij, duke e lejuar që të udhëtonte pa asnjë pengesë, derisa të vinte arrestimi në flagrancë. Sipas burimeve, në momentin kur porositësi ka hipur në makinën e personit që transportonte lëndën narkotike dhe i ka zgjatur paratë për të paguar pakon me kokainë, ka ardhur ndërhyrja e oficerëve të Antidrogës. Gjatë kryerjes së kontrollit të mjetit, dy të dyshuarit kanë tentuar të fshehin lëndën narkotike, por janë zbuluar shumë shpejt duke u vënë në pranga. Personi që e transportonte nuk ka pranuar të flasë për të treguar se ku e kishte blerë kokainën, pa praninë e një avokati. Ndërsa mësohet se lënda narkotike ishte porositur me qëllim shitjen në tregun e kryeqytetit. Për dy të arrestuarit materialet i kaluan prokurorisë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Hetimi për këtë çështje ka nisur bazuar në informacionet operative të marra nga policia në lidhje me lëvizjen e ngarkesës me lëndë narkotike.











