Durrës, zbulohen në gomat e makinës 4 kg heroinë

Feb 17, 2012 | 11:29
Kanabisi i bllokuar në Port

DURRES – Policia e Portit të Durrësit ndal rrjedhën e drogës drejt Italisë. Plot 4 kilogramë lëndë, e dyshuar si heroinë, u bllokuar dje në tentativë për t’u trafikuar drejt shtetit fqinj, nëpërmjet tragetit të linjës Durrës-Bari. Burime të kësaj policie bënë të ditur se kontrolli i ushtruar në mjetin kamionçinë, drejtuar nga Gëzim Osmanaj, 23 vjeç, nga Skrapari, zbuloi dhe drogën e shtrenjtë. Mësohet se aksioni i zhvilluar nga punonjësit e Policisë së Portit e gjeti lëndën narkotike të fshehur në gomat e mjetit. Nisur nga linja e tragetit, destinacioni fillestar i drogës mësohet se ishte Bari, ndërsa po hetohet për të mësuar mbi lidhjet e transportuesit të drogës me persona të tjerë të implikuar. Vetëm 24 orë më parë, në Portin e Durrësit u kap një djalë e një vajzë, të cilët po transportonin me makinën e marrë me qira 36 kg kanabis sativa. Policia arrestoi Julian Përdukën, 22 vjeç, nga Lezha dhe Fisnike Hysenin, 20 vjeçe, nga Fieri. Kanë tentuar të kalojnë nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë 36 kg drogë me një makinë të marrë me qira arrestohen në flagrancë një çift të rinjsh. Sipas Policisë, të arrestuarit janë: Julian Përduka, 22 vjeç, banues në fshatin Tresh të Lezhës dhe Fisnike Hyseni, 20 vjeçe, banuese në Fier. Dy të rinjtë janë kapur në flagrancë teksa ishin duke tentuar të kalojnë lëndën narkotike përtej Adriatikut, të cilën e kishin fshehur në gomat e makinës. Burime nga Policia bënë të ditur se malli ishte siguruar në qarkun e Lezhës, ndërsa si destinancion final kishte Veriun e Italisë. Për të kaluar drogën përtej kufirit, 22-vjeçari, nga fshati Tresh i Lezhës kishte marrë me qira për disa ditë mjetin tip “Honda” fuoristradë, me targa AA 108 AY, në të cilin u gjend kanabisi. Sapo 22-vjeçari ka ndaluar mjetin në port, ai është rrethuar nga disa agjentë të cilët nisën menjëherë nga kontrolli, duke gjetur drogën. Mësohet se të rinjtë ishin njohur në shtetin grek ku jetonin prej vitesh, megjithatë kanë synuar Italinë për të tregtuar lëndën narkotike.                                                                                             l.m

© Panorama.al

Te lidhura