
AUSTRI – Dy shtetas shqiptarë që ishin në pritje të ekstradimit kanë arritur të arratisen nga një burg i sigurisë së lartë në Austri. Policia austriake është vënë në alarm për arratisjen e dy shqiptarëve nga burgu i Eisenstadt. Pothuajse në të gjitha televizionet austriake, lajmi i parë në të gjitha edicionet informative ka qenë largimi i shqiptarëve nga burgu, si dhe imazhet e dy shtetasve shqiptarë, Kastriot Dushi dhe Kastriot Elezi, të cilët para tri ditëve janë arratisur nga burgu. Në ekspertizën e kryer nga policia austriake ka rezultuar se shqiptarët u arratisën duke përdorur mjetet e kuzhinës dhe, për t’iu shmangur rojeve të burgut, janë larguar përmes tuneleve të ventilatorëve të kuzhinës. Policia ka hedhur dyshime se dy të arratisurit kanë mundur të largohen nga ambientet e jashtme të burgut me një makinë që drejtohej nga një person i tretë, i cili i ka ndihmuar në arratisjen e tyre dhe ka qenë duke i pritur jashtë derisa ata realizuan largimin përmes tubave të aspirimit. Sipas burimeve nga policia, dy personat e arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Austri, Kastriot Dushi dhe Kastriot Elezi, kërkoheshin nga Drejtësia shqiptare me akuzat e grabitjes. Ata ishin arrestuar disa muaj më parë nga bashkëpunimi i Interpol Tiranës me Interpol Vjenën dhe po qëndronin në burgun e Eisenstadt, në pritje të plotësimit të dokumentacionit përkatës nga Drejtësia shqiptare për ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë, ku do të vuajnë dënimet përkatëse të dhëna në mungesë.











