Durrës, përplasjet politike, rrezik për çeljen e sezonit

May 2, 2012 | 14:00

E majta akuzon për ngërçin të djathtët. PD: Bashkia s’ka sjellë projektin.

Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar ende buxhetin e këtij viti.

Bregdeti i Durrësit rrezikon të mos jetë gati për të pritur pushuesit e tij për sezonin turistik veror, që pritet të nisë pas disa ditësh.
Situata e rënduar politike në Durrës, ku këshilltarët e djathtë e të majtë në Bashkinë e këtij qyteti nuk bëhen në një mendje për të miratuar projekt-buxhetin e vitit 2012, vë në dilemë serioze sezonin turistik veror. Në prag të sezonit turistik vijojnë të mbeten të bllokuara të gjitha investimet publike dhe shërbimet në Bashkinë e Durrësit. E gjithë vija bregdetare e Durrësit nuk është gati për të pritur pushuesit, të cilët kanë nisur që këto ditë të popullojnë brigjet e tij. Përveçse nismës “Për një Shqipëri të pastër”, që ndërmori qeveria “Berisha” për pastrimin e vijës bregdetare, institucionet përgjegjëse nuk kanë nisur ende nga puna. Shkak për ngërçin e krijuar është bërë mosparaqitja e projekt-buxhetit për vitin 2012 nga Bashkia e qytetit bregdetar në Këshillin Bashkiak me pretendimin që nuk ekziston vullneti politik për ta miratuar atë. Ndërkohë, të djathtët, që kanë edhe shumicën në Këshillin Bashkiak, nxjerrin fajtore Bashkinë, pasi sipas tyre, ajo nuk ka paraqitur përpara këshilltarëve projekt-buxhetin për ta diskutuar. Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vijon t’u mëshojë justifikimeve për mosmarrëveshje brenda anëtarëve të Këshillit, duke u shfajësuar se forca që ai përfaqëson është në minorancë në Këshillin Bashkiak, prandaj dhe nuk është bërë i mundur miratimi i buxhetit, në një kohë që konkretisht nuk është paraqitur drafti para këshilltarëve. E ndërsa këshilltarët e majtë e të djathtë fajësojnë njëri-tjetrin për këtë pengesë, prefekti i qarkut Durrës, Genci Alizoti, u bën thirrje palëve të ndërgjegjësohen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për të shpëtuar sezonin turistik veror, i cili, sipas tij, është në prag të çeljes dhe rrezikon që të mos i hapë dyert e tij për pushuesit. Alizoti ka pohuar se pretendimet që lidhen me paketën fiskale, por edhe me qëndrimet politike, nuk janë të bazuara, pasi nga ana e Bashkisë ende nuk është paraqitur asnjë buxhet para këshilltarëve të dy kampeve politike. Tashmë ndodhemi në limitet e kohës për çeljen e sezonit turistik dhe miratimi sa më shpejt i projekt-buxhetit të vitit 2012 është shumë i domosdoshëm, pasi do t’u hapte rrugë investimeve që do të bëhen përgjatë bregut të rërës. Aktualisht, Ndërmarrja e Pastrimit në Plazh, e cila menaxhon edhe pjesën më të madhe të bregdetit të Durrësit, po operon me një të dymbëdhjetën e buxhetit e, për pasojë, rrezikojnë të digjen investimet që duhet të kryhen para sezonit veror. Janë të paktën katër projekte që duhet të miratohen në Këshillin Bashkiak, siç është ajo e vendosjes së kazanëve për plehrat, vendosja e banjave dhe dusheve publike, rojet bregdetare, si dhe vendosja e ndriçimit në shëtitoren buzë detit, probleme për të cilat flitet prej vitesh.

FIER/ Koncert në parkun arkeologjik
Turistët në Apoloni, Bashkia çel sezonin

Nga festimet dje në Apoloni

FIER – Dita e 1 Majit çel zyrtarisht sezonin e ri turistik në Fier. Bashkia organizoi një koncert festiv në parkun antik të Apolonisë. Aktivitetet e ndryshme, nën petkun festiv “100 vjet pavarësi”, patën në përbërje të tyre zëra dhe grupe folklorike nga të gjitha zonat e qarkut Fier, ku dominoi tradita dhe kultura e trevës së Myzeqesë. Drejtori i Artit dhe Kulturës në Bashkinë Fier, Frederik Jorgaqi, u shpreh se ky aktivitet ka një gjithëpërfshirje, si promovimin e turizmit, grupimin rreth sofrës myzeqare të të gjitha ngjyrave kulturore, festime në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë si dhe argëtimin e qytetarëve vendas dhe të huaj që sot kishin pushtuar Apoloninë. “Nisur nga përvoja e viteve të kaluara, ne e dinim që sot këtu do të kishte shumë qytetarë, të cilët vijnë të organizuar. Nisur nga kjo, ne menduam që t’u sjellim qytetarëve më afër edhe artin dhe kulturën, çka shkon për shtat me sezonin e ri turistik dhe tregon po ashtu se në këto 100 vjet shtet, ne kemi arritur shumë. Kemi sot një arsenal kulturash që janë harmonizuar në Fier”, u shpreh Jorgaqi. Edhe në Fier, si në shumë qytete të tjera të Shqipërisë, ndryshe nga vende të tjera, ku qytetarët protestojnë më 1 Maj, kjo ditë kaloi me festa familjare. Në mbarë botën Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve shoqërohet me protesta kundër papunësisë dhe për të kërkuar të drejtat e punëtorëve. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali, u shpreh se dita e djeshme është një  dëshmi e rritjes së interesit publik mbi vende historike e atraktive, siç është Apolonia.                            m.r

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura