TIRANE – Dy persona me maska dhe armë grabitën mbrëmjen e djeshme një supermarket në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, në supermarketin ku tregtohen kryesisht pajiste elektroshtëpiake, sportive, kozmetike, por edhe produkte të tjera konsumi. Sipas deklarimeve paraprake të punonjësve, mësohet se shuma e parave të vjedhura është rreth 150 mijë lekë të reja. Në momentin e ngjarjes, veç punëtorëve brenda ndodheshin edhe disa klientë, të cilët janë alarmuar në momentin kur grabitësit u kanë drejtuar armët dhe nuk i kanë lënë të dilnin jashtë. Njëri prej autorëve ka qëndruar tek dera kryesore e supermarketit, ndërsa tjetri është drejtuar tek arka duke kërcënuar me pistoletë punonjësen që t’i dorëzonte paratë, në të kundërt, do ta qëllonte. Më pas, pasi kanë realizuar vjedhjen, të dy autorët janë larguar me shpejtësi dhe sipas dëshmitarëve, fillimisht kanë lëvizur në këmbë nëpër rrugica, pa ndonjë mjet. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe sipas punonjësve, autorët kanë arritur të vjedhin rreth 150 mijë lekë të reja. Janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së supermarketit, të cilat janë verifikuar, por policia nuk ka mundur të identifikojë autorët, pasi të dy ishin të maskuar.











