Durrës, tatimorët bllokojnë 300 çadra në zonën e plazhit

Jul 16, 2011 | 11:26
Nga aksioni i tatimorëve në plazhin e durrësit

Tatimorët e Durrësit bllokojnë mbi 50 subjekte private në plazh, të cilat nuk kishin licencë të lëshuar nga qendra e regjistrimit të aktiviteteve në Bashkinë e Durrësit.Mes tyre janë plazhe, pika shitjeje, si dhe 10 banesa që shfrytëzoheshin si hotele, por të paligjshme. Aksioni i fundit ka sjellë sekuestrimin e më shumë se 300 shezlongeve dhe çadrave. Prej një jave, punonjësit e Tatimeve janë në terren. Kreu i kësaj drejtorie, Shkëlqim Fortuzi, ka kërkuar nga inspektorët e tij të ushtrojnë detyrimet dhe të verifikojnë çdo aktivitet. Madje Fortuzi ka pohuar se gjatë sezonit të verës, në Plazhin e Durrësit, në Currila, te Shkëmbi Kavajës dhe Golem janë hapur rreth 5 mijë vende pune provizore dhe kanë nisur aktivitet sezonal 1400 biznese. Tatimorët e Durrësit do të kërkojnë madje që edhe familjarët në zonën e Plazhit të paguajnë nga 1 euro për shtrat në rastet kur apartamentet e tyre jepen me qira. Fortuzi ka thënë se deri tani inspektorët e tij, pasi kanë vëzhguar në terren, kanë mundur të identifikojnë rreth 400 apartamente që jepen me qira nga familjarët. E, ndërsa tatimorët po vazhdojnë punën me intensitet, ka ndeshur në rezistencën e pronarëve aksioni i inspektorëve të Policisë Bashkiake për të bllokuar aktivitetin e palicencuar të plazheve private, në vijën bregdetare të administruar nga Bashkia e Durrësit. Sapo policia bashkiake ka nisur të sekuestrojë shezlonget e dy subjekteve pa licencë, pronarët e tyre ua kanë kapur çadrat e shtretërit e rërës në dorë, duke demonstruar forcë ndaj bluve të Bashkisë.
Aksioni i Policisë Bashkiake, që është drejtuar nga Arben Mançe, ka nisur në orët e vona të pasdites të së enjtes në Durrës, duke u zgjidhur si kohë kur largohen dhe pushuesit. Përballë kësaj rezistence, punonjësit bashkiakë janë larguar, ndërsa Mançe u shpreh se aksioni i tyre do të vazhdojë në ditët e ardhshme. Nga Ura e Dajlanit deri në afërsi të rezidencës së Ministrisë së Rendit, te Konvaleshenca, janë pajisur, sipas kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, 86 persona me leje e licencë për shfrytëzimin e përkohshëm të rërës. Në raste të tilla, çdonjëri prej tyre paguan 360 mijë lekë, ndërsa plazhi privat nuk mund të jetë më shumë se 200 m2. Bashkia pati pohuar gjithashtu se në katër zona, tek Iliria, Apolonia, Hekurudha dhe Florida janë rezervuar 4 plazhe publike me 600 m2 secila. Plazhi në Lagjen Nr. 13 ka afro 18 hektar sipërfaqe rërë dhe në më shumë se 75 për qind është llogaritur për plazhe private. Por, realisht, edhe 25 për qind e rërës nuk u është lënë pushuesve me çadra, apo familjarëve që kanë apartamentet e tyre në pallatet buzë deti dhe me pamje nga deti. Madje edhe këta të fundit, ose duhet të paguajnë shezlongun, ose të rrinë te rëra e lagur.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura