YLBER LILI
Zgjedhja korrekte dhe brenda normalitetit, certifikim rezultati pothuajse brenda natës, fitues, humbës dhe dështues, fragmentarizëm i kushtit shqiptar, gjeste sublime të lidershipit politik. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i uroi fitoren kundërshtarit të tij politik ende pa u dhënë fjala e fundit nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Ky gjest, i vendosur në kontestin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe Kosovë, duhet vlerësuar maksimalisht. Në një farë mënyre u çmontua sindromi alla shqiptar për mosnjohje rezultati. Kjo është pjesa më e rëndësishme e skanerit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në FYROM, ndërsa nga ana tjetër, verifikimi i këtyre zgjedhjeve dëftoi se me pak vullnet politik vendosen rregullat e lojës në bazë të standardeve: shqiptarët e Maqedonisë treguan pjekuri dhe kulturë demokratike.
Ndërkaq, analizuar nga pikëpamja e një beteje elektorale, ku rezultati përfundimtar nxjerr në shesh humbësit dhe fituesit, rezulton se maxhoranca qeverisëse u kurorëzua me më shumë vota sesa opozita. Në këtë kuptim, nuk pati ndonjë surprizë befasuese, përmbledhja aritmetike përputhet me parashikimet e rezultatit nga njohës të rrethanave. Për vetë specifikën e mënyrës së qeverisjes apo të shumicës parlamentare, partitë politike në FYROM, ato që kanë fituar, njëherësh janë edhe “humbëse”.
VMRO-DPMNE e kryeministrit, nacionalistit pragmatist, Nikolla Gruevski, arriti të jetë në epërsi më një grusht votash më shumë sesa LSDM, e drejtuar nga ish-presidenti Branko Cërvenkovski, i cili, krahasuar më zgjedhjet e kaluara, ka pasur një rritje të ndjeshme votash (150 000 më shumë se në zgjedhjet në vitin 2008). E përkthyer në kartonë-deputetë, opozita maqedonase doli nga zgjedhjet parlamentare me 23 deputetë më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara.
Në këto kushte, ndonëse Nikolla Gruevski kryeson, gjithsesi ai ka një rënie të theksuar, duke humbur kështu “privilegjin” e shumicës absolute; për rrjedhojë, dhe humbjen e kontrollit total mbi pushtetet. E thënë ndryshe, Gruevski u rikonfirmua si fitues i zgjedhjeve, por humbi “luksin” e të qenit sërish parti-shtet.
***
Përtej humbësit dhe fituesit, në kampin politik shqiptar ka ndodhur një precedent, i cili do të ketë koston e tij në dëm të interesave të shqiptarëve. Ndonëse partia në pushtet, kryesuar nga Ali Ahmeti, ka fituar zgjedhjet, gjithsesi, krahasuar më zgjedhjet e vitit 2008, ajo ka dalë nga këto zgjedhje me katër deputetë më pak. Në fakt, Ahmeti arriti të ruajë kryesimin në mungesë të një koalicioni opozitar.
Sidoqoftë, në kampin politik shqiptar kjo parti kryeson me 14 deputetë, e ndjekur nga PDSH-ja me 8 deputete, plus 2 deputete të fituar nga partia rishtare e Rufi Osmanit. Megjithatë, sado që mund të tingëllojë si paradoks, humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve është faktori politik shqiptar, i cili për kapriço ditore e fragmentarizoi ndjeshëm votën dhe doli nga ringu i shkapërderdhur.
Krahasuar me të gjitha zgjedhjet legjislative, shqiptarët janë më pak të përfaqësuar në Parlamentin e Maqedonisë. Nëse do të kishim unifikim të bllokut politik shqiptar, nëse nuk do të krijoheshin parti-fantazmë, minimumi shqiptarët pas këtyre zgjedhjeve do të përfaqësoheshin edhe me 5 deputetë më shumë.
Për pasojë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare rikonfirmuan rrezikun e vazhdueshëm të rrjedhjes së votës së shqiptarëve, d.m.th. të rrudhjes së kushtit shqiptar. Në këtë kontekst, pala maqedonase ia ka arritur qëllimit duke e brejtur ndjeshëm projektin politik të shqiptarëve. Lind pyetja: çfarë vërtetuan këto zgjedhje në rrafshin politik shqiptar?
Shqiptarët e Maqedonisë, të paktën nga pikëpamja e organizimit politik, duhet të ndjekin shembullin e Amerikës; të kenë dy parti që, për hir të sistemit demokratik dhe parlamentarizmit, njëra të jetë në opozitë dhe tjetra në pushtet (teza që u vërtetuan edhe në këto zgjedhje). Përveç partisë së Ahmetit dhe Thaçit, subjektet e tjera, të ashtuquajtura parti politike, morën një leksion nga sovrani. Hapësira shqiptare në Maqedoni nuk ka vend më shumë sesa dy forca politike.
Mirëpo, sa kohë që te shqiptarët e Maqedonisë do të lindin parti-fantazmë apo formacione që mbajnë vetëm licencën në xhep, për sa kohë që mungon një platformë e përbashkët për zgjidhjen e problemeve, uniteti i shqiptarëve do të dëmtohet rëndë. Ky është problemi më i madh që shfaqet te politika shqiptare në Maqedoni, madje ky problem është kthyer në epidemi. Po të shikojmë hartën gjeografike, çdo qendër urbane e banuar me shqiptarë mëton të ketë një parti të sajën, pavarësisht se zhduken ende pa u krijuar.
Kësaj i thonë që, në tortën e projektit antishqiptar maqedonas, të vendosen “qershi” në Shkup, Kumanovë, Gostivar e gjetkë. Pra, nëse nuk eliminohet ky sindrom, përfituesi më i madh është blloku politik maqedonas, i cili, përmes shumimit të partive shqiptare, e ka më të lehtë të realizojë projektet e tij. S’do mend, shkapërderdhja e projektit politik të shqiptarëve në parcela deformon kapacitetin politik dhe bjerr pafundësisht autoritetin politik të shqiptarëve në institucionet e sistemit.











