Durrës, zbulohet bomba me celular

Jul 13, 2012 | 13:35
Pika e karburantit ku u gjet bomba me celular

Bombë me telekomandë në pikën e karburantit. Një pakujdesi ka qenë shpëtimi nga një fat tragjik që do të pësonte shënjestra e një atentati të komanduar me celular ditën e djeshme. Pako me lëndën plasëse u konstatua rreth orës 12:00 të ditës së djeshme pranë një karburanti në Shkozet të Durrësit, shumë pranë autostradës Tiranë-Durrës. Kanë qenë punonjësit e karburantit ata që kanë parë pakon e dyshimtë, në tokë, në vendin ku furnizohen mjetet dhe kanë lajmëruar policinë. Brenda pak minutave policia ka mbërritur në vendngjarje, duke evakuuar fillimisht banorët përreth si dhe bllokuan aksin nga rrethrrotullimi i Shkozetit në drejtim të autostradës Durrës-Tiranë. Forcat Anti-eksploziv kanë çmontuar telefonin celular në mekanizmat e së cilit ndodhej një sasi lëndë plasëse e dyshuar si tritol C4, që njihet si një ndër llojet që ka fuqi shpërthimi të paimagjinueshme. Ekspertët e Policisë që po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje thanë se nuk dihet ende se cili ka qenë objektivi, ndaj i kanë shtrirë hetimet në dy pista. Pista e parë është që lënda plasëse mund të jetë vendosur për të trembur pronarët apo punëtorët e karburantit. Ndërsa pista tjetër, sipas ekspertëve, është që mina mund të jetë vendosur poshtë ndonjë mjeti dhe në momentin që është afruar për t’u furnizuar me karburant, ajo ka rënë në tokë. Pronari i karburantit dhe punonjësit e tij kanë pohuar se nuk kanë pasur ndonjë konflikt, ndërsa kanë deklaruar se nuk kishin dijeni se si bomba kishte përfunduar në vendin e tyre të punës. “Rreth orës 12:25 të ditës së sotme, morëm njoftim se te pika e karburantit që ndodhet në afërsi të rrethrrotullimit në Shkozet është konstatuar në tokë një telefon së bashku me një paketë të ngjitur në trup. Me dyshimin për një mekanizëm të mundshëm plasës, Komisariati i Policisë Durrës angazhoi në vend një numër të konsiderueshëm shërbimesh në funksion të bllokimit të qarkullimit të automjeteve dhe evakuimit të zonës përreth. Po kështu, u angazhuan në funksion të situatës edhe shërbime të strukturës Kundër Akteve Terroriste, Krimeve të Rënda, si dhe shërbime zjarrfikëse. Me mbërritjen e specialistëve të Njësisë Anti-eksploziv u krye çaktivizimi i mekanizmit; një telefon celular së bashku me 3 pako lëndë plasëse. Aktualisht, disa nga strukturat e ndryshme të hetimit të krimit po bashkëpunojnë në drejtim të grumbullimit të elementëve të vlefshëm për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, deklaroi Policia e Durrësit. Bomba e telekomanduar është transportuar në Tiranë për të verifikuar mbi gjurmët e lëna në të.

Dy pistat
1-autorët e bombës së telekomanduar e kanë hedhur pranë karburantit me qëllim kërcënimin e tyre ose provokimin e shpërthimit

2-pakoja e përgatitur që shpërthente me një zile telefoni mund të ketë rënë nga makina e një personi që mund të ishte bërë viktimë e shpërthimit

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura