Dy fazat, si do regjistrohen fituesit në Universitete

Aug 21, 2012 | 14:30

Dy faza regjistrimesh, që bëjnë zyrtarisht fitues kandidatët që kanë konkurruar në shkollat e larta.

Udhëzimi i MASH përcakton afatet që duhet të zbatohen për secilën. Për herë të parë këtë vit ky proces ka një risi. Pasi të kenë gjetur emrin në listë, fituesit kanë të drejtë të mos e vazhdojnë më garën. “Ata mund të qëndrojnë të regjistruar në programin e fituar në fazën e parë, duke nënshkruar një deklaratë. Pas nënshkrimit të deklaratës, sekretaria mësimore pajis menjëherë kandidatët me vërtetim të regjistrimit përfundimtar”, thuhet në udhëzimin e MASh. Sipas tij, një kopje e kësaj deklarate dërgohet nga sekretaria mësimore në AKP.

FAZA E PARË

Pas shpalljes së fituesve më 13 shtator, ata do të kenë kohë 1 javë për të kryer regjistrimin paraprak në sekretaritë e fakulteteve. Nga data 14-20 shtator duhet të dorëzojnë dosjen me dokumentet personale. Vetëm pasi të kenë marrë fletën e regjistrimit, ata e kanë përmbyllur gjithë procesin dhe për fazën e parë e kanë të siguruar një vend në auditorët e fakulteteve. Me mbarimin e fazës së parë të regjistrimeve, të dhënat dërgohen në Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Ato hidhen sërish në sistem dhe më datë 26 shtator del lista përfundimtare e fituesve. Një pjesë e fituesve vendosin të mos regjistrohen në degët ku kanë fituar, ndaj MASH ka vendosur që të jenë dy faza regjistrimesh.

FORMULARI A3

Për të gjithë ata kandidatë që nuk do të jenë fitues në fazën e parë në universitetet publike, Formulari A3 do t’u japë një tjetër mundësi. Ky formular do të bëhet publik menjëherë pas shpalljes së fituesve të parë. Formularin A3 kanë të drejtë ta plotësojnë të gjithë ata të rinj, të cilët kanë aplikuar në fazën e parë dhe nuk figurojnë fitues në asnjë program studimi edhe pas mbylljes përfundimtare të regjistrimeve. Ky formular do të ketë një numër të reduktuar degësh. Kandidatët do të kenë mundësi të aplikojnë vetëm për ato ku numri i kuotave nuk është plotësuar.

FAZA E DYTË

Me afshimin e listës përfundimtare, maturantët duhet të shohin sërish nëse janë shpallur fitues në të njëjtën preferencë apo jo. “Kandidatët, të cilët në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit paraprak, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, me të njëjtën dosje personale ata do të shkojnë të regjistrohen në programin e studimit të listës përfundimtare. “Kjo zgjedhje u lihet në dorë kandidatëve. Prandaj këtë vit është futur deklarata me shkrim që në fazën e parë të regjistrimeve”, sqarojnë specialistët e MASH. Regjistrimet për fazën përfundimtare do të kryhen nga datat 28-30 shtator. Me mbylljen e saj, studentët do të jenë gati për nisjen e vitit të ri akademik.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura