Durrës, zhbllokohen lejet e ndërtimit, miratohen në KRRT

Jun 23, 2011 | 10:09

DURRES – Çahet akulli për lejet e ndërtimit në KRRT-në e Durrësit. Ditën e djeshme, anëtarët e majtë dhe të djathtë kanë miratuar disa leje ndërtimi, të mbetura pezull që nga viti i shkuar. Në këtë mbledhje, e para pas zgjedhjeve të 8 majit, u miratuan 9 leje ndërtimi, si dhe 7 sheshe. Si “sebep” për t’u mbledhur, ishin dy projekte publike. Në rendin e ditës, të përgatitur nga Departamenti Urbanistik i Bashkisë së Durrësit, mes të tjerash bënte pjesë edhe shqyrtimi i kërkesës së Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” për ndërtimin e një Kampusi Universitar në zonën e Spitallës në Durrës. Po ashtu edhe dega e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Durrës ka kërkuar leje ndërtimi pranë KRRT-së së Bashkisë për një ndërhyrje në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, me qëllim rikonstruksionin e tij. Anëtarët e KRRT-së, si dhe kreu i saj, Vangjush Dako, kanë rënë dakord dhe me vota unanime kanë miratuar dhënien e lejeve të ndërtimit për këto projekte të rëndësishme publike, ashtu siç kanë miratuar edhe lejet e ndërtimit. Lejet e reja janë për zona të ndryshme të qytetit, të cilat ishin bllokuar nga ana e anëtarëve të djathtë. Në muajt e fundit, ata e quanin kërkesën për mbledhjen e KRRT-së si mënyrë e kryebashkiakut Dako për të siguruar mandatin e Durrësit. Në KRRT, 8 anëtarë janë të djathtë, ndërsa 7 të majtë. Pas miratimit të projektit të Kampusit, Mit’hat Mema, rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, tha se kjo është një ditë e rëndësishme jo vetëm për Universitetin, por edhe për Durrësin. Sipas tij, ideja për të ngritur një Kampus të ri Universitar është hedhur nga vetë Universiteti, duke u nisur nga mungesa e kapaciteteve që të ofron Universiteti aktual. Kampusi Universitar në Durrës do të ndërtohet në një territor prej 55 hektarësh në zonën e Spitallës, brenda 5-10 vitesh. Kapaciteti i tij është parashikuar për 16 mijë studentë. Në mbledhjen e djeshme u konfirmua fakti se fondi për të është i gatshëm dhe, menjëherë pas tenderit, pritet që të nisin punimet për ndërtimin.                                     l.m

© Panorama.al

Te lidhura