
Një milje larg bregut. Verifikim për marinarët e dy anijeve të mbytura
Një kufomë, ende e paidentifikuar, është gjetur në ujërat e Adriatikut pasditen e së dielës. Paraprakisht, dyshohet se trupi i pajetë i përket një prej marinarëve turq të cilët rezultojnë të zhdukur. Plot 7 marinarë, 6 të anijes “Reina 1” dhe kryemarinari i anijes cisternë “Edirne”, me gjithë përpjekjet e shumta, nuk u gjetën kurrë. Trupi i pajetë është parë në det të hapur vetëm një milje larg bregut të detit në Bisht-Pallë nga peshkatarë të zonës, të cilët më pas kanë njoftuar në sallën operative të Policisë së Durrësit. Menjëherë pas vënies në dijeni, policia e qytetit bregdetar si dhe Policia Kufitare janë nisur drejt vendit ku është njoftuar se është konstatuar trupi i pajetë. Sipas Policisë, trupi i pajetë është rreth moshës 45-50 vjeç, ende i paidentifikuar, me një gjatësi trupore rreth 1.70 cm, me flokë të zeza. Nga të dhënat e para, polica dyshon se kufoma mund t’i përkasë kryemarinarit të zhdukur të anijes cisternë “Edirne”, por nuk hidhet poshtë pista se trupi i pajetë mund të jetë i një prej 6 marinarëve të anijes tregtare “Reina 1”, e cila u përplas me tragetin e linjës Durrës-Bari “Ankara”, rreth 19 milje larg gjirit të Durrësit. Kjo është kufoma e tretë e gjetur në ujerat e Adriatikut brenda 2 muajve të fundit. Kufoma e gjetur pasditen e së dielës do të dërgohet në Institutin e Ekspertizës Mjekoligjore në Tiranë, për kryerjen e ekzaminimeve të duhura dhe pas përfundimit të tyre, do mund të përcaktohet edhe identiteti i kufomës. Nga ekzaminimet e para bëhet e ditur se kufoma është tejet e dekompozuar, çka lë të dyshosh qëndrimin për një kohë të gjatë në det dhe vështirëson identifikimin. Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, kufoma mendohet se ka më shumë se 20 ditë që qëndron në ujë. Pavarësisht se marinarët e mbijetuar nga anija cisternë “Edirne” kanë deklaruar se kolegu i tyre në momentin e shpërthimit të anijes ka qenë në thellësi të saj, pikërisht pranë tankerave, dyshohet se kufoma i përket kryemarinarit të zhdukur. Sipas ekspertëve, nuk është gjetur asnjë shenjë që do të ndihmonte për të identifikuar kufomën, ndërsa për gjetjen e kufomës mësohet se është vënë në dijeni Ambasada Turke në Tiranë. Burime nga Policia e Durrësit bëjnë të ditur se kohët e fundit nuk kanë të regjistruar asnjë të zhdukur me këtë moshë dhe këto të dhëna. Zona në të cilën është konstatuar trupi i pajetë është fare pranë vendit në të cilin pas shpërthimit u mbyt anija cisternë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











