Qindra të rinj e të reja rrezikohen nga sëmundje të ndryshme infektive vetëm se nuk e dinë rrezikun e bërjes së një tatuazhi në trupin e tyre. Sipas specialistëve të shëndetësisë, vizatimi i një tatuazhi është shumë i dëmshëm për shëndetin e njeriut, sidomos në rastet kur ata punohen në ambiente të papërshtatshme, siç ndodh në plazhin e Durrësit, pasi mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme. Drejtues të Shëndetit Publik në Durrës thonë se nuk ka asnjë tatuator të licencuar apo me librezë shëndeti, prandaj u zotua se shumë shpejt do të ndërmarrë një aksion për largimin e të gjithë personave që ushtrojnë këtë aktivitet pa plotësuar kushtet e higjienës. “Ditët në vijim do të ndërmarrim aksione të befasishme në plazhin e Durrësit për largimin e të gjithë atyre që ushtrojnë aktivitetin e tatuatorit pa plotësuar të gjitha kushtet higjieno-sanitare. Tatuazhet që realizohen me anë të shpimit janë shumë të rrezikshme për shëndetin, aq më tepër kur mjetet që përdoren nuk janë njëpërdorimëshe apo të sterilizuara. Prandaj ne si Drejtori e Shëndetit Publik kemi vendosur që të bëjmë disa inspektime në terren, për largimin e të gjithë personave që ushtrojnë këtë aktivitet pa plotësuar kriteret e kërkuara”. Ata që ushtrojnë aktivitetin e tatuatorit janë të shumtë, ndërkohë që tashmë të ardhur edhe nga rrethe të ndryshme të vendit janë vendosur përgjatë bregdetit të Durrësit në pritje të klientëve. Nëse do të përshkosh me këmbë vijën bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, mund të hasësh një numër shumë të madh tatuatorësh, që e zhvillojnë aktivitetin e tyre pa asnjë lloj kushti, madje, në mes të rërës dhe në pikun e diellit. Ata kanë disa katalogë me forma të ndryshme dhe të gatshëm për të punuar me shuma që nisin nga 500 lekë. Qytetarët duken të interesuar për vizatimin dhe çmimin e jo për pasojat që vijnë nga mënyra e punimit dhe vendi ku punohet tatuazhi. Pa dashur të identifikohet, njëri prej artistëve që ushtron aktivitetin në bregdetin e Durrësit, shprehet se shumica përdorin bojëra jo cilësore dhe shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut, pasi nuk kanë mundësi të blejnë bojëra origjinale. Ai tregon më tej se disa të njohur të tij, në pamundësi për të blerë bojëra, përdorin bojë printeri për të vizatuar tatuazhet. Çmimet e pigmenteve që përdoren për ngjyrimin e tatuazheve janë të ndryshme, po ashtu edhe cilësia e tyre. Teksa u bën thirrje të gjithë të rinjve që të heqin dorë nga bërja e tatuazheve, mjekja dermatologe Xhiliola Doçi tregon edhe arsyet se përse nuk rekomandohen. Dermatologia thotë se 20% e ngjyruesve (bojë) që të apasionuarit e tatuazheve injektojnë në trup përmbajnë lëndë kancerogjene për lëkurën. “Shumë nga tatuazhet e sotshme përmbajnë një përzierje kripërash metalike, bojërash organike ose plastike. Nga studimet e bëra, rreth 20% e ngjyruesve përmbajnë lëndë kancerogjene për lëkurën. Bojërat e përdorura injektohen aq thellë në lëkurë, sa shpesh tatuazhet nuk mund të hiqen as nga trajtimi me lazer”, thotë mjekja. Ajo tregon se më të rrezikuar nga sëmundjet të ndryshme infektive, si pasojë e ageve dhe bojërave që përdoren, janë personat që kryejnë tatuazhet pa asnjë lloj kontrolli. Megjithatë, mjekja thekson dhe një fakt se në disa shtete nuk lejohet të kryhet ekzaminimi i rezonancës magnetike te personat që kanë tatuazhe, sepse pjesëzat metalike në bojërat e tatuazhit mund të shkaktojnë djegie gjatë procedurës.
Mjeshtri: Ja tatuazhet në modë këtë sezon vere
Megjithatë, tatuazhet janë në modë sot dhe të rinjtë nuk ngurrojnë të vrapojnë për të vizatuar trupin e tyre. Mariglen Dushi, i cili për 12 vjet me radhë ushtron aktivitetin e tatuatorit, thotë se ka shumë të apasionuar pas tatuazheve që nuk ndalen së vizatuari trupin. Mjeshtri 27-vjeçar thotë se në modë për meshkuj këtë sezon veror është tatuazhi me drita, i cili është me fosfor dhe duket vetëm në ambiente të mbyllura, siç janë klubet e natës, ndërsa për femra është bërja e tatuazheve të çfarëdoshme në pjesët e fshehura të trupit. Dushi, i cili e ka nisur këtë zanat që në Itali, thotë se specialistët e shëndetësisë kanë të drejtë se tatuazhet janë të rrezikshme, por në rastet kur ato nuk bëhen në kushte të mira higjieno-sanitare ose kur përdorin bojë të cilësisë së dobët. “Boja që përdor unë, është e cilësisë së parë dhe kushton 300 euro një shishe 200 ml dhe nuk të jep asnjë efekt anësor. Por që duhet ditur se jo të gjithë përdorin bojëra cilësore, pasi pjesa më e madhe punojnë me bojëra që i blejnë për 5-6 euro. Këto patjetër që mund të shkaktojnë sëmundje”, shprehet i riu.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











