Ndahet për të dytën herë nga i fejuari, 20-vjeçarja i jep fund jetës duke u vetëmbytur në rezervuar. Vajza nga një fshat i zonës së Dumresë së Belshit ishte shprehur te familjarët e saj para se t’i jepte fund jetës, se nuk mund ta pranonte këtë dështim të dytë në jetë. Ngjarja ndodhi në fshatin Gjyralë të Elbasanit dje rreth orës 16:30, ku 20-vjeçarja Refije Kotollaku, në kushtet e një depresioni të rëndë, është vetëmbytur në rezervuarin e quajtur nga banorët e zonës “Gote”. Familjarët e saj kanë deklaruar se vajza ka qenë në shtëpi gjatë pasdrekes dhe është larguar pa i thënë asnjërit prej tyre. Në sajë të dëshmisë së të afërmve dhënë në polici mësohet se brenda dy vjetësh ajo ishte fejuar dy herë. Më herët Refija ishte e fejuar me një djalë nga fshati i saj, por sipas të afërmve, lidhja mes tyre nuk zgjati për motive familjare. Në muajin nëntor të një viti më parë ajo u fejua me një tjetër djalë nga Apolonia e Fierit. Në fillim lidhja ishte shumë e qetë mes çiftit, por rreth dy muaj më parë djali nga Apolonia humbi kontaktet duke fikur telefonin. Familjarët e 20-vjeçares kanë nisur të pyesin për djalin që kishte kërkuar dorën e vajzës, por ata kishin arritur të zbulonin se dhëndri i ri ishte i martuar, me dy fëmijë, dhe se prej kohësh jetonte në Gjermani si emigrant. Duke humbur shpresat për të fejuarin e saj, Refija kaloi një situatë të rëndë depresive. Madje, sipas të afërmve, ajo ishte shprehur se kishte turp të dilte në fshat, pasi thoshte se të gjithë e përqeshnin për këto dështime në jetë. Tri ditë më parë ajo kishte nisur të shkruante edhe poezi për dashurinë. Në një fletore shkruante edhe për fatin e saj të zi, ashtu siç e perceptonte ajo jetën e saj në këto momente të vështira për të, pas ndarjes me të fejuarin. Në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike dhe e papërgatitur për një ndarje të dytë, 20-vjeçarja ka dalë dje nga banesa duke iu drejtuar rezervuarit. Kur familjarët e saj e panë që po vraponte drejt Gjyralës, kanë renduar pas saj, por ata kanë mundur të gjejnë vetëm shapkat e saj në breg të rezervuarit. Kërkimet e para kanë qenë të kota. Duke qenë se rezervuari kishte llucë dhe ishte i thellë, atëherë është kërkuar ndihma e policisë. Drejt vendit u nisën edhe polumbarë të RENEA-s, por pas rreth një ore kërkimesh nga banorët e fshatit, u arrit të gjendej trupi i saj.
BELSH/ MIRANDA SADIKU
© Panorama.alDURRES
Një kufomë rreth të dyzetave u gjet dje në bregdetin e Durrësit. Policia tha se kufoma e dekompozuar u zbulua nga banorët e zonës në Bisht Pallë dhe pritet që të identifikohet në vijim. Viktima mbante veshur një palë pantallona dhe një rrip ushtarak. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbime policie dhe grupi hetimor, i cili do të vijojë me kryerjen e veprimeve për të identifikuar si fillim kufomën dhe më pas të zbulojnë shkaqet e vdekjes së saj. Nga të dhënat e para mësohet se shkak për vdekjen është bërë mbytja në ujë. Policia po punon për të identifikuar viktimën, ndërsa mësohet se në regjistrin e saj nuk ka asnjë denoncim për persona të zhdukur me tiparet e viktimës. Dyshohet se trupi i pajetë mund t’i përkasë Llesh Karricit, i cili u mbyt disa kohë më parë në lumë dhe nuk është gjetur ende.SHKODER
Një 62-vjeçar është gjetur i vetëvarur paraditen e sotme, në aksin rrugor Shkodër-Shirokë. Viktor Saraçi, 62 vjeç, nga qyteti i Shkodrës është gjendur i vetëvarur në një pemë në afërsi të varrezave të lagjes Shirokë. Sikurse bëhet e ditur nga burime pranë Policisë së Shkodrës, mësohet se Saraçi nuk kishte shkuar në shtëpi një natë më parë, ndaj dhe familjarët kishin nisur kërkimet. Paraditen e së mërkurës ai është gjetur i varur tek një pemë pranë gurores tek varrezat e lagjes Shirokë, në breg të liqenit të Shkodrës. Sipas Policisë, 62-vjeçari është vetëvarur në kushtet e një gjendjeje depresive. Saraçi jetonte në Shkodër, ndërkohë që fëmijët e tij jetonin në emigracion. Ai pak muaj më parë ishte kthyer nga Franca, ku ka qëndruar tek i biri. Policia po punon për të zbardhur shkaqet që e shtynë drejt vetëflijimit.











