Djali qëllon të atin me thikë për të mbrojtur nënën nga dhuna. Ervin Vuçani, 34 vjeç, ka qëlluar disa herë ndaj të atit me armën e ftohtë, duke e vënë jetën e tij në rrezik.I lënduari Shpëtim Vuçani, 67 vjeç është dërguar menjëherë për në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit. Ai ka marrë plagë të rënda në bark dhe ndodhet në rrezik serioz për jetën. Mjekët bëjnë të ditur se ai është qëlluar tre herë me thikë në pjesën e barkut, ndërsa dy plagë të lehta i ka marrë në pjesën e gjoksit. Ndërkaq pas përleshjes me të atin ka mbetur i plagosur lehtë edhe vetë autori 34-vjeçar. Ai është arrestuar me akuzën e plagosjes së rëndë. Policia ka sekuestruar edhe thikën e krimit me cilësinë e provës materiale. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:45, në katin e katërt të një pallati në lagjen nr.18 të qytetit të Durrësit. Policia është njoftuar me anë të një telefonate nga fqinjët për atë që kishte ndodhur dhe ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Efektivët e policisë kanë parë skenën e krimit, e cila ishte zhvilluar në ambientet e kuzhinës së banesës së familjes Vuçani. I plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit e prej aty, direkt në sallën e operacionit. Burime nga policia e Durrësit bëjnë me dije se nga veprimet paraprake të grupit hetimor rezulton se krimi është kryer në kushtet kur Shpëtim Velçani kishte nisur të bënte sherr me bashkëshorten e tij, gjë që kishte ndodhur edhe herë të tjera. Burrë e grua po konfliktoheshin për shkaqe banale në prani të djalit të tyre Ervinit, i cili sapo ishte kthyer në banesë. Për një moment djali, që mësohet se kishte konsumuar dhe alkool, nuk ka duruar dhe ka rrëmbyer një thikë të kuzhinës, të cilën ia ka ngulur plot katër herë babait të tij në bark dhe në gjoks. Nga hetimet e para dyshohet se djali donte të shmangte dhunën e të atit ndaj nënës së tij dhe ka reaguar në mënyrën ekstreme, duke tentuar t’i japë fund jetës së të atit. Sipas policisë djali kishte kohë që vuante dhe nga depresioni, fakt që duket se ndikoi edhe në ngjarjen e djeshme që solli plagosjen e babait. Ai është arrestuar nga policia dhe akuzohet për plagosje të rëndë. Pritet marrja e tij në pyetje dhe konfirmimi nga ana e mjekëve mbi gjendjen fizike dhe mendore të 34-vjeçarit. Grupi hetimor ka marrë dëshminë e kryefamiljares, e cila ka deklaruar se gjithçka erdhi papritur, në kohën kur po debatonin me zë të lartë. Në banesë ndodhej vetëm çifti dhe djali i vetëm i tyre.
Mjekët: Gjendja e të plagosurit, në rrezik
I plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit e prej aty direkt në sallën e operacionit. Mjekët kanë konstatuar katër plagë në trupin e burrit të moshuar. Dy plagë ai i kishte marrë në bark, të cilat ishin plagë serioze dhe dy më të lehta në pjesën e gjoksit. Sipas mjekëve të spitalit të Durrësit pas operacionit, jeta e burrit është në rrezik serioz pasi thika ka shkaktuar dëmtime në organet vitale.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











