
Strehoheshin në Vlorë, në familjet e disa emigrantëve të njohur. U fshihnin qëllimin e “vizitave”
Arrestohen nga Policia e Fierit, vodhën 2 argjendari dhe para
Dy shtetas italianë i shtohen listës së grabitësve në dosjet e Policisë. Policia e Fierit, në bashkëpunim me atë të Vlorës, zhvilluan operacionin e koduar “Furtuna”, duke çuar në pranga italianët me banim në Leçe. Giuseppe Margiotta, 33 vjeç, dhe Franco Galluçi, 31 vjeç, dyshohet se në bashkëpunim kanë kryer një sërë vjedhjesh me dhunë në qarkun e Fierit. “Ditën e djeshme, në qytetin e Ballshit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me dhunë një sasi bizhuterish në një argjendari. Më 17 janar 2012 dyshohet se kanë vjedhur me dhunë, në bashkëpunim, një tjetër argjendari në qytetin e Fierit. Ndërkohë që më 26 janar 2012, në Lushnjë, dyshohet se ata i kanë vjedhur me dhunë dy shtetasve shumën prej 1.5 milionë lekësh (të vjetër)”, bëri të ditur Policia e Fierit. Mësohet se blutë arrestuan në flagrancë dy ditë më parë shtetasin Giuseppe Margiotta, teksa po grabiste argjendarinë në Ballsh. Ndërsa 31-vjeçari Franco Galluçi u arrestua dje në qytetin e Vlorës, gjatë operacionit policor që ka nisur për të kapur personat në kërkim apo për të evidentuar mjete të vjedhura. “Është bërë i mundur edhe sekuestrimi i dy automjeteve, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur në realizimin e vjedhjeve, përkatësisht: automjeti tip “Hyndai” me targë TR 9739 P, të cilin gjatë ecurisë së hetimit rezultoi se ata e kishin marre me qira para pak ditësh dhe automjeti tip

“Mercedes Vito”, me targë DE 742 FC, në pronësi të shtetasit Giuseppe Margiotta”, bëri të ditur Policia. Mësohet se dy shtetasit italianë vinin shpesh në Vlorë dhe strehoheshin në banesën e dy çifteve të moshuara, të cilët i kishin fëmijët emigrantë dhe kishin njohje me ta. Të rinjtë kishin ardhur edhe për pushimet e verës në Vlorë, ndërsa ktheheshin herë pas here duke iu deklaruar të moshuarve se u pëlqente Vlora. Duke mos e ditur qëllimin e vërtetë të dy italianëve, të moshuarit i strehonin në banesat e tyre sa herë që ata ktheheshin. Por hetimet kanë treguar se të rinjtë nga Leçe vinin për të grabitur. Në vijim të veprimeve hetimore u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pjesë e sendeve të vjedhur prej tyre, si dhe u sekuestruan katër xhupa, të cilët autorët i përdornin për realizimin e vjedhjeve, 9 telefona celularë dhe disa dokumente me gjeneralitete te falsifikuara, të cilat shtetasi Franco Galluçi i përdorte ne vendkalime kufitare.
“Gjatë verifikimeve të kryera në bashkëpunim dhe me Zyrën Ndërlidhëse Interforze të Policisë Italiane në Shqipëri, rezultoi se Galluçi ishte i shpallur në kërkim për llogari të autoriteteve italiane të drejtësisë, për veprën penale ‘vjedhje me dhunë'”, tha dje Policia e Fierit. Dy italianët akuzohen edhe nga Policia e Fierit për veprën penale “vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”, ndërsa strukturat e Policisë vazhdojnë hetimet për të dokumentuar të gjithë aktivitetin kriminal të tyre. Dyshohet se ata kanë kryer edhe një sërë grabitjesh të tjera në kohë e vende të ndryshme. m.r/q.b











