
Gjykata e Tiranës i dha fund dje një historie “alla-telenovelë” të dy të rinjve të dashuruar, duke i dënuar ata me burg për akuzën e “vrasjes me paramendim”, të mbetur në tentativë.
Sipas Gjykatës, Klodeta Metkola, 22 vjeçe dhe i dashuri i saj Lulzim Meta, 27 vjeç, u dënuan përkatësisht me 4 dhe 6 vjet burg. Ata u gjetën fajtorë për vrasjen e mbetur në tentativë në dy raste, të E. L., bashkëshortit të 22-vjeçares Metkola. Në rastin e parë ata kanë vendosur lëndë eksplozive në automjetin e bashkëshortit E. L. Në rastin tjetër i kanë vendosur 500 gramë tritol në lavatriçe. Eksplozivi shpërtheu vetëm në rastin e dytë, por pa i shkaktuar dëmtime “objektivit” E.L. Sipas hetimeve, shkak i ngjarjes së pazakontë ka qenë martesa me mblesëri e Metkolës, ndërkohë që ajo kishte një lidhje dashurie me të pandehurin Meta. Dy të rinjtë u deklaruan të fajshëm për akuzat e “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë, “kanosjes” dhe “shkatërrim të pronës me eksploziv”. Dosja në ngarkim të të pandehurve Metkola dhe Meta ishte në rigjykim në Gjykatën e Tiranës. Ata u dënuan përkatësisht me 12 dhe 18 vjet burg më 20 maj të vitit 2011. Ky vendim u prish më pas në Apel, ku u vendos që dosja të dërgohej për rigjykim në Shkallën e Parë.
HISTORIA
Lulzim Meta nuk e ka duruar faktin që e dashura e tij të martohej me dikë tjetër. Nga ana tjetër, e dashura ndante të njëjtën bindje dhe, sipas Prokurorisë, në bashkëpunim ata kanë thurur plane për zgjidhjen e martesës së saj. Sipas Gjykatës, këta shtetas kishin një lidhje dashurie me njëri-tjetrin dhe se dëshironin që të largoheshin e të jetonin së bashku, po që nuk mund ta kryenin dot për shkak të disa problemeve e miqësive familjare. Në vendimin e gjykimit të parë, në vitin 2011, Gjykata zbardh të gjitha detajet e “planeve djallëzore” të dy të dashuruarve për “të hequr qafe” bashkëshortin e Klodeta Metkolës. Sipas Gjykatës, fillimisht E. L. ka marrë kërcënime në telefon nga numra të panjohur, ku i kërkohej të ndahej nga bashkëshortja e tij. Më pas, më datë 1.1.2010, i pandehuri Lulzim Meta ka shkruar në derën e jashtme të apartamentit të të dëmtuarit “Do të të djegim, e ke nga shoferat”. Në shpjegimet e tyre para gjykatës, të dy të pandehurit kanë sqaruar se veprimet e tyre janë kryer me qëllimin e vetëm të kanosnin shtetasin E. L. dhe si pasojë e kësaj kanosjeje mund të bëhej ndarja e tij nga e pandehura Klodeta Metkola e më pas ata të mund të jetonin bashkë.
EPISODET
Referuar vendimit të majit 2011, në të gjitha episodet Lulzim Meta ka vepruar i ndihmuar nga e dashura e tij, Klodeta Metkola. Ka qenë kjo e fundit që i ka dhënë atij çelësat e automjetit të bashkëshortit dhe çelësin e shtëpisë. “I pandehuri Lulzim Meta, pasi ka biseduar fillimisht me të pandehurën Klodeta Metkola, kanë rënë të dy dakord për vendosjen e një sasie eksplozivi në automjetin e shtetasit E. L. Nga ana e tij, i pandehuri Lulzim Meta ka mundur të sigurojë një sasi prej 1 kg lëndë plasëse si dhe kapsolla detonatori që shërbejnë si pjesë përbërëse të lëndës plasëse e llojit tritol. Më pas, i pandehuri Lulzim Meta, pasi ka mundur të marrë një ditë më parë nga e pandehura Klodeta Metkola çelësin e automjetit të shtetasit E. L., në fshehtësi të tij, ka vendosur sasinë e lëndës eksplozive prej 500 gramësh në automjet dhe më pas ia ka kthyer çelësin e automjetit Klodetës, e cila e ka vendosur në vendin ku shtetasi E. L. e mbante në apartamentin e tij. Kjo lëndë është vënë re nga E.L. para se të shpërthente. Më datë 21.02.2010, rreth orës 18:30, i dëmtuari E. L., sapo ka hyrë në banesë, ka konstatuar se brenda në banesë mungonte energjia elektrike. Duke dalluar se banesat e tjera dhe shkalla e pallatit kishin energji elektrike, i dëmtuari E. L. ka konstatuar se automati elektrik, i cili furnizon apartamentin me energji elektrike, ishte i ulur. Në momentin që ka ngritur automatin e energjisë elektrike, lënda eksplozive ka shpërthyer. Më datë 26.3.2010, në derën e jashtme të apartamentit është shkruar me bojë të zezë fjalia ‘Do të të vras TRAP’”, thuhej në vendim.
Armand Bajrami











