Durrësi, i pari ndër tetë destinacionet e kroçerave

Feb 28, 2012 | 13:21

Durrësi përzgjidhet si një ndër destinacionet më të pëlqyera nga turistët që udhëtojnë me kroçerë. Në një sondazh të bërë nga kompanitë e udhëtimeve, ka rezultuar se Durrësi zë vendin e parë mes tetë destinacioneve portuale më të mira në botë, që mund të vizitohet duke zgjedhur pushimet me një kroçerë. Lajmi u publikua nga revista kanadeze “The Globe and Mail”, e cila në numrin e saj të 22 shkurtit kishte në faqet e brendshme të saj një reportazh për turizmin. Brenda tij i ishte dhënë shumë rëndësi faktit që Porti i Durrësit ndodhej i pari në listën e tetë vendeve më të mira që preferohej nga turistët që udhëtojnë me kroçerë. Gazeta e Torontos i është referuar një sondazhi të bërë nga kompani të ndryshme udhëtimi në Kanada, të cilin më pas e kanë trajtuar në një reportazh. Vitet e fundit, në Portin e Durrësit kanë mbërritur disa kroçera, të cilat kanë qëndruar për ditë të tëra të ankoruara në kalatat e portit më të madh në vend. Madje, vit pas viti, numri i kroçerave që kanë ndaluar në Durrës ka qenë në rritje. Sipas sondazhit, pas Durrësit vendet më të preferuara nga turistët që preferojnë t’i kalojnë pushimet duke shëtitur me kroçerë janë: Ishulli Kangaru (Australi), Klaipeda (Lituani), Lome (Togo), Mgarr (Maltë), Petersburg (Alaskë, SHBA), Kakotork (Groenlandë) dhe Xiamen (Kinë). Gazeta e mirënjohur kanadeze e Torontos, në reportazhin e vet fotografik thekson: “Durrës, Shqipëri: Ky është shansi i juaj për të vizituar resortet e plazhit të Adriatikut, të cilat për vite ishin të ruajtura vetëm për elitën e vendit. Qyteti i dytë më i madh i vendit shërben si një pikë e mirë nisjeje për vizita më në thellësi drejt kështjellave”. Ndonëse lëvdatat për bukurinë që të ofron bregdeti i Durrësit vijnë që nga Kanadaja e largët, në vetvete porti më i madh i vendit ka dhjetëra problem. Madje, edhe nga ato që kanë lidhje drejtpërdrejt me turizmin që zhvillohet me kroçerë. Një ndër problemet është vonesa e përfundimit të punimeve në kalatën lindore dhe thellimin e basenit dhe kanalit hyrës të portit, të cilat janë kthyer në një telenovelë 6-vjeçare. Projekti për thellimin e portit vlerësohet më i rëndësishmi, pasi synohet që kalatat të kenë thellësi maksimale 11.5 metra, kurse kanali hyrës 12.5 metra. Kjo gjë mundëson hyrjen në Portin e Durrësit të anijeve dhe kroçerave me tonazh me të lartë se ato që kanë ardhur deri tani në portin më të madh të vendit. Drejtori i Autoritetit Portual, Eduart Ndreu, është shprehur se thellimi i basenit është i domosdoshëm, pasi jo vetëm kroçerat me përmasa të mëdha hasin vështirësi në ankorim, por edhe anijet e tonazhit të rëndë mbi 20 mijë tonë. Aktualisht, Porti i Durrësit përballet me kufizime të mëdha në këtë drejtim, pasi anijet e tonazhit të rëndë, mbi 20 tonë, kanë frikë të ankorohen nëpër kalata me ngarkesë të plotë, çka i detyron ata të presin ditë me radhë në port, duke u shkarkuar më shumë vështirësi në radën e jashtme dhe, për pasojë, duke paguar më shumë taksa për afatin e gjatë kohor që qëndrojnë në port. Projekti i thellimit të basenit, i cili ka kushtuar 340 mijë euro, është i rëndësishëm, pasi porti nuk i është nënshtruar thellimit që nga fundi i viteve ’80.

Portet
Durrës (Shqipëri)
Ishulli Kangaru (Australi)
Klaipeda (Lituani)
Lome (Togo)
Mgarr (Maltë)
Petersburg (Alaskë,SHBA)
Kakotork (Groenlandë)
Xiamen (Kinë)

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura