Dy aksidentet, makina hyn brenda në piceri në Tiranë

Jun 11, 2012 | 13:21

TIRANE – Dy drejtues automjetesh janë plagosur pasditen e djeshme për shkak të dy aksidenteve në zona të ndryshme të Tiranës që ndodhën njëri pas tjetrit, në një hark kohor prej pak minutash. Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 16:50, në rrugën “Naim Frashëri”, kur një automjet tip “Mercedes Benz”, me targa të huaja, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar brenda një picerie që ndodhej në anë të rrugës. Burime nga Policia Rrugore thanë se aksidenti nuk pati pasoja të rënda për kalimtarët apo punonjësit e dyqanit, por shkaktoi vetëm dëme materiale. Ndërsa drejtuesi i mjetit pësoi disa plagë të lehta nga përplasja dhe u shoqërua në polici për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes. Ndërsa disa minuta më vonë, rreth orës 17:00, një tjetër aksident ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, pranë një qendre tregtare që ndodhet para se të arrish tek mbikalimi i Rinasit. Drejtuesi i mjetit u plagos pasi makina me të cilën udhëtonte u përplas me palmat që ndodheshin në anë të rrugës pranë qendrës tregtare, duke devijuar rrugën nga autostrada dhe duke përfunduar në rrugën dytësore të saj. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Njësisë së Kontrollit të Autostradave të cilat kryen matjet dhe këqyrjen e nevojshme. Ndërsa drejtuesi i plagosur, pasi u mjekua në Spitalin Ushtarak, u largua fillimisht për t’u marrë në pyetje në polici. Sipas burimeve nga Policia, paraprakisht dyshohet se shkak i të dy aksidenteve ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Pak ditë më parë, në rrugën Tiranë-Rinas, si pasojë e një aksidenti mes dy automjeteve gjetën vdekjen dy persona. Shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Fatmirësisht aksidentet e ndodhura dje në Tiranë nuk kanë shkaktuar viktima, ndonëse shoferët e makinave të përfshira në këto ngjarje pësuan lëndime pa rrezik për jetën. Në aksidentin e parë ku automjeti ka humbur drejtimin dhe ka hyrë në një piceri, mësohet se dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme.

© Panorama.al

Te lidhura