Dy aksidente me katër të plagosur në kryeqytet

Feb 13, 2012 | 12:40

TIRANE – Dy aksidente automobilistike me katër persona të plagosur ndodhën gjatë ditës së djeshme në kryeqytet. Ngjarja e parë ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, në kilometrin e dytë, pranë një qendre tregtare. Sipas burimeve nga Policia mësohet se për shkak të lagështirës dhe shpejtësisë tej normave të lejuara, një fuoristradë tip “Land Rover” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal në anë të saj. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Njësisë së Policisë Rrugore të Tiranës dhe të Rendit, që kanë bërë të mundur nxjerrjen e makinës nga kanali dhe një ambulancë ka transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak tre personat e plagosur. Në makinë, veç drejtuesit, ndodheshin edhe dy pasagjerë që, sipas Policisë, kanë pësuar plagë të rënda për shkak të përplasjes së fortë. Nga verifikimi dhe matjet në vendin e ngjarjes është konstatuar se shkak i daljes nga rruga të automjetit ka qenë lagështira dhe shpejtësia e madhe. Ndërsa në orët e pasdites një tjetër aksident ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në Tiranë. Një kalimtar i rastit, që po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën, është përplasur nga një urban që bën linjën Kinostudio-Kombinat dhe sipas Policisë ka pësuar plagë të rënda. Forcat e Policisë Rrugore kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Burime nga Policia thanë se i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Nuk dihet ende shkaku i aksidentit, por policia ka ndaluar autobusin, duke marrë në pyetje pasagjerët që ishin në bord dhe shoferin e linjës.

© Panorama.al

Te lidhura