Dy biznesmenë turq mbahen peng e dhunohen nga tre vëllezërit

Sep 12, 2012 | 11:45

TIRANE – Dy shtetas nga Turqia, vëllezër mes tyre, me banim të përkohshëm në Tiranë, pronarë të një dyqani me materiale ndërtimi, janë mbajtur peng për disa orë nga tre persona. Ngjarja ka ndodhur më 24 gusht të këtij viti, por shtetasit e huaj nuk e kanë denoncuar në Polici, pasi janë kërcënuar nga personat që u kishin hequr lirinë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak se njëri nga biznesmenët turq ka ngacmuar kushërirën e tre autorëve, që sipas Policisë, janë vëllezër. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se të dielën ka filluar procedimi penal, pasi është depozituar një kallëzim nga shtetasi turk, V. Alkaya, 31 vjeç, i cili deklaron se më datë 24 gusht 2012, rreth orës 22:45, në rrugën ‘Sulejman Delvina’ në Tiranë, është marrë peng nga tre persona”. Sipas të njëjtave burime, autorët, që dyshohet të jenë vëllezër, njëri prej të cilëve i identifikuar dhe i shpallur në kërkim, e kanë marrë me forcë biznesmenin turk në automjetin tip “BMW” me targë AA 030 DC, së bashku me vëllain e tij, shtetasin M. Alkaya, 36 vjeç. Ngjarja ka nisur nga rruga “Sulemjan Delvina”, ku ndodhet biznesi i dy turqve, dhe ka përfunduar në kodrat e Selitës në Tiranë, disa metra larg banesës së autorëve. Të dyshuarit, pasi kanë mbërritur në një vend të errët në Selitë, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të dy huajve, por kryesisht ndaj 23-vjeçarit M. Alkaya, për të cilin kishin pretendime se u ngacmonte kushërirën gjatë kohës që ajo kalonte para dyqanit të tij për të shkuar në punë. I dëmtuari është goditur në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit me grushte dhe tytë pistolete, duke pësuar plagë të rënda. Për këtë arsye është shtruar për disa ditë në spital për të marrë mjekim, duke mos e denoncuar ngjarjen. Kanë qenë dyshimet e mjekëve, nisur nga plagët e rënda në kokë, që kanë drejtuar ngjarjen në Polici. Burimet thanë se është shpallur në kërkim njëri nga autorët e ngjarjes, Eliton Lafetaj, 34 vjeç.

© Panorama.al

Te lidhura